Ndërlidhjet

Rama thotë se tani është edhe më i bindur për Ballkanin e Hapur


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë arritjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Prishtinë më 27 shtator 2021.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë arritjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Prishtinë më 27 shtator 2021.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sërish të hënën për rëndësinë që sipas tij do të ketë nisma Ballkani i Hapur (Open Balkan).

Në një vizitë në Kosovë, Rama takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili është shprehur kundër kësaj nisme.

Iniciativa Ballkani i Hapur, i njohur më parë si Mini-Shengeni Ballkanik është krijuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ata besojnë se kjo iniciativë ofron mundësi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se pas zhvillimeve të fundit, përkatësisht tensioneve në kufijtë Kosovë-Serbi, ka marrë mesazhe nga Kosova që e kundërshton Ballkanin e Hapur.

“Thelbi (i mesazheve) ishte ‘po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë?’ Tani jam edhe më i bindur se Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët”, tha Rama.

Rama po ashtu tha se vazhdojnë të kenë mospajtim me Kurtin lidhur me çështjen e Ballkanit të Hapur.

Megjithatë ai tha se mospajtimi i tyre është i natyrës politike dhe nuk ka të bëjë me aspekte të tjera të marrëdhënies së dy homologëve.

“Nacionalizmi do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq dhe patriotizmi do të thotë të duash ta shohësh veten mirë”, tha Rama.

Në konferencën e përbashkët me Kurtin, Rama e ka dënuar sjelljen e Serbisë karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me targat.

Këtë koment ai e ka bërë pas raportimeve se ditëve të fundit aeroplanë ushtarakë të Serbisë kanë fluturuar afër pikë kalimeve. Mediat në Serbi kanë raportuar për lëvizje të ushtarëve dhe mjeteve tjera ushtarake në drejtim të kufirit me Kosovën.

Rama dhe Kurti ndërkohë kanë paralajmëruar se një mbledhje e përbashkët e dy qeverive pritet të mbahet në pjesën e dytë të muajit nëntor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG