Ndërlidhjet

Në Bosnje mbahen zgjedhjet e përgjithshme


Një person duke votuar në një qendër votimi në Srebrenicë për zgjedhjet e përgjithshme të Bosnjë e Hercegovinës. 2 tetor 2022.
Një person duke votuar në një qendër votimi në Srebrenicë për zgjedhjet e përgjithshme të Bosnjë e Hercegovinës. 2 tetor 2022.

Bosnjë e Hercegovina ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme më 2 tetor, por pak ndryshim pritet për udhëheqjen e shtetit të mbërthyer nga klientelizmi, korrupsioni dhe varfëria.Rezultatet e preliminare pritet të publikohen në mesnatë.

Në total, 3.368.666 votues kanë pasur të drejtë vote dhe ata votuan për të zgjedhur 518 anëtarë të rinj të trupave qeveritarë.

Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në orën 19:00. Dalja në zgjedhje ishte 50 për qind, që është më e ulët nga zgjedhjet e vitit 2018, kur kishin votuar 54.2 për qind e votuesve.

Për këto zgjedhje ishin të akreditua mbi 60.000 vëzhgues.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 votuan 35 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Ky komision, gjatë së dielës, raportoi se kishte pranuar disa ankesa, përfshirë 35 për shkelje të ndryshme zgjedhore dhe 23 për shkelje të heshtjes zgjedhore.

Ndërkaq, pesë persona nga komisioni zgjedhor në qendrën e votimit në Hoziq, në veri të Bosnjës, u arrestuan nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të mashtrimit zgjedhor. Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës tha se të dyshuarit kishin sjellë në qendër të votimit një sasi të madhe të fletëvotimeve të plotësuara.

Zëdhënësi i Koalicionit për Zgjedhje të Lira “Nën Vëzhgim”, Hasan Kamanjakoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se komisionarët në Hoziq janë shkarkuar nën dyshimet për shkelje të Ligjit zgjedhor.

Votuesit në Bosnjë e Hercegovinë kanë mundur të zgjedhin nga mbi 100 parti dhe koalicione, në zgjedhjet e nënta të përgjithshme të vendit.

Por, peizazhi paszgjedhor në këtë shtet të Ballkanit me gjasë do të dominohet nga personalitetet e njëjta që kanë lulëzuar në krizat ekzistenciale përgjatë viteve dhe madje kanë përforcuar qëndrimet e tyre etnike gjatë fushatë zgjedhore.

Për çfarë u votua në këto zgjedhje?

Qytetarët kanë votuar për zgjedhjen e tri anëtarët e Presidencës boshnjake dhe 42 deputetëve të Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë parlamentare, për një mandat katërvjeçar.

Në nivel të entitetit, 98 deputetë do të zgjidhen për Parlamentin e Federatës boshnjake dhe kroate si dhe 83 për Parlamentin Kombëtar të Republikës Sërpska.

Po ashtu, në Republikën Sërpska zgjedhjet janë mbajtur edhe për presidentin dhe zëvendëspresidentin e entitetit.

Në Federatën boshnjake dhe kroate, në total 289 deputetë do të zgjidhen në dhjetë parlamentet e kantoneve.

Në zgjedhje morën pjesë 127 subjekte politike, prej të cilave 72 janë parti, 38 koalicione dhe 17 kandidatë të pavarur. Në nivel të përgjithshëm, numri i personave që garuan në zgjedhje ishte 7.258.

Në mbarë vendin ishin të hapura 5.903 qendra votimi dhe 21 qendra votimi u hapën në ambasadat dhe misionet konsullore që Bosnjë e Hercegovina ka në vende të ndryshme.

Zgjedhjet po ashtu u mbajtën në kohën e pushtimit rus të Ukrainës që ka ndarë edhe më tej Bosnjën dhe ka rritur frikën se mund të rriten tensionet në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor.

Bosnja është e ndarë në Federatën boshnjake dhe kroate dhe në entitetin e Republikës Sërpska, sipas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës trevjeçare në këtë ish-republikë të Jugosllavisë.

Schimdt bën ndryshime në Ligjin zgjedhor

Pak kohë pas mbylljes së vendvotimeve, përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë, Christian Schmidt, njoftoi se ka bërë ndryshime në Ligjin zgjedhor dhe në Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës.

Ai tha se masat e marra synojnë përmirësimin e funksionalitetit të entiteteve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe sigurimin e zbatimit në kohë të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura të dielën, më 2 tetor.

“Kërkesa ime urgjente për Parlamentin e zgjedhur të Bosnjë e Hercegovinës sot është që të miratohet me shpejtësi vendimi që është diskutuar për më shumë se dhjetë vjet: zbatoni aktgjykimet Sejdiq-Finci, Zorniq dhe të gjitha vendimet e Gjykatës në Strasburg dhe gjykatave në Sarajevë”, tha Schmidt përmes një deklarate.

Pritje të ulëta nga zgjedhjet

Sa i përket pritjeve nga këto zgjedhje, Toby Vogel, ekspert për Ballkanin, tha se ka dyshime se votimet do të jenë “transformuese”.

“Në fund të ditës, problemet në Bosnje nuk janë të lidhura se kush është në pushtet e kush është në opozitë, por se si pushteti është i strukturuar dhe ushtrimi i strukturës së pushtetit. Këto janë probleme strukturore që datojnë që nga marrëveshjet e paqes së Dejtonit dhe strukturave kushtetuese që ato përmbajnë”, tha ai.

Megjithatë, garë e ngushtë pritet të jetë për Presidencën trepalëshe, përfshirë edhe për ulësen boshnjake në këtë institucion.

Po ashtu, garë e ngushtë pritet të jetë për disa ulëse në dhomën e sipërme të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës – mandate që zgjidhen në mënyrë indirekte pas zgjedhje – dhe këto gara pritet të ndikojnë në përpjekjet penguese që kanë paralizuar shtetin për vite me radhë. Dhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve mund të ofrojnë qartësi në përgjigjen nëse Bosnja është e destinuar, të paktën për të ardhmen e afërt, të mbetet një nga pikat më të nxehta në Evropë.

Vëmendje po ashtu i kushtohet garës në Republikën Sërpska dhe liderit të saj, Milloard Dodik, i cili po shtyn përpara përpjekjet për shkëputjen e këtij rajoni të dominuar nga serbët.

Dodik ka raporte të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe llogarit në mbështetjen e tyre diplomatike dhe edhe në mbështetjen që t’i rezistojë strukturave federale të Bosnjës dhe presionit ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Dodikut, fillimisht më 2017, dhe më pas sërish në janar të këtij viti për shkak të përpjekjeve të tij për ndarje.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG