Ndërlidhjet

Raportohet për katër të vrarë në protestat në Iran


Protestat në Iran pas vdekjes së Mahsa Amini.
Protestat në Iran pas vdekjes së Mahsa Amini.

Katër persona janë vrarë në Iran gjatë protestave mbi vdekjen e një gruaje 22-vjeçare, e cila humbi jetën pasi u arrestua nga policia nën dyshimet se ka thyer rregullat për veshjen e hixhabit, tha një organizatë.

Organizata për të Drejtat e Njeriut Hengaw tha më 19 shtator se dy persona u vranë në qytetin Divandarreh – pjesë e rajonit kurd të Iranit – ku protestat lidhur me vdekjen e Mahsa Amini kanë qenë më të mëdhatë.

Dy persona të tjerë u vranë në Saqez, tha kjo organizatë që monitoron zonat e banuara nga kurdët në perëndim të Iranit.

Organizata për të Drejtat e Njeriut Hengaw i identifikoi viktimat në Divandarreh si Fuad Ghadimi dhe Mohsin Mohamadi, duke thënë se ata ishin civilë “që u vranë nga të shtënat e forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit”. Kjo organizatë tha se edhe 15 persona janë plagosur.

Përmes një postimi tjetër në Twitter, u tha po ashtu se edhe dy viktimat e tjera në Saqez u vranë “nga të shtënat me armë nga forcat e regjimit iranian”.

Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane. Televizioni shtetëror raportoi se një numër protestuesish janë arrestuar, por nuk raportoi për viktima.

Më herët gjatë 19 shtatorit, policia iraniane tha se vdekja e Mahsa Amini ishte “një aksident” dhe mohoi akuzat se ajo ishte keqtrajtuar.

Ministri i Brendshëm, Ahmad Vahidi, tha se Amini më herët ka vuajtur nga disa sëmundje, duke shtuar se policia e hixhabit “nuk ka as mjete për të rrahur të ndaluarit”.

Protesta për vdekjen e Aminit janë mbajtur edhe më 18 shtator në Sanadaj, kryeqytetin e provincës së Kurdistanit.

Në videot e postuara në rrjetet sociale janë parë grupe grash protestuese duke hequr hixhabin dhe duke brohoritur “vdekje diktatorit”, një referencë e qartë për liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Policia shpërndau protestuesit në këtë qytet duke përdorur gaz lotsjellës dhe duke qëlluar në ajër.

Më 16 shtator, mjekët thanë se Amini ka vdekur pasi ata nuk mund të regjistronin asnjë aktivitet në trurin e saj, qëkur ajo ra në koma.

Sipas shkrimeve në rrjetet sociale, Amini kishte udhëtuar nga provinca e Kurtistanit për në Teheran për t’u takuar me familjarët e saj, kur ishte arrestuar nga policia e moralit më 13 shtator.

Dëshmitarët u kanë thënë gazetarëve se pas arrestimit ajo është rrahur brenda makinës së policisë së moralit, teksa është dërguar në një qendër të paraburgimi.

Hixhabi – mbulesa e kokës që vishet nga gratë myslimane – është i detyrueshëm që të vishet në publik nga gratë dhe vajzat iraniane nga mosha 9-vjeçare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG