Ndërlidhjet

Nga amvise në sipërmarrëse  


Zarije Malsiu, pronare e kompanisë "Bio Fruti".
Zarije Malsiu, pronare e kompanisë "Bio Fruti".

Vitet nuk kanë qenë problem për Zarije Malsiun nga Komuna e Kaçanikut, e cila në moshën 53-vjeçare, filloi të merret me biznes. Zarija, që tashmë ka 58 vjet, në vitin 2017 ka hapur një biznes të sajin, pasi i ka rritur pesë fëmijët e saj dhe është përkujdesur që ata të përfundojnë fakultete të ndryshme.

Zarija, e cila pa dëshirën e saj në atë kohë nuk ka arritur ta përfundonte shkollën e mesme, sot udhëheq kompaninë “Bio Fruti” në Kaçanik, që merret me grumbullimin e bimëve aromatike, të cilat përdoren si lëndë e parë për çaj, ushqim dhe ilaçe.

Për Zarijen tashmë punojnë 20 fermere, që mbledhin bimë aromatike për kompaninë e saj.
Për Zarijen tashmë punojnë 20 fermere, që mbledhin bimë aromatike për kompaninë e saj.

Ideja për të hapur këtë biznes, thotë ajo, ishte se Komuna e Kaçanikut dhe rrethina ishin të pasura me këto bimë. Për të pasur një biznes të sigurt, ajo tregon se ka ndjekur shumë trajnime dhe seminare të mbajtura nga organizata vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht ajo vetë kishte filluar të mblidhte këto bimë në natyrë, më pas filloi grumbullimin dhe tashmë në një hektar sipërfaqe tokë, ka të kultivuar rigon dhe mëllagë.

“Kur kam filluar biznesin kam pasur vetëm një dhomë të ndarë në shtëpi ku jetoja 4x4 metra dhe disa sitë të rënda (mjet më cilin pastrohen këto bimë). Hapësira ka qenë shumë e ngushtë. Ka pasur raste kur në dhoma i kam terur bimët. Vështirë ka qenë shumë të punohet, por unë nuk e kam ndërprerë, më ka mbajtur vullneti. Nevojitet hapësirë e madhe e punës sepse bimët duhet të teren dhe më pas të dërgohen për shitje”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Me bimët aromatike që shet, Zarija thotë se mbulon shpenzimet e familjes së saj.
Me bimët aromatike që shet, Zarija thotë se mbulon shpenzimet e familjes së saj.

Vetëm dy vjet pas hapjes së biznesit, Zarija me ndihmën e një donacioni të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka arritur të ndërtojë objektin 600 metra katrorë dhe aktualisht ka 20 fermere që mbjellin bimë aromatike për të.

“Kam fituar një projekt nga USAID-i në Prishtinë. Me këtë projekt e kam ndërtuar objektin dhe tashmë e kam të lehtë punën. Me paratë e fituara unë mund të mbulojë shpenzimet e familjes. Çdo gjë mund të arrihet me vullnet”, tha ajo.

Sektori i agrobiznesit viteve të fundit është duke dominuar, si kultivimi i frutave dhe perimeve dhe përpunimi i tyre në produkte finale, thotë Besa Zogaj-Gashi, drejtoreshë ekzekutive në Institutin për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL). Pos agrobiznesit, përgatitja e ushqimit tradicional tashmë është bërë një veprimtari që po merr hov në tërë Kosovën. Kurse bizneset tjera në pronësi të grave, janë kryesisht të orientuara nga shërbimet, tregtia dhe në raste më të rralla, në prodhim.

Hapja e biznesit, sfida kryesore

Lendita Kastrati, udhëheqëse e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, thotë se sipërmarrja e grave në Kosovë ka rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, pasi gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit. Por, sipas saj, një prej sfidave kryesore mbetet fillimi i biznesit.

“Sfida kryesore për gratë në Kosovë është kapitali fillestar për të nisur një biznes. Në Kosovë gratë nuk trashëgojnë pronë dhe për këtë e kanë të pamundur të aplikojnë për kredi komerciale në banka. Kjo ka qenë dhe mbetet një prej sfidave kryesore”, tha ajo.

Me gjithë sfidat e shumta, në një shoqëri patriarkale, ajo shprehet se viteve të fundit vërehet një trend pozitiv i rritjes së bizneseve që drejtohen nga gratë, por e pamjaftueshme për rritjen e numrit të punësimit te gratë.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është fakti se në disa sektorë, gratë më herët nuk kanë qenë të pranishme, por tashmë drejtojnë kompani të tilla. Flasim për sektorin e teknologjisë informative, sektorin e prodhimit, sidomos në sektorin e drurit, ku gratë çdo herë e më shumë po tregohen inovative dhe të pranishme në këtë sektor”, thekson Kastrati.

Zarije Malsiu thotë se një projekt që ka fituar nga Ambasada amerikane i ka ndihmuar asaj që ta rrisë biznesin. Por, shumë gra në Kosovë nuk kanë mjete financiare për të filluar bizneset e tyre.
Zarije Malsiu thotë se një projekt që ka fituar nga Ambasada amerikane i ka ndihmuar asaj që ta rrisë biznesin. Por, shumë gra në Kosovë nuk kanë mjete financiare për të filluar bizneset e tyre.

Në territorin e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, mbi 28 mijë biznese janë të regjistruara me pronare gra, nga rreth 300 mijë biznese të regjistruara në nivel vendi. Bizneset e grave janë kryesisht në sektorin e tregtisë me pakicë dhe shumicë.

Zogaj-Gashi: Gratë pronare të bizneseve të vogla

Besa Zogaj-Gashi nuk është e kënaqur me numrin e bizneseve të regjistruara në emër të grave. Sipas saj, gratë si sipërmarrëse në ekonominë e Kosovës përfaqësojnë vetëm 10-13 për qind, kryesisht si pronare të mikrobizneseve dhe bizneseve të vogla.

“Më konkretisht, mbi 60 për qind janë mikrobiznese me deri pesë të punësuar, ndërsa pjesa tjetër klasifikohen si biznese individuale me asnjë të punësuar”, tha ajo.

Zogaj-Gashi tha se nga numri i bizneseve aktive të regjistruara në pronësi të grave dhe në sektorët që përfaqësojnë, Kosova është më së keqi në rajon dhe në Evropë, gjë e cila, sipas saj, flet për nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik.

Përveç përqindjes së vogël të grave sipërmarrëse, në Kosovë shkalla e papunësisë te gratë mbetet e lartë. Krahasuar me vendet e rajonit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kosova ka nivelin më të lartë të papunësisë te gratë.

Papunësia e grave në vendet e rajonit

Shkalla e papunësisë në vitin 2020 në Kosovë ka qenë 25.9 për qind, nga kjo shifër 32.3 për qind janë gra. Shqipëria shkallën e papunësisë te gratë e ka mbi 12 për qind, Maqedonia e Veriut mbi 15 për qind, Mali i Zi rreth 19 për qind, Serbia mbi 14 për qind dhe Bosnje e Hercegovina 19 për qind.

Vetëm 14.1 për qind e grave në Kosovë janë të punësuara, ndërkaq 42.8 për qind janë burra, përkundër faktit se në moshë pune, mbi 613 mijë paraqitet numri i grave dhe 608 mijë numri i burrave të aftë për punë.

Lendita Kastrati vlerëson se ende nevojitet mbështetje nga institucionet qendrore dhe lokale për fuqizimin e grave në biznes.

“Ka nevojë ende që të ketë programe në fuqizimin e gruas në biznes, ka nevojë ende një angazhim i Qeverisë që të rritet numri i grave të punësuara, pasi shkalla e punësimit është e ulët dhe 80 për qind e grave janë joaktive në tregun e punës. Gra të cilat nuk kërkojnë punë dhe as nuk janë të punësuara. Kështu ka nevojë që bizneset e grave të fuqizohen për arsye se shumica nga to punësojnë gra”, shprehet ajo.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka premtuar se do të mbështet fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e punësimit, me fokus në të bërit biznes. Në programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025, thuhet se do të zbatohen masa aktive për punësimin e grave dhe masa mbështetëse për sigurimin e likuiditetit, për bizneset që udhëhiqen nga gratë.

“Do të punojmë për rritjen e punësimit të grave me fokus në të bërit biznes dhe krijimin e kushteve të favorshme të të bërit biznes dhe thjeshtimin e procedurave për eksport dhe import”, thuhet në programin qeverisës.

Në përpjekje të mbështetjes se grave në tregun e punës, Ministria e Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, në fillim të këtij muaji ka nisur subvencionimin e pagës për 50 për qind për të gjitha gratë që punësohen.

Me këtë masë parashihet subvencionimi i pagës për 50 për qind (maksimumi 170 euro) për tre muajt e parë për të gjitha gratë që punësohen nga periudha tatimore e muajit korrik 2021 e tutje. Kurse pas periudhës tremujore, do të subvencionohen me 10 për qind të pagës bruto.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG