Më 17 tetor 2021, qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.
Këto zgjedhje, sipas njohësve të politikës do të jenë një sfidë krejtësisht tjetër prej asaj që u pa në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti.
Zgjedhjet në shifra
Nr. i votuesve: 1,885,448
Votuesit e rinj: 41,012
Votuesit nga jashtë: 15,532
Të larguarit nga lista: 18,252
Qendrat e votimit: 883
Vendvotimet: 2,477
Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave e që ia mundësoi formimin e qeverisë pa pasur nevojë për koalicione me partitë shqiptare.
Por, a ka gjasa që të përsëritet mbështetja e njëjtë ndaj partisë së Albin Kurtit?
Njohësit e politikës në Kosovë mendojnë se jo. Ata e arsyetojnë këtë mendim me faktin se në zgjedhje lokale më shumë ka ndikim kandidati që garon për kryetar të komunës sesa çdo premtim e mbështetje që mund të vijë nga qendra.
Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus (D+) thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo krahasim i rezultateve të zgjedhjeve lokale me ato nacionale është i paqëndrueshëm, meqë historikisht në Kosovë rezultatet e këtyre zgjedhjeve kanë dalluar.
“Tradicionalisht kanë qenë rezultate të ndryshme. Garohet për nivele të ndryshme të qeverisjes, janë aktorë të ndryshëm zgjedhorë të cilët e kërkojnë mbështetjen e qytetarëve dhe në këtë mënyrë nuk mund të dalim me konkludime të qarta që të projektojmë forcën reale të subjekteve politike”, thotë Krasniqi.
Kush, sa komuna i fitoi më 2017?
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 më së shumti komuna kishte fituar subjekti politik Lista Serbe, gjithsej dhjetë: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Gracaniça, Kllokot, Novobërdë, Partesh dhe Shtrëpcë.
Lista Serbe u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me tetë komuna të fituara: Fushë Kosovë, Gjilan, Istog, Lipjan, Pejë, Viti, Vushtrri dhe Podujevë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi shtatë komuna: Deçan, Gjakovë, Junik, Klinë, Obliqi, Rahovec, dhe Suharekë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Partia Demokratike e Kosovës mori udhëheqjen e pesë komunave: Dragash, Gllogoc, Ferizaj, Kaçanik dhe Shtime.
Ndërkaq, tri komuna i fitoi Lëvizja Vetëvendosje: Prishtinën, Prizrenin dhe Kamenicën. Por, më vonë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i Kamenicës, Qëndron Kastrati u larguan nga partia e Albin Kurtit.
Një komunë e kishte fituar Nisma Socialdemokrate, përkatësisht Malishevën dhe një Partia Demokratike Turke, përkatësisht Mamushën.
Hanin e Elezit e fitoi kandidati i pavarur, Refki Suma, ndërkaq Skenderajin, kandidati i pavarur, Bekim Jashari.
Për Lëvizjen Vetëvendosje ndryshuan gjërat, pasi në muajin shkurt të vitit 2020, kryetari i Komunës së Podujevës nga LDK-ja, Agim Veliu dha dorëheqje për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme. Në zgjedhjet jashtëzakonshme që u zhvilluan në Podujevë, LDK-ja e humbi këtë komunë pas shumë vitesh dhe aty fitoi Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.
Të vetmen komunë që e kishte Aleanca Kosova e Re, atë të Mitrovicës Jugore, e humbi pasi kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje, nën logon e së cilës parti garon sërish më 17 tetor 2021.
Ndikimi i udhëheqjes së re në LDK dhe PDK
Imer Mushkolaj, njohës zhvillimeve politike në Kosovë thotë se viteve të fundit ka ndryshuar perceptimi qytetar sa i takon zgjedhjeve lokale.
Ai thotë se qytetarët çdo ditë e më shumë po shohin se çfarë u ofrojnë atyre kandidati për kryetar të komunës sesa premtimet që vijnë qoftë nga udhëheqësit e qeverisë apo kryetarët e partive politike.
“Është një avancim në raport me atë sesi njerëzit e një komune e shohin lidershipin lokal dhe votojnë pikërisht për atë që e premton ose mund ta realizojë lideri lokal e jo për premtimet që mund t’i japë lideri nacional apo kryetari i partisë”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, Mushkolaj nuk e përjashton mundësinë që të ketë efekt negativ në rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërrimi i udhëheqjes të të dyja partive më të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Këto dy subjekte politike së fundi zgjodhën kryetarët e rinj, LDK-ja Lumir Abdixhikun ndërsa PDK-ja Memli Krasniqin.
Albert Krasniqi nga Demokraci Plus thotë se zgjedhjet lokale do të jenë një test i mirë për LDK-në dhe PDK-në në mënyrë që të shohin sesa produktive kanë ndryshimet në parti.
“Kjo mund të jetë një matës i asaj sesa këto ndryshime do të përkrahen nga qytetarët”, thotë Krasniqi.
“Jo domosdoshmërish përkrahja për një kandidat në një komunë mund të përkthehet edhe si përkrahje për liderin politik të asaj partie politike”, thotë Krasniqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) ka thënë se është duke bërë përgatitjet e fundit për zgjedhjet lokale.
Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejt vote brenda vendit është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
KQZ-ja ka njoftuar se tashmë ka shtypur rreth 1 milion e 700 mijë fletë të votimit për kryetarë ndërsa që 1 milion e 700 mijë të tjera për kuvende komunale.
Në këto zgjedhje, qytetarët mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist.
Facebook Forum