Ndërlidhjet

Në Kosovë nis Java e Krenarisë: “Të drejtat e LGBTI+ janë të drejta të njeriut”


Fotografi e realizuar gjatë Paradës së Krenarisë të mbajtur në Prishtinë më 1 korrik 2021.
Fotografi e realizuar gjatë Paradës së Krenarisë të mbajtur në Prishtinë më 1 korrik 2021.

Në Prishtinë më 6 qershor nisi Java e Krenarisë, teksa organizatat joqeveritare thanë se është shënuar regres në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTI+ dhe autoritetet u zotuan se do të angazhohen në avancimin e të drejtave të kësaj kategorie të shoqërisë.

Në Qeverinë e Kosovës u bë hapja zyrtare e Javës së Krenarisë, që është organizimi i gjashtë me radhë i këtij lloji.

Drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Arbër Nuhiu, tha se u takon autoriteteve relevante që të avancojnë të drejtat e komunitetit LGBTI+.

“Ky edicion i Javës së Krenarisë vjen me sloganin ‘Edhe n’shtet edhe n’familje’, që reflekton situatën aktuale dhe pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LBGTI si në shtet ashtu edhe në familje”, tha Nuhiu.

Ai u shpreh mjaft kritikë për deklaratat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, veçmas në seancën e 16 marsit, kur u diskutua Projektkodi Civil, duke thënë se Kuvendi lejoi gjuhë të urrejtjes, homofobe dhe transfobe, duke shtuar se deputetët dështuan të mbrojnë Kushtetutën, e cila garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.

“Draft-Kodi Civil deri në këtë fazë nuk ka mundur të rregullojë të drejtën për martesë për personat e gjinisë së njëjtë. Rrjedhimisht, versioni i fundit që është propozuar edhe në Parlament, nuk është as në frymë e as në gjuhën e Kushtetutës dhe as në praktikën e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut, pasi që në asnjë formë nuk rregullon partneritetin e personave të seksit të njëjtë”, tha Nuhiu.

“Ne konsiderojmë se mosrregullimi i martesës së peronave të seksit të njëjtë është diskriminim social dhe ekonomik”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se nëse ky dokument në fund nuk do të lejojë martesat e personave të gjinisë së njëjtë, organizatatat joqeveritare do ta dërgojnë pranë Gjykatës Kushtetuese për opinion.

Në Projektkodin Civil, që është prezantuar në Kuvend në mars dhe nuk është miratuar, thuhej se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, në nenin e radhës thuhej se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në Projektkodin Civil nuk u definua se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Ndërkaq, duke folur për projektet e nisura në fushën e të drejtave të njeriut, Nuhiu tha se pret që së shpejti të miratohet legjislacioni që do t’iu mundësojë personave transgjinorë të ndryshojnë gjininë në dokumentet e tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se barazia nuk duhet të jetë selektive, por barazia e plotë duhet të jetë synim i përditshëm.

“Fatkeqësisht stigmatizimi dhe diskriminimi vazhdon të jetë në shoqërinë tonë dhe kjo nuk vlen vetëm për komunitetin LGBTI+”, tha Osmani.

“Java e Krenarisë na kujton rëndësinë e të qenit krenarë për atë se kush jemi, për faktin edhe kur jemi ndryshe sepse diversiteti është pasuri. Kjo javë na përkujton se barazia asnjëherë nuk guxon të jetë selektive. Barazia duhet të vlejë njësojë për secilin njeri sepse barazia është premisa më fundamentale dhe nismëtare e Kushtetutës sonë, andaj barazia duhet të jetë synimi ynë i çdoditshëm”, tha Osmani.

Ajo shtoi se me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin eventual në këtë institucion, do të mundësohet avancimi i mëtejmë i të drejtave të komunitetit LGBTI+.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sa se ekzekutivi zotohet për të punuar më tej në avancimin e të drejtave të njeriut dhe që të gjithë qytetarët të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se Kosova ka bërë progres në respektimin e të drejtave të njeriut, por ende duhet punë në këtë drejtim, duke ofruar mbështetjen e SHBA-së.

“Duhet të pranojmë se duhet ende punë të bëhet që të sigurohen të drejtat e komunitetit LGBTI+. Qëndrimi ynë është i qartë, të drejtat e LGBTI+ janë të drejta të njeriut. Pikë”, tha ai.

“Ju siguroj se SHBA-ja është e përkushtuar për të respektuar dinjitetin njerëzor dhe për trajtimin e barabartë”, shtoi ambasadori amerikan.

Në Prishtinë, në kuadër të Javës së Krenarisë, të premten do të mbahet Parada e Krenarisë. Paradat e mëhershme të Krenarisë që janë mbajtur në Prishtinë janë zhvilluar pa incidente.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG