Ndërlidhjet

SHBA-ja përballë kritikave për Afganistanin


Në këtë fotografi të bërë publike nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden bisedon me ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe zyrtarë të lartë për situatën në Afganistan, e diel, 15 gusht 2021.
Në këtë fotografi të bërë publike nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden bisedon me ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe zyrtarë të lartë për situatën në Afganistan, e diel, 15 gusht 2021.

Marrja nën kontroll për një periudhë të shpejtë kohore e Afganistanit nga ana e talibanëve, ka bërë që të drejtohen shumë kritika ndaj administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

Kritikat kanë të bëjnë kryesisht për lejimin e rrëzimit të qeverisë së mbështetur ndërkombëtarisht në Kabul.

Zhvillimet në Kabul kanë bërë që të shtrohen pyetje se çfarë qeverie do ta pasojë largimin e presidentit, Ashraf Ghani nga vendi më 15 gusht.

Por, vëmendja po përqëndrohet gjithashtu se çfarë do të thotë për administratën Biden tërheqja nga Afganistani.

Disa kritikë thonë se reputacioni i presidentit Biden është dëmtuar rëndë në raport me vendet të cilat ende kërkojnë një rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara.

Eksperti për çështje ndërkombëtare dhe bashkëpunëtor në Institutin Clinton në University College Dublin, Scott Lucas, thotë se disa mund të jenë habitur nga shpejtësia me të cilën talibanët morën kontrollin, por sipas tij, administrata e Bidenit nuk e ka llogaritur gabim atë që do të ndodhte pas tërheqjes së trupave amerikane.

"Unë mendoj se këshilltarët e Joe Bidenit e dinin se talibanët do ta marrin Afganistanin", tha Lucas për Radion Evropa e Lirë më 16 gusht.

"Sipas mendimit tim ata vlerësuan se vendosja e burimeve amerikane në Afganistan ishte kundërproduktive pasi priroritetet janë diku tjetër", tha ai.

Eksperti kujton se Biden që nga viti 2009 ka thënë se vazhdimi i vendosjes së burimeve në Afganistan do të ishte humbje e tyre.

Ai mendon se fokusi i politikës së jashtme amerikane tash është “diku tjetër në rajon”.

“Kjo përfshin mënyrën sesi Shtetet e Bashkuara po e trajtojnë Iranin dhe Pakistanin. Njerëzit afër Bidenit me siguri tani kanë një prioritet tjetër dhe ajo është Kina”, tha ai.

Por, Lucas tha se sa i takon Afganistanit, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa në mënyrë "paradoksale" janë jashtë pyetjeve rajonale që luajnë rol në një "marrëdhënie që po ndryshon gjerësisht midis Azisë dhe pjesëve të tjera të botës".

Sipas tij, do të lindin pyetje të reja kur merren parasysh "të gjitha lëvizjet midis talibanëve dhe vendeve të tjera".

“A do t’i ripërtërijë Pakistani lidhjet me talibanët, kur dihet se Islamabadi i kishte mbështetur ata në periudhën e parë në pushtet”, thotë eksperti Lucas.

Pastaj, një pyetje tjetër që do të shtrohet, sipas tij, është se çfarë do të bëjë Irani që është në perëndim të Afganistanit, kur dihet se ka pasur raporte jo të mira me talibanët në vitet 1990, por që kishte hapur komunikimin viteve të fundit.

Shtetet e Bashkuara, vlerëson Lucas, për herë të parë që nga fundi i vitit 2001 nuk janë më një lojtar qendror në Afganistan.

"Dhe ju shikoni Kinën, e cila këtë mëngjes ka lëvizur shpejt duke thënë se duan të punojnë me ata (talibanët)", thotë Lucas.

"A do të thotë kjo se Afganistani dhe talibanët bëhen pjesë e atij projekti më të gjerë ekonomik dhe politik kinez 'Brezi dhe Rruga'?", shton ai.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara kritikat ndaj administratës së Bidenit për trajtimin e tërheqjes nga Afganistani kanë qenë të ashpra nga shumë politikanë, kryesisht republikanë.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 15 gusht se Biden duhet të ofrojë dorëheqje.

Mirëpo Biden ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje. Ai ka thënë se u takon forcave afgane të luftojnë kundër talibanëve duke shtuar se tërheqja e trupave ishte vazhdim i një marrëveshjeje që administrata e Trumpit kishte arritur me talibanët në Doha në shkurt të vitit 2020.

“Një vit ose pesë të tjera të prezencës ushtarake amerikane nuk do të kishin bërë ndonjë ndryshim nëse ushtria afgane nuk mundet ose nuk do të mbajë vendin e vet”, tha Biden, për të shtuar se prania pa afat amerikane në një konflikt civil të një vendi tjetër, nuk është e pranueshme për të.

Por, ligjëvënësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Steve Scalise, e ka krahasuar rënien e Qeverisë afgane si "momentin Saigon" të Bidenit - një referencë për evakuimin e vitit 1975 nga Ambasada amerikane në atë që tani është qyteti Ho Chi Minh pas tërheqjes së trupave amerikane nga Vietnami.

"Presidenti Trump kishte arritur një marrëveshje që bazohej në kushte dhe ato kushte nuk janë plotësuar", tha Scalise për programin televiziv CBS Face The Nation më 15 gusht.

"Në fakt, njëri nga shumë kushtet ishte që talibanët nuk do të marrin qytetet të cilat ata tani i kanë marrë", tha ai.

Ligjëvënësi republikan tha se trajtimi që i ka bërë Biden tërheqjes amerikane ka dërguar nja mesazh shqetësues tek aleatët, por ishte një mesazh edhe për armiqtë në të gjithë botës që po shikojnë këtë situatë.

"Kina është shumë e përfshirë në atë që po ndodh tani në Afganistan, ashtu siç janë kundërshtarët tanë të tjerë", tha Scalise.

"Pra, është një dështim epik në politikën e jashtme të presidentit Biden", shtoi ai.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, gjenerali, Mark Milley, u tha senatorëve amerikanë se komuniteti i inteligjencës po i bën vlerësimet në lidhje me kërcënimet e ardhshme terroriste që vijnë nga Afganistani.

Sipas raporteve mendohet se grupet terroriste si Al-Kaida mund të jenë në gjendje të zhvillohen dhe të rriten shumë më shpejt sesa pritej më parë në Afganistan.

Kongresisti, Michael Waltz, një republikan nga Florida, parashikon se grupi Al-Kaida do të kthehet më i fuqishëm si rezultat i marrjes së Afganistanit nga talibanët.

"Ju do të shihni Al-Kaidën 3.0" tha Waltz për Fox News më 15 gusht.

"Ata do të kthehen. Ju do të shihni një përsëritje sikurse kur (ish-presidenti amerikan, Barack) Obama u largua nga Iraku shumë shpejt dhe në mënyrë të papërgjegjshme - dhe (ekstremistët e Shtetit Islamik) u kthyen fuqishëm".

Përmes një postimi në Twitter, Waltz tha se “nëse do të isha duke parë gjitha këto nga Tajvani ose Ukraina, do të tmerrohesha duke ditur se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e kësaj administrate".

Jo të gjitha kritikat ndaj administratës Biden janë rezultat i politikës partiake.

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Herbert Raymond McMaster dhe Bradley Bowman, drejtor i Qendrës për Fuqinë Ushtarake dhe Politike në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me qendër në SHBA, kanë paralajmëruar prej muajsh për "pasoja të tmerrshme" nga vendimi për tërheqjen e forcave amerikane.

Në një opinion të botuar nga “The Wall Street Journal” më 15 gusht, McMaster dhe Bowman e përshkruanin kthimin e talibanëve në Kabul si "një shfaqje reale dhe e dhimbshme e asaj që ndodh kur udhëheqësit në Uashington e mashtrojnë veten në lidhje me kërcënimet e vazhdueshme, natyrën e armiqve të Amerikës , dhe aftësinë për t'i dhënë fund luftërave, thjesht duke shkuar në shtëpi".

Por, për Alistair Bunkall, një korrespondent i mbrojtjes dhe sigurisë në televizionin britanik, Sky TV, fajtori mund të kërkohet në shumë drejtime.

“Kam frikë se e vërteta nuk është bardhë e zi në këto situata, sado që instikti ynë dëshiron të ketë një person fajtor”, shkroi Bunkall në një analizë më 15 gusht derisa talibanët u vendosën në Pallatin presidencial në Kabul.

Bunkall thotë se faji duhet t'i drejtohet administratës Trump "për negocimin e një marrëveshjeje të keqe me talibanët" në vitin 2020, si dhe te Biden "për mënyrën e fshehtë dhe të papritur përmes së cilës ai tërhoqi trupat amerikane ".

Ai tha se presidenti afgan, Ashraf Ghani, i cili është larguar nga vendi, duhet fajësuar "për izolimin e pjesës më të madhe të vendit të tij", dhe që së bashku me forcat e sigurisë të Afganistanit të cilët "pas shume vitesh trajnimi, dhe të pajisur me triliona dollarë pajisje të teknologjisë së lartë, në dukje me shumë pak luftime, hoqën dorë nga territori".

Bunkall kritikoi gjithashtu kryeministrin britanik, Boris Johnson, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe "udhëheqësit e tjerë të NATO-s pasi dështuan që të bien dakord që të mbajnë forcat në këtë vend edhe pa mbështetjen amerikane".

Politikanë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë në Britani të Madhe po kritikojnë gjithashtu tërheqjen e trupave ndërkombëtare nga Afganistani.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, më 16 gusht i tha BBC-së se kriza ishte një "dështim i bashkësisë ndërkombëtare", duke thënë se ndërhyrja perëndimore në Afganistan ishte një punë gjysmë e kryer.

"Nëse është një dështim, është një dështim i bashkësisë ndërkombëtare që të mos kuptojë se ju nuk i rregulloni gjërat brenda natës", në Afganistan, tha Wallace.

"Kam frikë se kur merreni me një vend si Afganistani që ka 1.000 vjet histori dhe luftë civile - ju menaxhoni problemet e tij dhe mbase mund t'ju duhet ta menaxhoni atë për 100 vjet", tha ai.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG