Ndërlidhjet

BE-ja pret marrëveshje për targat


Letra ngjitëse të vendosura mbi simbolet e targave serbe. Jarinjë, 4 tetor 2021.
Letra ngjitëse të vendosura mbi simbolet e targave serbe. Jarinjë, 4 tetor 2021.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, porositi se u takon kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë "një marrëveshje për të lëvizur përpara” sa i përket çështjes së targave, kur të takohen më 21 prill.

Ai tha përmes një postimi në Twitter se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë kanë mbajtur në Bruksel takimin e fundit të grupeve punuese, para 21 prillit, kur skadon edhe afati për të arritur një marrëveshje afatgjatë për targat.

“Sot, ekspertët nga Kosova dhe Serbia u takuan për herë të fundit në kuadër të grupit punues për targat e makinave, para afatit të fundit të 21 prillit. Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak në Twitter.

Por, njohësit e zhvillimeve politike, Arton Demhasaj dhe Dushan Radakoviq, vlerësojnë se është pak e besueshme ose fare që një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve të arrihet deri më 21 prill.

Në këtë datë skadon afati i marrëveshjes së përkohshme për targat, e cila është arritur më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel dhe ka qenë e vlefshme për rreth gjashtë muaj. Ndërkaq, një ditë para skadimit të këtij afati, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Një vizitë e Lajçakut në Kosovë nuk është paralajmëruar. Lajçak nga Beogradi porositi se BE-ja pret që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Qarkullim me letra ngjitëse
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Marrëveshja ka dalë pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, makinat me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme - ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e makinave me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.

Marrëveshja për zgjidhjen e këtij kontesti ka qenë e përkohshme dhe grupet punuese, të cilat janë formuar rreth gjashtë muaj më parë, me përfaqësues të Prishtinës, Beogradit dhe Bashkimit Evropian, duhet të paraqesin një zgjidhje të përhershme për targat, “bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së”, më së voni deri më 21 prill.

Deri më tash, palët nuk kanë dhënë sinjale - të paktën jo publikisht - se janë afër një marrëveshjeje të përhershme për targat.

Të mërkurën, në Bruksel, pritet të mbahet takimi i grupeve punuese nga Prishtina, Beogradi dhe Brukseli, ndërsa të enjten pritet një takim i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të martën për Radion Evropa e Lirë se BE-ja i ka ndihmuar të dyja delegacionet për t’i identifikuar zgjidhjet, por është në përgjegjësi të palëve që të pajtohen për një zgjidhje. Ne presim nga to që të ketë progres deri më 21 prill.

Ai shtoi se BE-ja “dëshiron t’i rikujtojë palët edhe një herë se tash është urgjente që të arrihet një qëndrim i përbashkët”. “Secila marrëveshje për targat kërkon fleksibilitet politik dhe kompromis nga të dyja palët”, theksoi ai.

Dehmasaj : Pas 21 pillit, rikthim në pikën fillestare

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, me seli në Prishtinë, thotë se arritja e kompromisit eventual për çështjen e targave është e vështirë, marrë parasysh se, deri më tash, nuk duket se ka përafrim mes palëve.

Demhasaj thotë se tani ekzistojnë dy opsione: që marrëveshja e përkohshme të vazhdohet edhe për një kohë, ose që palët të kthehen në pozicionet fillestare, që kanë qenë para marrëveshjes së përkohshme.

Si u arrit zgjidhja e përkohshme?

Për shkak të reciprocitetit për targat, pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, u bllokuan për dy javë nga serbët lokalë.
Për shkak të reciprocitetit për targat, pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, u bllokuan për dy javë nga serbët lokalë.


Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës me letra ngjitëse të bardha mbulohen simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, është arritur me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

Më herët, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, ka vendosur masa reciproke ndaj Serbisë lidhur me targat. Kjo ishte arsyeja që serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan për dy javë rrugët për në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në ato dy vendkalime gjatë gjithë kohës kanë qëndruar pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, ndërkaq që aeroplanët ushtarakë serbë disa herë kanë fluturuar mbi pikën kufitare në Jarinjë. Asokohe, Beogradi zyrtar tha se njësitet e Ushtrisë së Serbisë janë në gatishmëri të ngritur luftarake, në garnizonet e Rashkës dhe Novi Pazarit, afër kufirit me Kosovën.

Masat reciproke të Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë, të 20 shtatorit të vitit të kaluar, nënkuptonin që të gjithë ata që drejtojnë vetura me targa të qyteteve nga Serbia, duhet t’i zëvendësojnë ato me targat provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.

Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë përkoi me skadimin e targave KS (Kosova), neutrale ndaj statusit, me të cilat mund të shkohej në territorin e Serbisë pa targa provuese. Po ashtu, Qeveria e Kurtit njoftoi se qytetarëve në veri të Kosovës do t’u hiqen të gjitha targat KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat janë të paligjshme për Kosovën.

Targat me akronimet e qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Serbia, në mjediset e banuara me serbë në jug të lumit Ibër, u hoqën në vitin 2011, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes. Këto janë targat PR (Prishtinë), PZ (Prizren), UR (Ferizaj), GL (Gjilan) e kështu me radhë.

Por, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gjatë gjithë kohës ka qenë e mundur ngasja e automjeteve me targa KM të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjë që ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit.

Opsioni i dytë nënkupton që Serbia të vazhdojë që automjeteve të Kosovës, gjatë kalimit në territorin e saj, t’ua imponojë vendosjen e targave provuese dhe pagesën prej 5 eurosh për to, ndërsa Kosova të vendosë të njëjtën masë - në mënyrë reciproke - për automjetet e Serbisë, gjatë qarkullimit në territorin e Kosovës.

“Mendoj se është problem nëse kthehemi në pikën zero, sepse kjo, në njëfarë mënyre, vështirëson arritjen e marrëveshjes për targat dhe, përveç kësaj, mund të ndikojë negativisht edhe te procesi i dialogut kryesor, që është për arritjen e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë [për normalizimin e marrëdhënieve]”, thotë Demhasaj.

Ai thekson se as autoritetet e Kosovës, as ato të Serbisë nuk kanë qenë transparente rreth negociatave për zgjidhjen e përhershme të çështjes së targave.

Radakoviq: Ndryshimi i targave të Kosovës, një prej opsioneve

As Dushan Radakoviq, nga organizata “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike”, me seli në Mitrovicën e Veriut, nuk pret që palët të arrijnë marrëveshje të përhershme për targat deri më 21 prill, edhe pse, sipas tij, palët kanë dhënë disa propozime.

Ai thekson se, në bazë të informacioneve që ka, një nga opsionet për marrëveshje është që Kosova t’i ndryshojë targat e saj dhe në vend të akronimit RKS [Republika e Kosovës], të ketë akronimin KOS, që nënkupton Kosova.

“Ky është një nga opsionet, për të cilin flitet ditëve të fundit në disa qarqe ndërkombëtare. Madje, ka ekzistuar edhe një opsion që Serbia t’i ndryshojë targat. Pra, miliona njerëz t’i ndryshojnë targat për shkak të Kosovës. Kështu që, në fund, kjo është hedhur poshtë dhe një nga marrëveshjet reale është që Kosova t’i marrë targat KOS”, thotë Radakoviq, pa dhënë detaje se cili, sipas tij, ka qenë propozimi për ndryshimin e targave të Serbisë.

Radakoviq shton se marrëveshjet e përkohshme shpesh janë vazhduar deri në gjetjen e një marrëveshjeje të përhershme. Por, aktualisht, thotë ai, nuk ka sinjale se marrëveshja e përkohshme për targat do të vazhdohet edhe pas 21 prillit, andaj gjithçka mund të kthehet në pikën fillestare.

Më herët, burime diplomatike të Radios Evropa e Lirë në Bruksel kanë thënë se “ka hapësirë për kompromis” në lidhje me çështjen e targave dhe se ka propozime që mund të jenë të pranueshme për të dyja palët.

Po sipas tyre, pala kosovare “ka treguar gatishmëri për të pranuar disa nga propozimet”, por pala e Beogradit nuk ka treguar qëndrim të qartë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës për koment në lidhje me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm “parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme” për çështjen e targave.

Këto deklarata të Kurtit, në Serbi i kanë parë si kërcënim.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG