Ndërlidhjet

“Greva të mos u faturohet nxënësve”


Paralajmërimi i mësimdhënësve se janë në grevë në një shkollë në Prishtinë.
Paralajmërimi i mësimdhënësve se janë në grevë në një shkollë në Prishtinë.

Nuk ka ende asnjë datë se kur mund të nisë viti i ri shkollor në institucionet publike të Kosovës.

Punonjësit e arsimit, ashtu si edhe shërbyesit civilë, janë në grevë, me kërkesën për rritje pagash, përkatësisht për 100 euro shtesë.

Qeveria, në përgjigje, thotë se Projektligji për paga, që parasheh rritje, do të dalë së shpejti në diskutim publik dhe pastaj miratim.

Në këtë vorbull deklaratash e veprimesh, të revoltuar shprehen disa prindër.

Një burrë me djalin e tij duke shëtitur, më 1 shtator 2022.
Një burrë me djalin e tij duke shëtitur, më 1 shtator 2022.


“Djali është i mërzitur. Ka pasur të shkojë në klasë të parë. Është shumë vështirë t’ia shpjegosh se përse nuk mund të shkojë”, thotë Flutura Berbati - Zena, nënë e një nxënësi fillestar.

Ajo thotë se greva mbahet për “përfitime të disave”, ndërkohë që dëmi bie mbi nxënësit.

“Duan ta dëmtojnë të ardhmen e Kosovës... [Greva] është metodë e keqe. Nuk e di përse nuk gjejnë ndonjë metodë tjetër që të mos e pësojnë fëmijët”, thotë ajo.

“Jemi bërë gati për klasën e parë, por, ja, kemi dalë në rrugë, e jo në shkollë”, thotë Gëzime Gashi, e cila bashkë me nipin e saj shëtiste në njërin nga sheshet e Prishtinës.

“Nëse duan të bëjnë greva e protesta, le t’i bëjnë pas mësimeve”, thotë ajo.

Një nënë duke shëtitur fëmijët në shesh më 1 shtator, ditën kur do të duhej të niste viti shkollor 2022-2023.
Një nënë duke shëtitur fëmijët në shesh më 1 shtator, ditën kur do të duhej të niste viti shkollor 2022-2023.

Ka qenë e paraparë që mësimi në të gjitha shkollat publike të Kosovës, të nisë më 1 shtator.

Mësimi i rregullt ka nisur vetëm në institucionet private të arsimit, punonjësit e të cilave nuk paguhen nga buxheti i shtetit të Kosovës.

“Ja, unë sot [1 shtator] e çova vajzën e vogël në institucion parashkollor privat. Vajza e madhe nuk filloi në shkollë shtetërore”, thotë Pranvera.

Greva është “e paarsyeshme”, sipas saj.

Reagime të ngjashme - kundër grevës në shkolla - kanë mundur të lexohen edhe në shkrimet e disa përdoruesve të rrjeteve sociale.

“Nxënësit duhet të jenë në shkollë”, ka shkruar Salie Osmankaq.


“Ligji i pagave është në procedurë të miratimit”, ka kujtuar ajo, duke shtuar se, edhe sikur të mos ishte, sindikalistët e punëtorëve dhe Qeveria “duhet të gjejnë rrugë të tjera për të zgjidhur mospajtimet që kanë”.

“Nxënësit kanë humbur mjaft, gati tre vjet nga pandemia. Tani është momenti që dikush të jetë përgjegjës për këtë gjendje kaotike të arsimit”, ka shkruar Adem Tasholli në Facebook.


Në dy vjetët e parë të pandemisë së koronavirusit, që ka shpërthyer në mars të vitit 2020, mësimi në Kosovë, në periudha të ndryshme, është zhvilluar online.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, thotë se në këtë kohë, mbyllja e shkollave nuk mund të justifikohet.

“Nuk duhet të lejohet as ligjërisht ky veprim ekstrem, që godet vetëm fëmijët e prindërit dhe asnjë palë tjetër. Greva nuk duhet të bëhet normë e veprim normal sindikal, me shkolla të mbyllura plotësisht e pa afat”, thotë Demi për Radion Evropa e Lirë.

“Sindikata nuk e ka problemin me fëmijë e prindër, nuk duhet që këtë veprim t’ua faturojë plotësisht fëmijëve... sepse, kështu lexohet nga ne dhe kështu na është raportuar edhe nga prindërit gjithandej. Ky është një veprim i zaptimit të fëmijëve për të arritur një qellim të caktuar grupor”, thotë Demi.

Për muajin gusht, Qeveria e Kosovës i ka ekzekutuar pjesërisht pagat, për shkak të, siç ka thënë, vonesave në përditësimin e listave të pagave.

Sipas Qeverisë, një përditësim i tillë ka qenë i nevojshëm, për shkak të grevave që kanë nisur nga 25 gushti.

Qeveria argumenton se nuk mund t’i paguajë punëtorët që janë në grevë; sindikalistët thonë se kjo është joligjore.

Pavarësisht kësaj, sindikatat e punëtorëve që organizojnë greva, paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, thotë se greva në institucionet arsimore do të përfundojë “kur Qeveria t’i plotësojë kërkesat tona”.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në Kosovë është rreth 480 euro, ndërsa norma e inflacionit në vend, në muajin korrik, ka arritur në 14.2 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.

Në raporte dhe vlerësime të ndryshme ndërkombëtare, cilësia e arsimit në Kosovë është kritikuar disa herë.

Në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Në dy teste të PISA-s - program ndërkombëtare për vlerësimin e nxënësve - Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG