Ndërlidhjet

‘Kam ëndërruar të bëhem mësuese’


Një klasë e zbrazët. Fotografi nga arkivi.
Një klasë e zbrazët. Fotografi nga arkivi.

Edona Rama, 16 vjeçe, që i përket komunitetit ashkali, kur kishte nisur shkollën fillore rreth nëntë vjet më parë, kishte ëndërruar që të bëhej mësuese.

Por, realiteti i vrazhdë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, me të cilat ballafaqohet familja e saj shtatëanëtarëshe, por edhe rrethanat sociale, kanë bërë që ajo të ndërpresë shkollimin dhe ëndrra e saj, të paktën tash për tash, mbetet e parealizueshme.

Nga organizata Balkan Sunflowers Kosova thonë se rastet sikurse i Edona Ramës janë të shumta dhe shumica e vajzave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nuk e vazhdojnë shkollimin, përtej atij fillor.

Nga organizata Rrjeti i organizatave të grave rome, ashkali dhe egjiptian në Kosovë (RROGRAE) vlerësojnë se një nga pasojat e braktisjes së shkollimit nga vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë edhe martesat e hershme.

Dëshira dhe pamundësia për shkollim

Edona Rama, që vjen nga fshati Plemetin i Komunës së Obiliqit, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë rrëfen se si ka nisur shkollimi i saj, por edhe si është ndërprerë.

“Kur kam hyrë në klasën e parë dhe na pyesin arsimtarët se çfarë duam të bëhemi, unë u kam thënë se dua të bëhem mësuese. Deri në klasën e nëntë, jam munduar të mësoj shumë dhe gjatë shkollimit kam pasur suksesin e mirë. Por, tash e kam ndërprerë sepse nuk i kemi kushtet e mira. Jemi kallaballëk. Nuk e kam pasur veshjen e mirë, s’kam pasur mundësinë që të blej librat, fletoret dhe të udhëtoj (për në shkollë). Jam detyruar që të ndalem. Prapë kam dëshirë që të shkoj. Por, tash për tash nuk mundem”, rrëfen Edona Rama për Radion Evropa e Lirë.

Familja shtatëanëtareshe e Edona Ramës jeton në këtë ndërtesë kolektive.
Familja shtatëanëtareshe e Edona Ramës jeton në këtë ndërtesë kolektive.

Ajo shton se në paralelen e saj në shkollën fillore “Pandeli Sotiri” në Plemetin, ka pasur nëntë shoqe të klasës, të cilat tashmë kanë janë regjistruar në shkolla të mesme, shumica në Obiliq. Siç thotë ajo, shoqet i kanë dhënë kurajë që të vazhdojë shkollimin e mesëm.

“Ato janë regjistruar të gjitha dhe thanë që duan ta vazhdojnë shkollimin. Më thoshin se i kanë kushte dhe pse të mos e vazhdonin shkollimin. Ato janë shqiptare. Më kanë thënë ‘eja me ne, regjistrohemi bashkë, është mirë të vazhdohet shkollimi’. Unë ju thash se nuk i kam kushtet. Më thanë që ‘rrugën ta paguajmë ne’. Unë do ta lija veten keq, nuk do të shpenzoja shumë, vetëm që të shkoja në shkollë. Por, pastaj, jo, nuk munda”, tregon Edona.

Kushtet e rënda ekonomike, pengesë për shkollimin e vajzave

Nëna e Edonës, Luljeta Rama, thotë se me të ardhurat financiare që kanë vetëm nga, siç e quan ajo, një ndihmë sociale prej 130 euro, e kanë të pamundur që Edonës, por edhe vajzës tjetër, e cila po ashtu ka përfunduar shkollën fillore, t’iu mundësojnë vijimin e mëtejmë të shkollimit.

“Asnjëra. Nuk kemi kushte sepse me një ndihmë sociale jemi dhe kemi fëmijë kallaballëk. Pastaj, në Obiliq nuk ka ashkanj dhe s’kishin qejf të shkonin vetëm këto. Deri këtu e kanë kryer dhe tashmë e kanë lënë”, thotë nëna e Edonës, Luljeta.

Bindjet që vajzat nuk duhet të shkollohen

Por, rastet e Edonës dhe motrës së saj, të cilat kanë ndërprerë shkollimin, nuk janë rastet e vetme të vajzave nga komuniteti ashkali që kanë ndërprerë shkollimin, thotë Nazmije Hoxhaj, koordinatore e Qendrës për mësimnxënie në kuadër të organizatës Balkan Sunflowers në Kosovë.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ajo thotë që në përgjithësi vajzat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, përfundojnë shkollimin fillor, ndonëse në raste të rralla edhe e ndërprenë atë. Por, sipas saj, janë pak raste kur vajzat nga këto komunitete e vazhdojnë shkollimin e mesëm.

“Te disa familje është gjendja ekonomike shumë e vështirë dhe është e pamundur. Këtu, përveç gjendjes ekonomike, vajzat nuk mund të shkollohen sepse nuk ka transport të rregullt. Të udhëtosh me taksi është e kushtueshme. Mandej, mbase është edhe niveli i edukimit te prindërit se vajzat nuk duhet të shkollohen”, thotë Hoxhaj.

Hoxhaj: E pamundur që t’i bindim prindërit

Ajo shton se gjatë gjithë vitit, organizata Balkan Sunflowers, përpiqet t’i ndihmojë të gjithë të rinjtë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, e në veçanti vajzave të këtyre komuniteteve, duke u ofruar mësim plotësues, si dhe duke i orientuar dhe ndihmuar për plotësimin e dokumentacionit për ata që vazhdojnë shkollimin e mesëm. Por, sipas saj, nuk mund të bëjnë më shumë për të siguruar edhe shkollimin e mëtejmë të tyre, pas përfundimit të shkollës fillore.

“Nuk mund të ndikojmë më shumë. Ne e japim maksimumin për edukim. Të gjithë fëmijët që shkojnë në shkollë, vijnë këtu në Qendër, për mësim plotësues, gjatë tërë vitit, prej shtatorit deri në qershor. U ndihmojmë, zakonisht kur përfundojnë klasën e nëntë dhe bëjmë takime të shpeshta me vajzat dhe me djemtë, që ta vazhdojnë tutje. Por, është e pamundur që t’i bindim prindërit që vajzat të vazhdojnë shkollimin, në përgjithësi”, shprehet Hoxhaj.

Devolli: Martesat e hershme si pasojë e braktisjes së shkollimit

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, të vitit të kaluar, kur bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve, është thënë që nivelet e larta të varfërisë te komunitetet rom, ashkali, egjiptian, boshnjakë dhe goran, kontribuuan që “rreth 12 për qind e fëmijëve, kryesisht vajza, u martuan para moshës 15 vjeç”. Ndërkaq, ligji i lejon personat të martohen në moshën 16 vjeç, por me pëlqimin e prindërve.

Xhulieta Devolli nga organizata joqeveritare “Rrjeti i organizatave të grave rome, ashkali dhe egjiptiane në Kosovë” (RROGRAEK) beson që këto të dhëna janë të sakta, pavarësisht se nuk ekzistojnë statistika të sakta të martesave të të rinjve para moshës 16 vjeç.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Devolli thekson që martesa e hershme e vajzave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është vetëm një prej pasojave të ndërprerjes së shkollimit të këtyre vajzave.

“Zakonisht, kur një vajzë e re e lëshon shkollën, arsyeja nuk është vetëm martesa. Në të shumtën e rasteve është gjendja e rëndë ekonomike, largësia e shkollës, mospasja e mjaftueshme e rrobave, librave, çantave, sidomos për këto vajzat që vijnë nga zonat rurale. Mirëpo, zakonisht, ndonëse jo në 100 për qind të rasteve, pason martesa e hershme, qoftë me dëshirën e saj, qoftë me insistim nga familja, rrethi dhe kështu me radhë”, thekson Devolli.

Pandemia, si shkas për ndërprerjen e shkollimit

Ajo shton se tendenca e vajzave të komuniteteve rom, ashkali, egjiptian, për ta braktisur shkollimin dhe në mjaft raste edhe braktisja, është shtuar që kur ka nisur pandemia e koronavirusit. Gjatë punës në terren, sipas saj, është vërejtur që për shkak të mungesës së kompjuterëve, laptopëve dhe mjeteve tjera teknologjike, si dhe mungesës së njohurive për t’i përdorur këto mjete, vajzat e këtyre komuniteteve kanë braktisur shkollimin.

Sipas saj, organizata RROGRAEK, përmes ndihmës së ofruar nga UN Women, ka shpërndarë 190 laptopë te vajzat që kanë pasur tendencë të braktisin shkollimin, si dhe ka ofruar trajnimin për përdorimin e këtyre mjeteve.

“Qëllimi ka qenë që ato të vazhdojnë me krejt fëmijët e komunitetit shumicë (shqiptar), me të njëjtin hap, që të mos ngecin pas ose të mos e braktisin fare. Mirëpo, kemi hasur edhe në raste të tilla kur prindërit kanë refuzuar. Do të thotë, pandemia ka qenë si një shkas që ato e kanë lëshuar shkollimin. Ata e kanë marrë si diçka që ndodhi, mirëpo nuk kanë dashur që të kthehen prapë dhe ta vazhdojnë shkollimin, sidomos vajzat, përkundër ofrimit të mjeteve teknike, trajnimeve dhe të tjera”, thotë Devolli.

Më 8 shtator shënohet Dita ndërkombëtare e shkrim-leximit dhe Agjencia për Arsim, Shkencë, Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) ka thënë se kjo ditë do të festohet nën temën “Shkrim-leximi për një shërim të përqendruar te njeriu: Ngushtimi i ndarjes digjiitale”. Sipas UNESCO-s, pandemia COVID-19 ka penguar mësimin e fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve në shkallë të paprecedentë. Megjithatë, gjatë kësaj kohe janë paraqitur disa mënyra për vazhdimin e mësimit siç është edhe mësimi në distancë. Megjithatë, mundësitë e mësimit nuk kanë qenë të shpërndara në mënyrë të barabartë. Shtohet se mësimi në distancë ka theksuar ndarjet digjitale siç është lidhja, infrastruktura dhe zotërimi i teknologjisë.

MASHTI: Shkollimin e obliguar e kanë braktisur 63 nxënës të komuniteteve RAE

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) me pyetjet mbi statistikat lidhur me shkallën e përgjithshme të analfabetizmit në Kosovë, si dhe për ato që lidhen me braktisjen e shkollimit nga të rinjtë e komuniteteve rom, ashakli dhe egjiptian.

MASHTI, duke u thirrur në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë Radios Evropa e Lirë, tha se shkalla e analfabetizmit në përgjithësi në Kosovë, në popullsinë mbi 15 vjeç, është 4.18 për qind. Ndërkaq, analfabetizmi në mesin e grave është 5.07 për qind.

“Pra, në Kosovë kemi afërsisht 55 mijë qytetarë analfabetë. Kur flasim për analfabetizmin duhet të kemi parasysh se në 80 për qind të rasteve, mosha e tyre është mbi 50 vjeç”, ka thënë MASHTI.

Kjo ministri tha se për të luftuar analfabetizmin në vend ka hartuar programin dhe kurikulat e veçanta për shkrim-lexim bazik. Po ashtu, sipas MASHTI-it, programi është hartuar në bashkëpunim me ekspertë të UNESCO-s dhe ofrohet për të gjithë qytetaret pa dallim moshe. Vijuesit të cilët mbarojnë këtë program marrin certifikatë të barasvlershme me klasën e pestë dhe u mundësohet vazhdimi i shkollimit përmes arsimit për të rritur edhe në nivelet e tjera të shkollimit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, të cilat bazohen në raportimet nga shkollat në Kosovë, numri i nxënësve ashkali, romë dhe egjiptianë që kanë braktisur shkollën në vitin shkollor 2020/21, në arsimin e obliguar prej klasës së parë deri në klasën e nëntë, është 63.

Prej tyre, numri më i madh që e kanë braktisur shkollimin janë të komunitetit ashkali, 52 prej tyre, nga i cili numër 27 janë meshkuj dhe 25 janë femra. Nga komuniteti rom, shkollimin fillor kanë braktisur tre meshkuj dhe asnjë femër, ndërkaq që nga komuniteti egjiptian gjashtë meshkuj dhe dy femra.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë të kryer më 2011, thuhet se në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkali dhe 11.524 egjiptianë. Pra, romët përbëjnë 0.51 për qind të popullsisë, ashkalinjtë 0.89 dhe egjiptianët 0.66 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Që nga viti 2008, Qeveria e Kosovës ka strategji për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian si dhe një Plan Veprimi për zbatimin e këtyre strategjive, ku përfshihet edhe identifikimi i zonave me rëndësi të veçantë për integrimin e këtyre komuniteteve.

Komuniteti egjiptian kërkoi që të mos përfshihej në strategjinë për vitin 2017-2021, pasi nga ky komunitet vlerësuan se nuk duhet që të identifikohen së bashku me dy komunitetet e tjera (rom dhe ashkali), dhe kërkuan nga institucionet e Kosovës që të krijojnë një strategji të veçantë për integrimin në shoqërinë kosovare të këtij komuniteti. Por, kjo kërkesë, deri më tani nuk është realizuar.

Në strategjinë e fundit, janë përfshirë vetëm komunitetet ashkali dhe rom. Kjo strategji përmban katër fusha, që kërkojnë adresim: arsimi, punësimi e mirëqenia sociale, shëndetësia dhe banimi.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG