Fotografi të qendrave kulturore, teatrove, kështjellave e objekte të tjera kulturore, që u përdorën për tortura e vrasje gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, u ekspozuan të shtunën në Prishtinë.
Ekspozita me 20 fotografi të Hrvoje Polan, është hapur brenda Galerisë së Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të Festivalit “Mirëdita, Dobar dan” që po mbahet në Kosovë.
Fotografi Polan vdiq në vitin 2019, ndërsa organizatorët e Festivalit thanë se ekspozita shërben edhe si homazh ndaj të ndjerit.
Teatri i Qytetit të Drenasit, i fotografuar në vitet e fundit nga Polan, në vitin 1999 ishte përdorur për torturimin e dhjetëra shqiptarëve dhe vrasjen e së paku njërit prej tyre.
Këto tortura ishin vazhdimësi e një ofensive të forcave serbe në qytetin e Skenderajt, afër me Drenasin.
Një pjesë e Shkollës së Muzikës në Zenicë të Bosnje dhe Hercegovinës, ishte përdorur si qendër për mbajtjen e të burgosurve kroatë dhe serbë. Të burgosurit u torturuan dhe u rrahën.
Shumica e objekteve kulturore të fotografuara për këtë ekspozitë gjenden kryesisht në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Fotografitë u përfshinë edhe në librin “Vrasja e Kulturës” në të cilën Hrvoje Polan është bashkautor me Viktor Ivançiq dhe Nemanja Stjepançoviq.
Një qendër kulture në Bosnje dhe Hercegovinë ishte shndërruar në një kamp përqendrimi, ku sipas të dhënave dhjetëra mijëra persona ndër vite janë burgosur dhe torturuar.
Ky kamp ka shërbyer kryesisht për mbajtjen dhe torturimin e kroatëve dhe boshnjakëve nga serbët e Bosnje-Hercegovinës.
Mesazhi në ekspozitë synon të vë në pah faktin se në asnjërin prej monumenteve kulturore ku kanë ndodhur tortura, nuk është vendosur ndonjë memorial apo nuk është bërë asgjë për t’i kujtuar këto ngjarje.
Kultura dhe roli i saj gjatë luftërave të viteve 90
Asnjë nga autorët e librit “Vrasja e Kulturës” nuk ishin prezentë në promovimin e tij në Prishtinë.
Vera Rujiq nga Forumi ZDF, që ishte donator dhe ideator për konceptin e librit dhe ekspozitës, tha autorët kanë hasur në rezistencë nga institucionet gjatë mbledhjes së informacioneve për librin.
"Ka pasur shumë propagandë, janë munduar të shtrembërojnë faktet. Krimet janë kryer dhe duhet të tregohen", tha ajo.
Megjithatë, profesionistë të fushës diskutuan lidhur me ndikimin e politikave nacionaliste në zhvillimin e kulturës në Ballkan.
Në një debat rreth temës se “A mund të vritet kultura?”, folën antropologë, dramaturgë, avokatë e artistë.
“Politikat e shkatërrimit të rendeve të caktuara kulturore kanë qenë vazhdimisht, dhe në kontekste të luftës janë më të dukshme pasi janë strategji dhe armë e luftës”, tha Nita Luci, Profesoreshë e Antropologjisë në Prishtinë.
Sipas autorëve të librit “Vrasja e Kulturës”, objektet kulturore ishin përdorur shpesh si kampe të torturës për shkak të infrastrukturës së përshtatshme.
Megjithatë, shembuj të torturave të përshkruara nga dëshmitarë të ndryshëm, që dokumentohen në këtë libër, përfshijnë edhe elemente kulturore, përkatësisht tortura që përfshijnë muzikën dhe performimin.
Festivali “Mirëdita, Dobar dan” u mbajt për herë të parë me kapacitet të plotë në Prishtinë këtë vit.
Ai organizohet nga OJQ Integra, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Forumi ZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur.
Në kuadër të Festivalit që zgjati nga 14 deri 16 tetor, u organizuan debate, promovime librash, koncerte e të tjera.
Festivali mbahet qysh në vitin 2014, një herë në vit.
Qëllimi i Festivalit është që takimet e komuniteteve kulturore të Kosovës dhe Serbisë të iniciojnë ndryshime dhe të krijojnë një traditë bashkëpunimi, e cila do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Në vitet e mëparshme, ky Festival në Beograd është shoqëruar me incidente që kanë shkaktuar grupet e krahut të djathtë.