Sindikata dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë arritur të hënën në mbrëmje marrëveshjen për rritjen e pagës minimale nga 15,000 (250 euro) në 18,000 denarë (300 euro).
Marrëveshje u arrit pas negociatave që kanë zgjatur disa ditë për shkak të hezitimit të Qeverisë për të pranuar rritjen e kërkuara nga Lidhja e Sindikatave.
Vendimi do të hyjë në fuqi nga muaji mars dhe do të përfshijë rreth 80,000 punëtorë të ndërmarrjeve të vogla, të sektorit të tregtisë dhe industrisë përpunuese.
“Kemi premtuar dhe miratuam vendimin që ndihmojnë drejtpërdrejt standardin e jetesës. Në një vit krize, vit krize evropiane dhe botërore, ne mbetemi të fokusuar në mbështetjen financiare të qytetarëve. Tetëdhjetëmijë punëtorë do të përfitojnë nga vendimi i Qeverisë”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Darko Dimovski nga Federata e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut tha se është i kënaqur me vendimin për ngritjen e pagës minimale, por sipas tij, me këtë do të rriten edhe të gjitha pagat tjera në përputhje me ligjin dhe me koeficientin dhe marrëveshjet kolektive.
Rritjen e pagave të tjera e kërkoi edhe partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE-. Opozita bëri të ditur se do të dorëzojë një propozim për ndryshim në Ligjin për pagën minimale, me të cilin do të kërkohet që pagat e tjera në sektorin publik, të rriten në përputhje me rritjen e pagës minimale.
Rroga mesatare në Maqedoninë e Veriut sillet në rreth 29,000 denarë apo 475 euro.
Por, kundër vendimit për rritjen e pagës minimale ishin shprehur punëdhënësit, të cilët kërkuan subvencione nga qeveria për mbulimin e shpenzimeve ndërsa vendimin e qeverisë e konsideruan si jo real.
“Rritja e pagës minimale nuk është reale, ajo është dyfishuar në 4 vitet e fundit dhe do të jetë një goditje e rëndë për sektorin privatin. Kjo rritje do t'i shkaktojë probleme disa kompanive dhe nuk do të ketë rritje të produktivitetit”, ka deklaruar Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.