Ndërlidhjet

Raportet e paqëndrueshme midis Rusisë dhe NATO-s


Stërvitjet ushtarake të NATO-s në Estoni më 18 qershor 2020. Fotografi ilustruese.
Stërvitjet ushtarake të NATO-s në Estoni më 18 qershor 2020. Fotografi ilustruese.

Associated Press

Grumbullimi i ushtrisë ruse pranë Ukrainës ka rritur frikën në Kiev dhe Perëndim se Moska mund të ketë plane për pushtimin e Ukrainës.

Tensionet mbi Ukrainën shënojnë një përkeqësim të ri të raporteve ndërmjet Rusisë dhe Aleancës Veri-Atlantike (NATO), që më herët ishin aq të mira, saqë presidenti rus, Vladimir Putin kishte përmendur edhe mundësinë e bashkimit të vendit të tij në aleancën ushtarake.

Më poshtë mund të mësoni më shumë për raportet Rusi-NATO:

Lufta e Ftohtë dhe kolapsimi i komunizmit

Për dekada me radhë gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e Traktatit të Varshavës në Evropën Qendrore dhe Lindore kishin raporte të tensionuara me NATO-n.

Tensionet u ulën në vitet 1980 kur lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev vendosi të reformonte Bashkimin Sovjetik dhe shtyu përpara reformat demokratike në shtetet e bllokut lindor. Gorbachev nuk tentoi që të parandalonte rënien e regjimeve komuniste në mesin e aleatëve. Ai po ashtu u pajtua shpejt për bashkimin e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore pas rënies së Murit të Berlinit më 1989.

Gjatë bisedimeve për bashkimin e Gjermanisë, Gorbachev mori premtime nga Perëndimi se NATO-ja nuk do të zgjerohen nga lindja, por ai kurrë nuk i dokumentoi këto zotime verbale.

I zënë me krizat politike dhe ekonomike që pasuan pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, presidenti i atëhershëm rus, Boris Yeltsin i kushtoi pak vëmendje anëtarësimit në NATO të Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke më 1999.

Në të njëjtin vit, fushata ajrore e NATO-s ndaj Serbisë së sotme– një aleate e Rusisë –, që i dha fund luftës në Kosovë, shënoi përçarjen e parë të madhe midis Moskës dhe NATO-s që prej rënies së Bashkimit Sovjetik.

Ardhja në pushtet e Putinit

Pasi Putini mori pushtetin më 2000, ai lëvizi shpejt që të përmirësojë raportet me Perëndimin, madje duke bërë deklarata për anëtarësimin e mundshëm të Rusisë në NATO.

Lord George Robertson, që ishte Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në periudhën 1999-2004, së fundmi ka rikujtuar se si Putini e kishte pyetur atë nëse Aleanca do ta ftonte Rusinë dhe se si ai ishte ofenduar kur Robertsoni i ishte përgjigjur se Moska do të duhej të aplikonte për anëtarësim, si çdo shtet tjetër kandidat.

Putini më vonë kishte thënë se NATO nuk kishte vullnet që Rusia t’i bashkohej, sepse sipas tij, Perëndimi kishte frikë nga fuqia e Moskës dhe nga qëndrimi i pavarur.

Por, përderisa eksploronte idenë e anëtarësimit të mundshëm në NATO, Putini kishte lëvizur drejt krijimit të raporteve më të ngushta politike dhe të sigurisë me Uashingtonin dhe aleatët e tij.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Putini ishte lideri i parë i huaj që e telefonoi presidentin e atëhershëm amerikan, George W.Bush për t’i ofruar ndihmë. Ai po ashtu mirëpriti dërgimin e forcave ushtarake amerikane në bazat e vendosura në ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore, teksa SHBA-ja nisi luftën në Afganistan. Një tjetër gjest i vullnetit të mirë ishte kur Putini mbylli bazat e epokës sovjetike në Kubë dhe Vietnam.

Edhe pse anëtarësimi i Moskës në NATO nuk u materializua kurrë, Rusia dhe Aleanca Veri-Atlantike më 2002 u pajtuan që të krijojnë një këshill për të koordinuar politikat dhe për të bashkëpunuar në luftën kundër terrorizimit dhe çështje të tjera.

Përkeqësimi i sërishëm i raporteve

Raportet Rusi-NATO filluan të përkeqësohen më 2002, pasi Uashingtoni u tërhoq nga një traktat i kohës së Luftës së Ftohtë, përmes së cilit ndalohej mbrojtja kundër raketave balistike. Këtë lëvizje Moska e pa si një kërcënim potencial për frenimin e ambicieve të saja bërthamore.

Lufta e SHBA-së në Irak më 2003 po ashtu u kritikua ashpër ndaj Moska, që çoi në përkeqësimin e mëtejmë të raporteve. Moska u zemërua edhe më shumë kur më 2004, Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe ish-republikat sovjetike, Estonia, Lituania dhe Letonia iu bashkuan NATO-s.

Tensionet ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë u rritën edhe më tej më 2004 pas protestave në Ukrainë që çuan në anulimin e fitores në zgjedhjet presidenciale të një kandidati të mbështetur nga Kremlini. Moska i pa ato protesta dhe rrëzimin pak kohë më herët të liderit në Gjeorgji, si ndërhyrje të frymëzuar nga Perëndimi, në shtetet shumë pranë Rusisë.

Gjatë një fjalimi në konferencën e sigurisë në Mynih të Gjermanisë më 2007, Putini kritikoi ashpër lëvizjet e SHBA-së në mbarë botën, duke thënë se Uashingtoni “ka kapërcyer kufijtë e tij kombëtarë në çdo mënyrë” dhe e quajti zgjerimin e NATO-s drejt lindjes “një provokim serioz”.

Lufta Rusi-Gjeorgji

Rusia u ankua kur NATO-ja premtoi anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, gjatë një samiti të mbajtur në Bukuresht të Rumanisë në prill të vitit 2008. Moska e pa këtë si një goditje ndaj interesave të saj jetike të sigurisë.

Katër muaj më vonë, Rusia e shpartalloi Gjeorgjinë gjatë një lufte pesëditore që shpërtheu kur shteti i Kaukazit Jugor përdorin forcën teksa tentoi të rimarrë kontrollin mbi provincën e Osetisë Jugore, provincë separatiste e mbështetur nga Moska.

Rusia menjëherë njohu Osetinë Jugore dhe provincën tjetër separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazinë, si shtete të pavarura dhe forcoi terrenin e saj ushtarak në atë pjesë.

Konflikti në Ukrainë: Masa dhe kundërmasa

Më 2014, presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych, një politikan i afërt me Moskën, u rrëzua nga pushteti përmes protestave masive që shpërthyen pasi ai vendosi që të heqë dorë nga një marrëveshje me Bashkimin Evropian në favor të raporteve më të ngushta me Moskën.

Rusia u përgjigj duke aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe duke mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës, në zonën që njihet si Donbas. Konflikti ndërmjet separatistëve dhe forcave qeveritare të Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e tetë. Nga ky konflikt janë vrarë mbi 14,000 persona dhe përpjekjet për zgjidhje diplomatike të tij kanë dështuar. Moska mohon çdo përfshirje në konflikt, duke thënë se rusët që u janë bashkuar separatistëve, e kanë bërë këtë në mënyrë vullnetare.

SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë vendosur sanksione ndaj Moskës dhe NATO-ja ka pezulluar çdo bashkëpunim praktik me Rusinë, duke vendosur forcat e saj afër Rusisë. Kremlini ka thënë se vendosja e forcave të NATO-s dhe stërvitjet ushtarake pranë kufijve të tij paraqesin kërcënim për sigurinë.

Në muajin tetor, Rusia pezulloi misionin e saj në NATO dhe urdhëroi mbylljen e zyrës së Aleancës në Moskë, pasi NATO tërhoqi akreditimin e tetë zyrtarëve rusë në selinë në Bruksel, për shkak të pretendimeve se zyrtarët kishin lidhje me inteligjencën ruse.

Tensionet janë rritur edhe më tej gjatë muajit të fundit pas grumbullimit të ushtrisë ruse pranë kufirit me Ukrainën. Putini mohon se ka plane për ta sulmuar Ukrainën, por ka kërkuar zotimin e Perëndimit se NATO nuk do ta pranojë Ukrainën në Aleancë dhe nuk do të dërgojë forca atje – kërkesa këto që Rusia i ka përshkruar si “vija të kuqe”.

Gjatë një takimi virtual javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden e paralajmëroi Putinin për “pasoja të rënda” nëse Rusia e pushton Ukrainën, por premtoi se do të zhvillojë konsultime për të adresuar shqetësimet ruse.

Hapat e ardhshëm për NATO-n dhe Rusinë

Besueshmëria e NATO-s varet nga garancitë e saj të përbashkëta të mbrojtjes, që njihen si Neni 5, sipas të cilit, një sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve të NATO-s. Besueshmëria e saj po ashtu varet edhe nga angazhimi për të ofruar anëtarësim për çdo vend evropian që mund të kontribuojë në sigurinë në Evropë dhe Amerikë të Veriut. Por, si Ukraina ashtu edhe Gjeorgjia kanë konflikte të pazgjidhura brenda territoreve të tyre dhe anëtarësimi i tyre në Aleancë do të obligonte të 30 shtetet anëtare t’i mbronin ushtarakisht këto dy shtete.

Rusia dëshiron që Perëndimi të bëjë zotime ligjore se nuk do të dërgojë forca dhe armë në Ukrainë, dhe javën e kaluar Ministria e Jashtme ruse kërkoi që NATO të heqë dorë nga premtimi i dhënë më 2008 për anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

SHBA-ja dhe aleatët e tjerë në NATO kanë hedhur poshtë kërkesat e Rusisë.

“Raportet e NATO-s me Ukrainën do të vendosen nga 30 shtetet anëtare të NATO-s dhe Ukraina, dhe nga askush tjetër”, deklaroi javën e kaluar Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

Putini kundërshtoi këtë qëndrim të NATO-s duke thënë se përderisa Ukraina është e lirë që të vendosë për marrëveshjet e saj të sigurisë, ato nuk duhet ta kërcënojnë Rusinë.

“Sigurisht, çdo vend ka të drejtë të zgjedhë për mënyrën më të pranueshme për të garantuar sigurinë e tij, por kjo duhet të bëhet në atë mënyrë që të mos cenojë interesat dhe të minojë sigurinë e shteteve të tjera, në këtë rast të Rusisë”, tha Putin.

“Siguria duhet të jetë globale dhe të mbulojë të gjithë njësojë”, shtoi presidenti rus.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG