Ndërlidhjet

Takim i ri i nismës "Ballkani i hapur" pa Zaevin


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal. Shkup, 29 korrik, 2021.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal. Shkup, 29 korrik, 2021.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, takohen të mërkurën mbrëma me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

Darka e punës i paraprin takimit të nismës rajonale “Ballkani i hapur”, që do të mbahet të enjten.

Rama u prit në Aeroportin “Nikolla Teslla” në Beograd nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nuk do të shkojë atje, ashtu siç ishte planifikuar më parë, sepse, ndërkohë, ka paralajmëruar dorëheqjen, për shkak të rezultatit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet lokale të 31 tetorit.

Çfarë është “Ballkani i hapur”?

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tre vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri: “Ballkani i hapur”.

Çfarë është arritur deri më tani?

• Është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

• Është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore.

• Janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

• Është rënë dakord që kontrollet kufitare ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen nga 1 janari i vitit 2023.

• Është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku - pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Agjenda e takimit në Beograd

Takimit Rama-Vuçiq-Dimitrov do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Takimit do t’i bashkohen edhe përfaqësues të organizatës joqeveritare Këshilli Atlantik.

Sipas agjencisë së lajmeve MIA, në Shkup është njoftuar se përfaqësuesit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të diskutojnë për lehtësimin e tregtisë, ndërsa do të mbahet edhe një diskutim me temën: “Transformimi digjital si bazë për informimin rajonal”.

Është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp e të tre zyrtarëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG