Ndërlidhjet

Si mund t’i përgjigjet Kosova rritjes së çmimeve?


Tregu mobil në Prishtinë
Tregu mobil në Prishtinë

Për të zbutur situatën e krijuar në Kosovë pas rritjes së çmimeve të produkteve elementare, Qeveria e Kosovës duhet të nisë me subvencionimin e prodhuesve apo të ndërhyjë në planin e politikave sociale. Kështu mendojnë profesori i Ekonomisë, Berim Ramosaj, dhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Po ashtu, sipas tyre, edhe ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është një mundësi tjetër që mund të përdoret në këtë rast, por e cila pastaj do të ulte të hyrat për buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit për vitin 2021 është projektuar të jetë 2.4 miliardë euro.

Në Kosovë, çmimet e artikujve të konsumit në muajin shtator janë shtrenjtuar deri në pesë për qind dhe ky shtrenjtim ka vazhduar edhe gjatë muajit tetor.

Çmimet më të larta deri në 30 për qind vërehen te vajrat dhe yndyrnat ushqimore, ndërkaq për 20 për qind te pemët dhe perimet.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ditëve në vijim do të dalë me një pako masash, e cila do t’i ndihmojë qytetarët për të kaluar më lehtë rritjen e çmimeve të produkteve esenciale.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë se ka disa forma që mund të zbutet kjo situatë, porse kjo varet nga kapacitetet që ka qeveria.

“Shteti nuk mund të bëjë ndërhyrje direkte në përcaktimin e çmimeve, porse mund të marrë masa tjera ekonomike. Qeveria mund të subvencionojë veprimtari të caktuara që prodhojnë produktet bazike apo të përdorë ndonjë program social, që nënkupton t'i mbështesë ato kategori që janë afektuar më shumë nga rritja e çmimeve”, thotë Ramosaj.

Ai thotë se qeveria duhet të bëjë zgjidhje se si do të dalë nga kjo situatë.

Çmimet vënë në siklet qytetarët
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Shatri: Zbritje e TVSH-së

Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se mundësitë e qeverisë për ta zbutur situatën e krijuar nga rritja e çmimeve janë shumë të vogla. Qeveria, shton ai, nuk mund të diktojë uljen apo rritjen e çmimeve, por mund të ndikojë të mos ketë rritje të shërbimeve komunale.

“Një mundësi e vogël është që shteti të zbresë akcizën në derivate. Megjithatë, çdo prekje e sistemit të të hyrave rrezikon realizimin e buxhetit për vitin fiskal. Nëse ka kapacitete mund të subvencionojë disa produkte ose të zbritet TVSH-ja edhe më shumë, edhe pse është e përshkallëzuar për artikujt e domosdoshëm”, thotë Shatri.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime. Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar përcakton dy norma të TVSH-së; normën standarde 18 për qind, si dhe normën e reduktuar të TVSH-së 8 për qind.

E vetmja mundësi për përmirësim të situatës sociale, shton Shatri, është zhvillimi ekonomik në një normë të rritjes mbi 7 për qind. Në Kosovë rritja ekonomike për vite ka shkuar deri në 4 për qind.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën ka thënë se numri i madh i produkteve të importuara është një mesazh për riorientim të ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit.

“Në përputhje me programin qeverisës, po angazhohen për nxitje të investimeve në kapacitete të reja prodhuese dhe eksportuese”, ka thënë Kurti.

Vetëm në muajin shtator, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej mbi 420 milionë euro, derisa ka eksportuar mallra në vlerë rreth 70 milionë euro.

Mbi 36 milionë euro ndihmë sociale dhe pensionale


Të mërkurën, në kuadër të Pakos së rimëkëmbjes ekonomike, Qeveria e Kosovës ka bërë ndarjen e mjeteve financiare pёr mbështetjen e përfituesve nga skemat sociale dhe pensionale.

Me anë të këtij vendimi, përfituesit e skemave pensionale në muajin nëntor do tё përfitojnë nga 100 euro shtesë mbi pensionin e rregullt dhe shtesën aktuale.

Ndërkaq, përfituesit e skemave sociale në muajt nëntor dhe dhjetor do të prfitojnё dyfishin e pagesës sё rregullt dhe shtesës aktuale.

Vlera për përfituesit e skemave sociale dhe pensionale arrin shumën e mbi 36 milionë eurove.

Nga kjo shumë do të përfitojnë mbi 300 mijë familje, që sipas ministrit të Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të mund të zbusin vështirësitë ekonomike që kanë ato familje me rritjen e çmimeve.

Burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare, jenë rrogat nga sektori publik dhe ai privat, pastaj pensionet, të hyrat nga biznesi vetanak, si dhe paratë e dërguara nga jashtë, përkatësisht remitencat.

Kosova është një nga vendet më të varfra në rajon. Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017. Këto të dhëna tregojnë se mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG