Ndërlidhjet

Aksion në Shtërpcë kundër strukturave ilegale serbe


Pjesëtar i njësive speciale të Kosovës. Fotografi ilustruese.
Pjesëtar i njësive speciale të Kosovës. Fotografi ilustruese.

Me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës të enjten, më 7 korrik, ka kryer një aksion për të sekuestruar kamera të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale serbe në Komunën e Shtërpcës.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se aksioni zhvilluar në katër lokacione në këtë komunë, përfshirë edhe në objektin e komunës së strukturave ilegale serbe.

“Jemi duke e zbatuar një urdhëresë të gjykatës për kontrollin dhe sekuestrimin e gjësendeve që janë në objektin e komunës së strukturave ilegale dhe në tri lokacione të tjera, ku dyshohet se janë të vendosura pajisjet për monitorim të këtyre kamerave të sigurisë që janë vendosur në komunë, në rrugë publike nga strukturat ilegale. Vetëm ato që janë të vendosura nga strukturat ilegale e edhe kamerat që janë të vendosura nga institucionet tona publike”, tha ai.

Ky rast, sipas Malokut, nuk është i lidhur me rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me keqpërdorimet në dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrën turistike të Brezovicës.

E vetmja lidhje, sipas tij, është se ish-kryetari i Komunës, Bratislav Nikoliq, ka qenë edhe koordinator i strukturave ilegale në këtë komunë.

“Ky [aksion] është ndërlidhur me rastin ‘Brezovica’ pasi që ish-kryetari i Komunës [së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq] ka qenë edhe koordinatori i strukturave ilegale. Megjithatë, është rast i veçantë, meqë nuk ka të bëjë me ndërtimet atje. Mirëpo, është ndërlidhur vetëm për shkak të personit kryesor që ka qenë edhe kryetar i këtyre strukturave ilegale. Por, këto janë organe jokushtetuese, për këtë arsye kemi ndërmarrë edhe këtë që t’i mbyllim dhe t’i sekuestrojmë të gjitha pajisjet edhe dokumentacionin në bazë të të cilëve kanë operuar”, tha Maloku.

Aksioni po zhvillohet në katër lokacione, por edhe në vendet ku janë vendosur kamerat, siç janë shtyllat ndriçuese në rrugët e kësaj komune.

Komuna e Shtëprcës: Kamerat u vendosën në bazë të ligjit

Komuna e Shtërpcës, e cila funksionon në sistemin e Kosovës, i është drejtuar publikut me një deklaratë, ku thuhet se video-mbikëqyrja në territorin e kësaj vetëqeverisjeje lokale “është instaluar në përputhje me procedurat e vlefshme ligjore dhe përmes procesit të prokurimit publik për video-vëzhgim”.

Kamerat, thuhet në njoftim, janë instaluar në tri raste - në vitin 2013 në Shtërpcë, nga Kisha e Shën Gjonit nëpër rrugët kryesore deri në dalje nga Shtërpca, pastaj në vitin 2016 në Drajkovcë dhe në vitin 2017 në Jazhinacë, pranë shkollës fillore.

“Vetë në hyrje të Shtërpcës, në përputhje me ligjin aktual, është vendosur një tabelë, një njoftim ku thuhet se hyrja në pjesën e komunës është nën vëzhgim me video. Në një aksident trafiku, në fillim të vitit 2014, janë dëmtuar dhe thyer kabllot e video-vëzhgimit në shtyllat në Shtërpcë. Nga ai moment, kamerat nuk kanë qenë në funksion”, thuhet në njoftim, duke shtuar se për të gjitha këto është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Po ashtu, shtohet se në disa raste në vitin 2022, Policia e Kosovës ka kërkuar të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me kamerat, ka inspektuar serverin dhe ka konstatuar se video-vëzhgimi nuk funksionon.

Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës (AIP), më herët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se video-mbikëqyrja, që identifikon individët, nuk guxon të vendoset në asnjë institucion dhe se vetëm policia ka të drejtë t’i përdorë ato “në raste të veçanta”.

AIP është agjenci e pavarur, që monitoron zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të personave fizikë.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe: Aksioni në Shtërpcë, për të frikësuar serbët

Zyra për Kosovë ne Qeverinë e Serbisë tha se qëllimi i këtij aksioni ishte frikësimi dhe maltretimi i serbëve në këtë komunë.

Sipas komunikatës të lëshuar nga kjo Zyrë, forcat policore kanë hyrë në një shkollë fillore në Brezovicë, në objektin e postës serbe në fshatin Drajkovcë, po ashtu është kontrolluar ndërtesa e komunës e cila funksionon në sistemin serb nga ku "është marrë i tërë dokumentacioni dhe kompjuterët".

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe shton se kontrolli është bërë edhe në televizionin lokal, Herc, dhe se nga shtyllat ndriçuese janë hequr kamerat.

Sipas zyrës, këto kamera, “të cilat legalisht u vendosën para 10 vjetësh“, nuk janë në funksion që disa vite dhe se “Prishtina zyrtare e di këtë”.

“Nuk ka dyshim se ky është një sulm i ri dhe presion mbi serbët që të largohen nga shtëpitë sepse nuk ka arsye për këtë aksion të ri në këtë komunë serbe“, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

Në dhjetor të vitit 2021, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Serbia, përmes institucioneve të cilat i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes së kompanisë kineze që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.

Siç është parë nga dokumentacioni, sistemet e video-mbikëqyrjes të markës kineze Dahua, të cilat Serbia i blen për shkollat në Kosovë, kanë edhe opsionin e njohjes së fytyrave. Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology është kompani kineze, e cila që nga viti 2019, gjendet në listën e zezë të SHBA-së për shkak të ndërlidhjes së saj me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe fushatën kineze të represionit kundër ujgurëve në provincën kineze të Xinjiang.

Më 16 dhjetor të vitit 2021, Organi i përkohshëm i Komunës së Gjilanit në Kosovë, institucion ky i menaxhuar nga strukturat serbe dhe që nga autoritetet e Kosovës njihet si institucion paralel, ka lidhur kontratë për prokurimin e këtij sistemi për video-mbikëqyrje me Neva Company 2020 DOO, me seli në Ranillugë, po ashtu komunë kjo e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

Ndryshe, rasti “Brezovica” është iniciuar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në fundin e vitit të kaluar dhe ky rast ende po vazhdon. Nikoliq, sipas Prokurorisë, dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, që gjendet në Komunën e Shtërpcës.

Nikoliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, dhurata, e vetura në këmbim të lëshimit të lejeve të ndërtimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG