Ndërlidhjet

Shkupi dhe Sofja në kërkim të një shansi të ri për marrëveshje


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Sofja ka kërkuar nga Shkupi garanci të qarta se do të respektojë të drejtat e bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë të arritur më 2017, para se dy shtetet të bëjnë hapa drejt kapërcimit të dallimeve, që kanë bllokuar procesin e integrimit evropian të Shkupit.

Kështu deklaroi në Bruksel, ministri i Jashtëm bullgar, Svetlan Stoev. Deklarata të ngjashme bëri edhe presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, i cili tha se thelbi i bisedimeve duhet të vendoset te të drejtat e bullgarëve, respektimi i kulturës dhe trashëgimisë bullare dhe çrrënjosja e gjuhës së urrejtjes.

Më 30 nëntor, Radev gjatë një bisede telefonike me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev tha se “dialogu i nivelit të lartë është kyç për ndërtimin e besimit dhe tejkalimin e çështjeve të diskutueshme në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Nga kjo bisedë nuk janë bërë të ditur detaje të tjera, por drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut janë shprehur optimist se deri më 14 dhjetor do të mund të arrihet një marrëveshje për heqjen e bllokadës që Bullgaria ka vendosur për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

Në nëntor të vitit 2020, Bullgaria kishte vendosur veto për nisjen e bisedimeve midis Shkupit dhe Brukselit, duke thënë se bllokada do të mbetej në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për identitetin dhe gjuhën maqedonase, por edhe lidhur me mosmarrëveshjet rreth të kaluarës historike mes dy shteteve.

“Ne presim që të kemi një takim mes ekspertëve të dy ministrive të Jashtme me qëllim të afrimit të qëndrimeve për dallimet dhe të arrihet një marrëveshje dhe më pas të kyçet Bashkimi Evropian me propozime për zgjidhjen e kontestin. Sikur të ketë dëshirë, sikur të kuptohet rëndësia e momentit, 14 ditë janë më se të mjaftueshme për të arritur marrëveshje mbi bazën e asaj që kemi punuar deri më tani”, tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, teksa komentoi mbi pritjet që ka nga samiti i radhës së BE-së, që është paraparë të mbahet në mesin e muajit dhjetor.

Samiti i BE-së do të mbahet në kohën kur të dyja shtetet përballen me mungesë të stabilitetit politik. Edhe pas tri palë zgjedhjesh, Bullgaria ende nuk ka formuar qeverinë e re, pasi ciklet zgjedhore nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë. Qeveria e re pritet të formohet nga të paktën katër parti politike.

Bazuar në qëndrimet e Partisë Socialiste të Bullgarisë, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut duket e paarritshme. Kjo parti, me 26 deputetë, konsiderohet kyçe për formimin e Qeverisë së re. Partia kryesore, “Ne vazhdojmë ndryshimin” ka 67 deputetë, por për formimin e Qeverisë, përveç partisë “Ka një popull të tillë”, me 25 deputetë dhe “Bullgarisë Demokratike”, me 16 deputetë, i nevojiten edhe votat e socialistëve për të arritur shumicën e nevojshme prej mbi 120 deputetë nga Parlamenti që numëron 240 ulëse deputetësh.

"Derisa unë jam për negocimin e Qeverisë së re, Maqedonia e Veriut nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian nëse fshin historinë e Bullgarisë”, deklaroi për mediat në Sofje, Kornelia Ninova nga Partia Socialiste bullgare.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut pas zgjedhjeve lokale, më 31 tetor, që u fituan nga opozita maqedonase përballet me krizë parlamentare, ndërsa pas sigurimit të shumicës edhe me një parti politike, pritet të zgjidhet Qeveria e re. Atë nuk do ta drejtojë Zoran Zaevi, i cili ka shtyrë dorëheqjen nga ekzekutivi me qëllim që të konsolidojë shumicën në Kuvend, pasi në të kundërtën, Maqedonia e Veriut do të shkonte në zgjedhje të reja.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, tha se Qeveria nuk ka legjitimitet të bisedojë me Sofjen, duke lënë të kuptohet se për partinë e tij, VMRO-DPMNE-në, çdo marrëveshje që do të arrihej me Sofjen do të ishte e papranueshme.

Para vendosjes së vetos, Parlamenti bullgar, kishte miratuar një rezolutë për vijat kuqe, e cila, sipas Mickovskit, “mohon identitetin maqedonas, veçoritë kulturore maqedonase, trashëgiminë, historinë dhe luftën e popullit maqedonas për pavarësi”.

“Një marrëveshje eventuale nuk do të kishte asnjë vlerë, do të zhbëhej pasi shumica e popullit maqedonas nuk do të pranonte diçka të tillë, sikur që nuk do ta pranoja as unë”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Pala bullgare disa herë ka bërë të ditur se nuk e konteston identitetin dhe gjuhën maqedonase, por kërkon që zyrtarët e Maqedonisë së Veriut të pranojnë se bëhet fjalë për gjuhë dhe identitet të ri, të krijuar pas vitit 1945, dhe se para kësaj periudhe ato kanë pasur prejardhje bullgare.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG