Ndërlidhjet

Cel Kosova i gëzohet mosmiratimit të Projektkodit Civil


Fotografi e realizuar gjatë Paradës së Krenarisë të mbajtur në Prishtinë më 2017.
Fotografi e realizuar gjatë Paradës së Krenarisë të mbajtur në Prishtinë më 2017.

Organizata për Barazi dhe Liri, Cel Kosova, i është gëzuar vendimit të Kuvendit për të mos miratuar Projektkodin Civil në versionin aktual, për shkak se, sipas kësaj organizate, nuk garanton barazi në të drejtën në martesë.

Në një postim të kësaj organizate që merret me të drejtat e komunitetit LGBTI, thuhet se “alternativa e ofruar në formën e partneritetit civil krijon paqartësi dhe nuk ofron zgjidhje për garantimin e së drejtës për jetë familjare të komuniteteve LGBTIQ+”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë seancës së të mërkurës nuk e miratuan në parim Projektkodin Civil.

Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës së mbajtur të mërkurën ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i "bashkësive civile" ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Cel Kosova tha se diskutimi i së mërkurës në Kuvend vuri në pah “pikëpamjet dhe retorikën diskriminuese, homofobe dhe të nxitjes së urrejtjes”.

Kjo organizatë i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që në versionin e ri të Projektkodit Civil të lejojë martesën për të gjithë.

Ndryshe, në Projektkodit Civil, që nuk u miratua, thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG