Rusia publikoi një listë kërkesash të kushteve të sigurisë, për të cilat dëshiron të negociojë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.
Në këtë listë përfshihet edhe kërkesa e Rusisë që NATO-ja të heqë dorë nga të gjitha aktivitetet ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik. Por, Aleanca Veri-Atlantike ofroi kushte të rrepta lidhur me çfarëdo diskutimi mbi çështjet e sigurisë me Kremlinin.
Në mesin e kushteve të propozuara, të paraqitura më 17 dhjetor nga Ministria e Jashtme ruse, NATO-ja do të duhej të pajtohej që të hiqte dorë nga të gjitha aktivitetet ushtarake në Ukrainë, Evropën Lindore, Kaukaz dhe Azinë Qendrore, derisa Aleanca po ashtu do të pajtohej për zgjidhjen e të gjitha çështjeve në mënyrë paqësore e do të përmbahej nga përdorimi i dhunës.
“Drafti i marrëveshjeve” i propozuar ndërmjet Moskës dhe shteteve anëtare të NATO-s, po ashtu, do të duhej të parandalonte zgjerimin e mëtutjeshëm të Aleancës Veri- Atlantike. Po ashtu, do të duhej të zvogëlonte manovrat ushtarake në “tampon zonat” në jo më shumë se niveli i brigadave dhe të shkurtonte radiusin e raketave “në zonat nga të cilat janë në gjendje të godasin caqe në territorin e vendeve të tjera”.
Duke i komentuar sugjerimet e Rusisë, e cila thotë se “është e gatshme që në çdo moment” të fillojë negociatat lidhur me propozimet, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha më 17 dhjetor se SHBA-ja i ka parë kushtet, por “nuk do të bisedojë” rreth sigurisë në Evropë pa aleatët.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po ashtu duke komentuar propozimet, shkurt para se t’i publikonte Rusia, tha se “çfarëdo dialogu me Moskën do të duhej të adresonte edhe shqetësimet e NATO-s rreth veprimeve të Rusisë, do të duhej të bazohej në parimet themelore dhe dokumentet e sigurisë evropiane dhe do të duhej të ndodhte në bashkëpunim mes partnerëve evropianë të NATO-s, sikurse Ukraina”.
Stoltenberg shtoi se NATO-ja “bëri të qartë që nëse Rusia do të ndërmerrte hapa konkretë për t'i ulur tensionet, ne jemi të gatshëm të punojmë në fuqizimin e masave të besueshme”.
Këto përplasje ndodhin derisa zyrtarët e Inteligjencës amerikane dhe asaj ukrainase pohojnë se dhjetëra mijëra ushtarë rusë janë duke u grumbulluar afër kufirit me Ukrainën në atë që shihet si parahyrje për invadim, gjë të cilën Moska e mohon.
Edhe liderët evropianë tashmë e paralajmëruan Rusinë për “pasoja të jashtëzakonshme” në rast të ndonjë agresioni ushtarak ndaj Ukrainës, gadishullin e së cilës, Krimenë, Rusia e aneksoi në vitin 2014.
Në anën tjetër, Rusia kërkon dialog direkt me SHBA-në për të zgjidhur kontestin dhe garanci të shkruara që Ukraina kurrë nuk do të anëtarësohet në NATO.
Gjatë një konference për media më 17 dhjetor, zëvendës-ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov po ashtu ngriti shqetësime rreth mundësisë së grumbullimit të ushtarëve në Evropë, duke shtuar se Rusia do të mund të detyrohet të vendosë raketa bërthamore me rreze të mesme veprimi në Evropë për shkak të “indikacioneve indirekte” që NATO-ja po planifikon ta bëjë të njëjtën.
NATO-ja njoftoi se nuk ka plane të këtilla dhe do t'i pengojë raketat ruse me armë konvencionale.
Ryabkovi i përshkroi përgjigjet e Uashingtonit dhe të NATO-s ndaj propozimeve ruse për siguri, si dekurajuese dhe shtoi më 17 dhjetor që ai nuk i konsideron të papranueshme për 30 shtetet anëtare të NATO-s.
Duke i bërë thirrje Uashingtonit që ta marrë seriozisht këtë propozim, Ryabkov tha se shpreson që SHBA-ja do të hyjë në negociata. Sipas tij, çështja është “shumë e rëndësishme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.
Këto dokumente Rusia i dorëzoi gjatë një takimi me zyrtarë nga Departamenti amerikan i Shtetit më 15 dhjetor. Në këtë takim, asistentja e sekretarit amerikan për Byronë e çështjeve evropiane dhe euro-aziatike, Karen Donfried, diskutoi në lidhje me shqetësimet amerikane për grumbullimin masiv të ushtarëve rusë në kufirin me Ukrainën.
Në draft-propozimin e vet, Rusia ftoi NATO-n që “t’i pranojë obligimet, të cilat përjashtojnë zgjerimin e mëtutjeshëm të NATO-s, përfshirë anëtarësimin e Ukrainës, por edhe të shteteve të tjera”.
Derisa Gjeorgjia nuk përmendet specifikisht në dokument, Ryabkovi sqaroi më 17 dhjetor që Moska e ka në mendje edhe shtetin e Kaukazit Jugor.
“Kërkojmë tërheqjen e vendimit nga Samiti i NATO-s nga viti 2008 në Bukuresht, në të cilin ishte thënë që Ukraina dhe Gjeorgjia do të bëheshin shtete anëtare të NATO-s”, shtoi Ryabkov.
“Ky vendim duhet të anulohet, të rishqyrtohet”, theksoi Ryabkov në lidhje me mbledhjen e jashtëzakonshme të NATO-s në të cilën ishte thënë se Aleanca do t'i mbajë dyert e hapura për secilën demokraci evropiane, e cila do të mund të përmbushte obligimet për anëtarësim.
Përgjatë takimit, NATO-ja qartësoi që e përkrah mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Planin e Aksionit për Anëtarësim (MAP) dhe e përshkroi atë si “hap të radhës për dy shtetet në rrugën e tyre për anëtarësim direkt”.
Derisa më 2008-n u bë thirrje për zgjerim të MAP-it brenda dy vjetëve të ardhshme - as Ukraina e as Gjeorgjia nuk i pranuan ftesat.
Propozimi i publikuar nga Rusia, po ashtu, sugjeronte që Këshilli NATO-Rusi, do të shfrytëzohet për zgjidhjen e kontesteve dhe një linjë urgjente do të themelohej për ballafaqim me emergjenca.
Këshilli NATO-Rusi u themelua në vitin 2002 për të lehtësuar bashkëpunimin ndërmjet Aleancës dhe Moskës, por puna e tij u pezullua në prill të vitit 2014 pas intervenimit ushtarak rus në Ukrainë, përfshirë aneksimin e gadishullit të Krimesë dhe përkrahjes për separatistët që luftonin kundër forcave të Kievit në pjesën lindore të Ukrainës.
Pavarësisht pezullimit, NATO-ja i mbajti të hapura kanalet e komunikimit dhe që nga viti 2016 u mbajtën shtatë takime të këshillit.