Ndërlidhjet

Schmidt bën ndryshime në Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën e Bosnjës


Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt.
Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, mori një vendim për masat që synojnë përmirësimin e funksionalitetit të entiteteve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe sigurimin e zbatimit në kohë të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura të dielën, më 2 tetor.

Paketa e masave përmban ndryshime në Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës. Ndryshimet i referohen ekskluzivisht konstituimit paszgjedhor të organeve të zgjedhura në mënyrë indirekte.

“Kërkesa ime urgjente për Parlamentin e zgjedhur të Bosnjë e Hercegovinës sot është që të miratohet me shpejtësi vendimi që është diskutuar për më shumë se dhjetë vjet: zbatoni aktgjykimet Sejdiq-Finci, Zorniq dhe të gjitha vendimet e Gjykatës në Strasburg dhe gjykatave në Sarajevë”, tha Schmidt përmes një deklarate.

Më 22 dhjetor, 2009, Gjykata Evropiane konstatoi se Kushtetuta e Bosnjës i diskriminon drejtpërdrejt pakicat, duke mos lejuar pjesëmarrjen e barabartë të tyre në zgjedhjet demokratike.

Atëbotë, rasti u dërgua në gjykatë nga Dervo Sejdiq, rom, dhe Jakob Finci, boshnjak.

Por, autoritetet e Bosnjës, që nga ajo kohë, nuk e kanë ndryshuar ende Kushtetutën dhe tri palë zgjedhje të përgjithshme janë mbajtur në përputhje me të.

Siç thuhet në njoftimin e Schmidit, vendimet paraqesin mekanizma për zhbllokimin dhe afate të përcaktuara rreptësisht "të cilat do të sigurojnë funksionalitetin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës".

Vendimi për Dhomën e Popujve të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës nënkupton që secili nga kombet konstituive (serb, kroat dhe boshnjak), do të ketë nga 23 delegatë, në vend të 17 siç kishin më herët.

“Kjo shpërndarje e mandateve korrigjon mbipërfaqësimin e theksuar të secilit prej tri kombeve konstituive në kantonet ku jetojnë në një numër më të vogël”, thuhet në vendimin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Sipas marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, Bosnja është e ndarë në Federatën boshnjake dhe kroate, që kanë dhjetë kantonte, në Republikën Sërpska të dominuar nga serbët dhe në qarkun e vogël vetëqeverisës të Bërçkos.

"Kam vendosur masa që do të përmirësojnë funksionalitetin e institucioneve në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës. Ato do t'u mundësojnë të gjithë qytetarëve t'u dëgjohet zëri i tyre dhe të sigurojnë që ata të përfaqësohen me të vërtetë nga ata që kanë zgjedhur”, tha Schmidt.

SHBA mirëpret vendimin e Schmidt

Shtetet e Bashkuara mirëpritën vendimin e Schmidtit, duke thënë se masat do të fuqizojnë stabilitetin dhe funksionalitetit e shtetit.

“Ky veprim ishte edhe urgjent, edhe i nevojshëm”, u tha në deklaratën e publikuar nga Ambasada amerikane në Bosnjë e Hercegovinë.

“Vendimi i përfaqësuesit të Lartë trajton problemet që kanë pllakosur Federatën e Bosnjë e Hercegovinës për shumë vite. Katër vjet pas zgjedhjeve të vitit 2018, Federata nuk ka zbatuar rezultatet dhe Gjykata Kushtetuese e Federatës është pothuajse e paralizuar. Kjo ka privuar banorët e Federatës nga të drejtat e tyre kushtetuese, ka minuar sundimin e ligjit dhe u ka dhënë guxim etno-nacionalistëve në mbarë Bosnjë e Hercegovinën. Së bashku, këto probleme kërcënojnë sovraniteti, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjë e Hercegovinës”, tha SHBA-ja.

Uashingtoni tha se mbështet fuqishëm sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjës, duke shtuar se është në dorën e liderëve politikë që të lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës.

Vendimi i Përfaqësuesit të Lartë vjen në ditën kur qytetarët në Bosnjë e Hercegovinë votuan për zgjedhjet e përgjithshme. Këto zgjedhje, sipas analistëve, nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim transformues.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG