Ndërlidhjet

Gatishmëria e Kosovës për pranimin e refugjatëve ukrainas 


Ukraine Invasion Refugees -- Ukrainian refugees walk along vehicles lining-up to cross the border from Ukraine into Moldova, at Mayaky-Udobne crossing border point near Mayaky-Udobne, Ukraine, Saturday, Feb. 26, 2022.
Ukraine Invasion Refugees -- Ukrainian refugees walk along vehicles lining-up to cross the border from Ukraine into Moldova, at Mayaky-Udobne crossing border point near Mayaky-Udobne, Ukraine, Saturday, Feb. 26, 2022.

Qeveria e Kosovës beson se ka kapacitete për pritjen e 5.000 refugjatëve eventualë nga Ukraina, thonë nga ekzekutivi i vendit.

Siç thuhet, Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur rezolutën e Kuvendit të Kosovës, të miratuar më 3 mars, “e cila dënon ashpër agresionin dhe invazionin e paligjshëm dhe të paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, duke u rreshtuar kështu me shtetet demokratike”.

Kuvendi i Kosovës, përmes rezolutës së miratuar, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që në rast nevoje, të mundësojë strehimin e 5.000 refugjatëve, si dhe të ndajë një fond të veçantë për ndihmë Ukrainës.

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit, ndërkaq presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e kanë dënuar sulmin dhe janë zotuar se do ta mbajnë përgjegjëse Rusinë, së cilës tashmë i kanë vendosur sanksione të ashpra.

Qeveria: Besojmë që kemi kapacitete për pranimin e refugjatëve

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi shpreh gatishmërinë për pranimin e refugjatëve eventualë nga Ukraina.

“Si ekzekutiv, ne i bashkohemi gatishmërisë së shprehur në Rezolutë për strehim eventual deri në 5.000 refugjatë nga Ukraina. Vetëm tri ditë më parë kishim shprehur gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë. Përpos vullnetit tonë, ne besojmë që këto kapacitete ekzistojnë. Këtu përfshihen edhe kapacitetet që ofrohen edhe nga sektori privat”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë sqarime se ku janë të vendosura kapacitetet e pritjes së refugjatëve eventual.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të brendshme të Qeverisë së Kosovës, nuk kanë qenë të qasshëm për të marrë përgjigje lidhur me vendndodhjen e objekteve dhe kapaciteteve që mund të pranojnë refugjatët eventualë.

Zeka: Mekanizmat ekzistojnë, vetëm duhet aktivizuar

Por, Izmi Zeka, i cili në periudhën prej vitit 2017 deri në vitin 2019, ka qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Koordinator Nacional për Migrimin, thotë për Radion Evropa e Lirë, se që atëherë Kosova ka pasur një plan të veprimit që në rast se eventualisht Kosova ballafaqohet me refugjatë, të ketë kapacitete të mjaftueshme.

“Asokohe, ne kemi pasur filluar me angazhimin dhe diku për rreth tre mijë refugjatë, kapacitetet kanë qenë ekzistuese dhe ka pasur mundësi që Kosova t’i përballojë, natyrisht duke vazhduar me punën intensive që këto kapacitete të mirëmbahen, por edhe të rriten. Sa kam informacione kanë qenë edhe mjetet e planifikuara dhe tani vetëm duhet të aktivizohet ai mekanizëm, në krye me koordinatorin nacional”, thotë Zeka.

Bota hap dyert për ukrainasit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:43 0:00

Ai ka shprehur besimin se Kosova ka kapacitete që të presë, në mënyrë dinjitetshme dhe pa probleme 5.000 refugjatë eventualë nga Ukraina, sepse kapacitetet për pranim të refugjatëve eventualë nga cilido vend, ishin planifikuar qysh në kohën kur ai ka qenë në funksionin e zëvendësministrit.

“E them këtë sepse gjithçka është e planifikuar siç duhet, që nga hyrja në kufi (të Kosovës) e deri në vendosjen eventuale (transitin) nëpër vende të tjera”, sqaron Zeka.

Forma ende e papërcaktuar e fondit për ndihmë Ukrainës

Ndarja e një fondi të veçantë për ndihmë Ukrainës, të cilën e ka kërkuar Kuvendi i Kosovës përmes rezolutës, është mbështetur edhe nga Qeveria e Kosovës, ka thënë zëdhënësi i saj, Përparim Kryeziu.

“Ditëve në vijim do të intensifikojmë komunikimin me qeveritë e shteteve partnere dhe organizata ndërkombëtare për të identifikuar kërkesat dhe nevojat e Ukrainës dhe mundësitë se si Kosova mund të ndihmojë”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje me shkrim.

Por, ende mbetet e padefinuar se cila do të jetë forma e fondit të veçantë për ndihmë Ukrainës. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës nuk e specifikon këtë.

Ferat Shala, anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe pa krijimin e fondeve të caktuara, Qeveria e Kosovës i ka mundësitë ligjore, nëse ajo dëshiron të ofrojë ndihmë.

“Mendoj që Qeveria ka hapësirë të ndihmojë edhe pa krijimin e fondeve. Është vullneti i tyre politik, i cili nuk ka kaluar asnjë instancë tjetër të Kuvendit apo komisioneve. Unë mendoj që nuk duhet të ngarkohen qytetarët dhe buxheti i shtetit dhe nuk duhet të krijojmë institucione financiare të panumërta, sepse më pas, kontrolli, menaxhimi dhe raportimi do të vështirësohen”, thekson Shala.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës me pyetjet se a ka mjete buxhetore për ndarjen e fondit për ndihmë ndaj Ukrainës, si dhe nga cilat vija buxhetore mund të tërhiqen eventualisht mjetet financiare, për një fond të tillë.

Por, deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Qeveria e Kosovës ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë dhe ka vendosur sanksione në linjë me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Kosova, deri më sot, nuk është përballur me numër të madh të refugjatëve, por vendi kryesisht përdoret për transit për vende të ndryshme të Evropës.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, numri i të zhvendosurve nga Ukraina, për shkak të pushtimit rus atje, ka kaluar në mbi një milion.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG