Gjatë vizitës në Gjeorgji, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ky vend do t'i bashkohet NATO-s, pavarësisht kundërshtimeve të fuqishme të Krmelinit.
Stoltenberg takoi në Tbilisi zyrtarët gjeorgjianë dhe ndoqi një stërvitje ushtarake midis NATO-s dhe Gjeorgjisë.
Duke folur përkrah kryeministrit gjeorgjian, Mamuka Bakhtadze, ai tha se 29 vendet anëtare të NATO-s "kanë deklaruar qartë se Gjeorgjia do të bëhet anëtare e NATO-s".
"Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta përgatitur anëtarësinë e Gjeorgjisë. Nuk pranojmë që Rusia ose ndonjë fuqi tjetër të vendosë", tha Stoltenberg.
Bakhtadze, në anën tjetër, tha se "anëtarësimi në NATO është zgjedhje e popullit gjeorgjian".
Në samitin e vitit 2008 në Bukuresht, NATO është pajtuar që Gjeorgjia të bëhet anëtare, por nuk ka caktuar ndonjë datë.
Në gusht të 2008-ës, Gjeorgjia dhe Rusia kanë bërë një luftë të shkurtër.
Pas luftimeve, Rusia ka lënë mijëra trupa në rajonet e shkëputura të Gjeorgjisë - Abkhazi dhe Oseti të Jugut - dhe i ka njohur ato si shtete të pavarura.