Ndërlidhjet

Sindikalistët thonë se ndërprerja e grevës varet nga Qeveria


Greva e shërbyesve civilë në Komunën e Prishtinës.
Greva e shërbyesve civilë në Komunën e Prishtinës.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), më 29 gusht ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të reflektojë lidhur me realizimin e kërkesave të tyre, në mënyrë që të ndërpritet greva e nisur më 25 gusht.

Në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Nënkryetari i Këshillit Grevist, Ali Gashi, tha se greva do vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve.

“BSPK-ja është jashtëzakonisht e interesuar që të negociojë me zyrtarët e Qeverisë. Prandaj, i bëjmë apel ekzekutivit që të reflektojë që të gjendet një zgjidhje për të dyja palët ”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

REL ka kërkuar përgjigje edhe zyra për informim e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me atë se a pritet ndonjë takim dhe zgjidhje me Këshillin Grevist, por deri më tani, nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje.

Gashi tha se nëse Qeveria nuk reflekton, greva nuk do të ndërpritet dhe nxënësit nuk do të fillojnë vitin e ri shkollor, që duhet të nisë më 1 shtator.

Ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka hartuar Projektligjin për pagat.

Ky legjislacion duhet të kalojë fillimisht procedurat e konsultimeve paraprake e publike dhe, pas miratimit në Qeveri e Kuvend, të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës.

Në projektligj, një kopje të të cilit e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, thuhet se ai hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG