Ndërlidhjet

Irani thotë se do të rikthehet në bisedimet për marrëveshjen bërthamore


Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian.
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian.

Irani thotë se “shumë shpejt” do të rikthehet në negociatat për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Fuqitë perëndimore janë të shqetësuara me ngecjen e bisedimeve që zhvillohen në Vjenë, pasi raportet e Agjencisë për Energjinë Bërthamore kanë thënë se Teherani ka pasuruar edhe më shumë uraniumin, i cili nëse arrin shkallën 90 për qind, mund të përdoret për bombë bërthamore.

"Ne me siguri do të vazhdojmë negociatat që i shërbejnë të drejtave dhe interesave të kombit tonë", tha ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork më 24 shtator.

Këtë vit Irani ka zhvilluar gjashtë raunde bisedimesh me fuqitë botërore në Vjenë me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes bërthamore, e cila u braktis nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, në vitin 2018.

Negociatat, të cilat zhvillohen në Vjenë, kanë ngecur, pjesërisht për shkak të zgjedhjeve iraniane që e sollën në pushtet presidentin e linjës së ashpër, Ebrahim Raisi.

Një zyrtar i lartë amerikan më 23 shtator shprehu zhgënjimin në rritje për mungesën e gatishmërisë iraniane për t’iu rikthyer bisedimeve.

"Tani për tani nuk ka asnjë sinjal pozitiv se Irani është gati të kthehet në bisedime," u citua të ketë thënë ky zyrtar në kushte anonimiteti.

Më 21 shtator presidenti iranian, Ebrahim Raisi, i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se Irani i konsideron bisedimet e dobishme "rezultati përfundimtar i të cilave është heqja e të gjitha sanksioneve shtypëse".

Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan Joe Biden i tha Asamblesë se Shtetet e Bashkuara do t'i kthehen marrëveshjes bërthamore "plotësisht" nëse edhe Teherani e bën të njëjtën gjë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG