Skënder Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Bullgari, thotë se vaksina AstraZeneca është e sigurt dhe ua rekomandon qytetarëve që ta marrin atë.
Kosova ka hequr nga përdorimi mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca, të cilave u doli afati. Mosmarrja e kësaj vaksine, siç thotë Syla në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, u ndikua nga shumë faktorë, por pretendimet kundër kësaj vaksine, sipas Sylës nuk u bazuan në fakte.
Në këtë intervistë, ai flet edhe për variantin Delta, që është varianti dominues në Kosovë. Ai thotë se për shkak të këtij varianti, gjendja epidemiologjike në Kosovë është mjaft kritike dhe është sfidë për sistemin shëndetësor.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Syla, në Kosovë çdo ditë pothuajse ka më shumë se 20 vdekje të qytetarëve të infektuar me koronavirus dhe siç thuhet të prekur me variantin Delta. Si e shihni ju këtë situatë?
Skënder Syla: Prania e variantit Delta dhe përhapja e shpejt e këtij varianti, paraqet një situatë mjaft delikate, madje edhe për vendet të cilat kanë një shkallë mjaft të lartë të vaksinimit. Ne kemi, bie fjala tash në Izrael, një rritje eksponenciale të rasteve, po edhe në vendet të tjera. Po ashtu edhe në Kosovë duhet të paraqesë një sfidë para se gjithash për sistemin shëndetësor.
Por, ajo çka është më e rënda, është fakti që merr jetë të njerëzve, ndonëse ne po përmendim vaksinimin si njërin prej elementeve kyçe në luftën ndaj kësaj pandemie, ne për asnjë moment sa të është i pranishëm koronavirusi dhe pandemia, nuk duhet t’i harrojmë edhe masat e tjetra të shëndetit publik, ato individuale si bartja e maskës, evitimin e hapësirave të ngarkuara publike, pastrimin e duarve dhe respektimin e të gjitha masave, të cilat janë të rekomanduara nga autoritetet.
Gjendja është mjaft kritike dhe duhet angazhim nga secili, së pari nga ne si qytetarë, por edhe të gjitha institucionet, në mënyrë që pasojat të lehtësohen sadopak sepse në këtë fazë ne kemi parë një rritje esponenciale të rasteve dhe kur kemi numër të madh të rasteve të të infektuarve, padyshim që një numër i tyre duhet të kenë nevojë edhe për trajtim spitalor, do t’iu vështirësohet gjendja dhe fatkeqësisht, një numër edhe pësojnë fatalisht.
Radio Evropa e Lirë: Cilat do të duhej të ishin vendimet e institucioneve për të ulur eventualisht rastet e të prekurve me këtë virus?
Skënder Syla: Ajo çka duhet të bëhet është monitorimi i të gjitha masave të ndërmarra dhe padyshim që rolin kyç prapë e ka individi. Polici mund të monitorojë në rrugë, por polici nuk mund të na monitorojë nëse shkojmë në familje e tubohemi.
Ato tubimet familjare mund të paraqesin një rrezik shumë të lartë dhe të shpërndahet edhe më tutje virusi. Andaj ne duhet të jemi strikt, që të evitojmë takime të parëndësishme në mënyrë që të ndërpresim zinxhirin e përhapjes së virusit.
Radio Evropa e Lirë: Ministria e Shëndetësisë largoi nga përdorimi mbi 130 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, për shkak të skadimit të afatit. Pse mendoni se ndodhi kjo?
Skënder Syla: Elementi kryesor në programin e vaksinimit, për të qenë efikas, është siguria, efikasiteti dhe cilësia e vaksinave. Është një fatkeqësi që ka ndodhur kjo që është dashur të eliminohen një numër i konsiderueshme i dozave, ku me to do të mund të vaksinoheshin më shumë se 60 mijë qytetarë, por kjo ndodh edhe në vende të tjera.
Edhe kjo ndodhi për arsye se në fillim u krijua një perceptim për vaksinën AstraZeneca që nuk është mjaft e sigurt, e që kjo nuk ishte e bazuar në fakte. Këtu fatkeqësisht ndikuan edhe disa në kuadrin e profesionistëve shëndetësorë të cilët nuk u vaksinuan, mirëpo kishte edhe shembuj pozitivë, bie fjala profesori Lul Raka u vaksinua me AstraZenecën, për t’i dhënë mesazh të qartë të gjithë profesionistëve shëndetësorë, por edhe opinionit publik, mirëpo ja që ndodhi kjo dhe këto vaksina nuk do të përdoren.
Fatmirësisht do të ketë doza të tjera të vaksinave dhe unë i rekomandoj qytetarët e Kosovës, pavarësisht se a është AstraZeneca apo vaksina të tjera të cilat janë tashmë të aprovuara nga OBSH-ja dhe Agjencia Evropiane për Barna, ato duhet të merren në momentin e parë kur t’iu jepet mundësia sepse ato janë të sigurta, efikase dhe të cilësisë së lartë.
Radio Evropa e Lirë: Në qytetet e Kosovës, pothuajse vetëm në një vend qytetarët kanë mundësi për t'u vaksinuar, derisa në shtete të tjera, vaksina ofrohen edhe në qendra tregtare. Ku mendoni që janë pengesat në këtë drejtim?
Skënder Syla: Ndonëse Kosova ka filluar e fundit me programin e vaksinimit ndaj COVID-19, në krahasim me shtetet e tjera të rajonit evropian dhe shtetet përreth, unë mendoj që është duke lëvizur me hapa mjaft të sigurt, është duke bërë një përparim mjaft të sigurt dhe është duke bërë një përparim në numrin e personave të cilët janë të vaksinuar. Nëse vazhdohet me këtë trend, besoj se caqet e programit të vaksinimit do të arrihen deri në fund të vitit.
Mirëpo, ajo që është e rëndësishme, persona të cilët vaksinohen duhet të jenë të kujdesshëm që të mos ekspozohen ndaj personave të tjerë sepse siguria e vaksinave është vetëm dy javë pas marrjes së dozës së dytë. Sepse mund të ndodhë që vaksina të shkojë huq nëse personi që sapo e ka marrë vaksinën, ekspozohet në baza ditore dhe ky është element shumë i rëndësishëm.
Sa i takon aspektit logjistik, ajo përcaktohet nga autoritetet vendore varësisht prej kapaciteteve sepse vaksinat duhet të kenë edhe një siguri, duhet të monitorohet personi i vaksinuar 15 minuta pas marrjes së vaksinës, pasi mund të ketë edhe efekte anësore. Ato janë shumë të rralla, mirëpo duhet t'i ofrohet ndihma në vendin ku jepet vaksina. Mirëpo, aspektet logjistike secili vend i përcakton në bazë të kapaciteteve dhe unë prapë po them që trendi aktual i vaksinimit është i mirë në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë ka raste kur edhe gratë shtatzëna janë riinfektuar edhe atë me variantin Delta. Pse po ndodh?
Skënder Syla: Riinfeksioni mund të ndodhë, ka raste edhe në vende të tjera, edhe këtë duhet analizuar. Për këtë arsye, rekomandimi është që edhe gratë shtatzëna duhet të vaksinohen sa më parë sepse paraqesin një kategori të ndjeshme. Andaj mënyra më e mirë e parandalimit është vaksinimi.
Pse po ndodhin këto riinfektime? Ky është një virus i cili, mund edhe në të ardhmen të shfaqen variante të reja, andaj OBSH-ja është duke i hulumtuar të gjitha këto variante dhe në bazë të evidencës shkencore do të rekomandojë edhe veprimet që duhet të merren. Mirëpo, mesazhi kryesor është që gratë shtatzëna duhet të vaksinohen në mundësinë e parë që u jepet.
Facebook Forum