Ndërlidhjet

Kuvendi maqedonas miraton propozimin francez, javën e ardhshme hapen negociatat


Ligjvënësit maqedonas valëvisin flamurin e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Shkup, 16 korrik 2022.
Ligjvënësit maqedonas valëvisin flamurin e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Shkup, 16 korrik 2022.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian. Ndërkaq, nga Bashkimi Evropian thanë se negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut do të nisin javën e ardhshme.

Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Deputetët e opozitë nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Protesta brenda e jashtë Kuvendit kundër propozimit francez
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Kovaçevski: Votë për të ardhmen evropiane

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se me votimin e propozimit francez, “deputetët treguan kapacitetin e tyre demokratik, mbështetën konkluzionet për propozimin evropian dhe votuan për të ardhmen evropiane të vendit”.

“Nuk ka patriotizëm më të madh se të përkrahësh prosperitetin e vendit dhe vendimet që janë me interesin më të lartë për shtetin dhe qytetarët. Më në fund, gjuha maqedonase do të ketë jehonë kudo në Evropë. Kështu e duan vendin, me vendime të urta e burrështetas”, shkroi Kovaçevski në një postim në rrjetin social Facebook.

VMRO: Do ta fitojmë këtë luftë

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, tha se votimi i propozimit francez në Kuvend, nuk është edhe fundi i “betejës” së VMRO-DPMNE-së për të pamundësuar zbatimin e këtij dokumenti, sipas tij, të dëmshëm për interesat maqedonase.

“Asgjë nuk ka mbaruar, së bashku do të fitojmë, deputetët angazhohen me deklarata të noterizuara se nuk do kalojnë amendamentet kushtetuese dhe luftojnë për ndryshimin e kuadrit të negociatave. Nëse gjërat do të ishin kaq të mira për Maqedoninë, deputetët nuk do të ruheshin nga policia si në Bejrut. Ata mendojnë se e kanë mbaruar tradhtinë, por duhet ta dinë se bashkë me popullin do ta fitojmë këtë luftë. Kjo është vetëm një alibi për ta dhe ne do të marrim rrugën më të gjatë. Por, besoni se do të fitojmë”, tha Mickoski pas votimit të propozimit francez.

Por, Bashkimi Demokatik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë tha se miratimi i propozimit francez është “historik” që, sipas BDI-së, “vulosi orientimin ideologjik të vendit pa alternativë tjetër, atë të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Sot triumfoi racionaliteti, u ruajtën rrënjët evropiane të vendit dhe u mposhtën tentativat destruktive të forcave regresive pro-ruse. Qytetarët e vendit nuk ranë pre e mashtrimeve, provokimeve, konfuzionit dhe nuk përkrahën protestat që kishin për qëllim të kthejnë vendin prapa pas gjithë atyre sakrificave dhe arritjeve të përbashkëta”, thuhet në një komunikatë të BDI-së.

BE-ja paralajmëron hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën

Liderët e Bashkimit Evropian kanë përshëndetur votimin e Kuvendit maqedonas në favor të propozimit francez, duke paralajmëruar se në javën e ardhshme do të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke hapur formalisht negociatat e anëtarësimit.

“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin i cili tash shtron rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një rast historik dhe ju e shfrytëzuat atë. Një hap i madh drejt të ardhmes suaj, të ardhmes evropiane”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ngjashëm ka reaguar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ne ju mirëpresim me duar të hapura”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke shtuar se votimi i 16 korrikut ishte një hap i madh i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Pritet që në të njëjtën kohë negociatat e anëtarësimit të nisin edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.

Nga Shqipëria po ashtu kanë mirëpritur vendimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në BE nuk kanë më asnjë pengesë.

“Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund”, tha Rama.

Në pasditen e 16 korrikut, Qeveria maqedonase vendosi që t’i japë dritën e gjelbër propozimit francez.

“Me vendimin për fillimin e procesit të negociatave për anëtarësim në BE, përfundojmë një tjetër hap historik për vendin tonë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në një konferencë për media në Qeveri i shoqëruar nga ministrat e kabinetit të tij.

Ai tha se pas vendimit të Kuvendit maqedonas po hapet një proces për realizimin e qëllimit të dytë strategjik, pas atij me anëtarësimin në NATO, që është anëtarësimi në BE.

"Sot kemi një kornizë negociuese në të cilën mbrohet gjuha dhe identiteti maqedonas, çështjet historike janë jashtë saj dhe jemi një hap pranë konferencës së parë ndërqeveritare që do të shënojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Sot po hapim një mundësi të re për shtetin dhe për prosperitetin e qytetarëve. Shumë shpejt gjuha jonë maqedonase do të dëgjohet zyrtarisht në BE”, tha Kovaçevski.

SHBA: Vendim në moment kritik për Maqedoninë e Veriut dhe Evropën

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara thanë se vendimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, që miratoi procesin francez për t’i hapur rrugën integrimit evropian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se votimi i 16 korrikut është hap i radhës në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

“Ne i dimë kompromiset e vështira të bëra për këtë kompromis, i cili njeh dhe respekton identitetin kulturor të Maqedonisë së Veriut dhe gjuhën maqedonase. Ky vendim vjen në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe Evropën. Një Bashkim Evropian që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më i begatë. Tani është koha për të ndërtuar momentum dhe për të punuar në hapat e ardhshëm”, tha Blinken përmes një deklarate me shkrim.

Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim.

Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike.

Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.

Propozimi francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Gjatë debatit parlamentar për propozimin francez, deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhduan me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”.

Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten në fjalimin para deputetëve tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.

Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG