Ndërlidhjet

Pse Irani përpiqet ta heshtë gazetaren Masih Alinejad?


Gazetarja Masih Alinejad
Gazetarja Masih Alinejad

Kritikat e ashpra të Masih Alinejadit ndaj establishmentit klerik të Iranit, fushata e saj kundër hixhabit të detyrueshëm dhe përpjekjet për të nxjerrë në pah abuzimet e të drejtave të njeriut në Iran kanë zemëruar zyrtarët e Republikës Islamike, që kanë bërë përpjekje ta heshtin atë përmes frikësimit, fyerjes së emrit të saj dhe presionit ndaj familjes së saj.

Por, një komplot i dyshuar për ta rrëmbyer Alinejadin - aktiviste dhe gazetare që drejton një emision javor televiziv në shërbimin persik të Zërit të Amerikës - duket se është veprimi i fundit kundër saj.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka njoftuar më 13 korrik se një oficer i inteligjencës iraniane dhe tre anëtarë të dyshuar të një rrjeti të inteligjencës iraniane, janë akuzuar për komplot për ta tërhequr një gazetare - me bazë në Nju Jork - në një vend të tretë dhe për ta kthyer atë me forcë në Iran.

Alinejad, e cila është larguar nga Irani në vitin 2009 dhe jeton në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2014, ka konfirmuar se ajo është gazetarja që përmendet në aktakuzë. Në një postim në Twitter, ajo ka thënë se i është mirënjohëse FBI-së për prishjen e komplotit.

Katërshja gjithashtu akuzohet se ka bërë komplot për të tërhequr në Iran një person që jeton në Britani dhe tre të tjerë që jetojnë në Kanada. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike.

Ministria e Jashtme e Iranit i ka cilësuar si “qesharake dhe të pabaza” pretendimet e Departamentit amerikan të Drejtësisë, në lidhje me përfshirjen e Teheranit në komplot rrëmbimi.

“Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara bëjnë skenarë të tillë të Hollivudit”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, më 14 korrik.

Alinejad - e cila është ish-kontribuese e Radios Evropa e Lirë - i tha përmes një deklarate REL-it se beson se është bërë shënjestër për përpjekjet e saj për të drejtat e njeriut dhe shtoi se nuk do të heqë dorë nga aktivizmi i saj.

“Si gazetare dhe aktiviste iraniane, krimi im është t'u jap zë nënave, fëmijët e të cilave janë vrarë nga Republika Islamike e Iranit; grave që kanë vuajtur mjaft nga aparteidi i institucionalizuar gjinor; pakicave që diskriminohen”, tha Alinejad.

Alinejad, 44 vjeçe, e cila ka shumë përkrahës dhe kritikë, i ka sfiduar zyrtarët iranianë nga shtëpia e saj në lagjen Bruklin të Nju Jorkut, duke nxjerrë në pah disa aspekte të jetës nën establishmentin shtypës të Iranit.

Dikur reportere parlamentare në Teheran, ajo ka përdorur mediat sociale për të tërhequr vëmendjen ndaj keqtrajtimit të grave, që ndiqen nga policia e moralit nëse nuk mbulohen mjaftueshëm. Ajo ka postuar disa video të incidenteve.

Alinejad ka më shumë se 5 milionë ndjekës vetëm në Instagram.

Ajo ka bërë intervista edhe me viktimat e shtypjes së shtetit - përfshirë nënat që kanë humbur fëmijë gjatë shtypjes brutale të protestave anti-qeveritare në Iran, në nëntor të vitit 2019 - dhe i ka ndarë ato me miliona ndjekësit e saj.

Gisou Nia, avokate për të drejtat e njeriut dhe drejtuese e një projekti për çështje gjyqësore në Këshillin Atlantik, thotë për Radion Evropa e Lirë se Alinejad është vënë në shënjestër të Teheranit për shkak të “aftësisë së saj për të mobilizuar publikun”.

“Ka shumë kritikë të Republikës Islamike jashtë vendit, por pak kanë aftësinë për të frymëzuar veprime të drejtuara nga njerëzit në rrugë, ashtu siç kanë Masih [Alinejad] dhe idetë e saj”, thotë Nia.

Në vitin 2014, Alinejad ka krijuar një faqe në Facebook, të quajtur “Liria ime sekrete”, ku dhjetëra gra kanë postuar fotografi të tyre pa hixhabin islamik, që është bërë i detyrueshëm pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Gratë iraniane kanë sfiduar gjithnjë e më shumë rregullin e hixhabit gjatë viteve, duke vënë shalle të vogla në kokë ose duke veshur pallto të shkurtra.

Alinejad është po ashtu themeluese e fushatës Të Mërkurat e Bardha, që i inkurajon gratë iraniane të protestojnë publikisht kundër hixhabit të detyrueshëm dhe të postojnë video të demonstratave të tyre në internet.

Disa gra që kanë marrë pjesë në fushatën e Alinejadit, janë burgosur në Iran.

Kritikët thonë se Alinejad përdoret nga amerikanët që bëjnë përpjekje të ndryshojnë regjimin në Iran, ndërsa ajo hesht për sanksionet e ashpra ekonomike që i ka vënë SHBA-ja Iranit.

Në shkurt të vitit 2019, një takim i saj me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ka shkaktuar kritikat e atyre që thoshin se mbështetja e Pompeos për të drejtat e njeriut në Iran - derisa hesht për abuzimet në Arabinë Saudite - është false, si dhe të atyre që akuzonin administratën e presidentit Donald Trump për nxitje të konfliktit ushtarak me Iranin.

Masih Alined dhe Mike Pompeo
Masih Alined dhe Mike Pompeo

Alinejad ka shkruar në Twitter se, gjatë takimit, ka bërë më të mirën e saj “që të jetë zëri i njerëzve që më besojnë”.

Ueb-faqet e linjës së ashpër politike në Iran dhe televizioni shtetëror e kanë akuzuar Alinejadin për promovim të imoralitetit dhe një imazhi negativ të Iranit.

Vëllai i saj, Alireza Alinejad, është arrestuar në shtator të vitit 2020. Gazetarja ka thënë se kjo ka qenë një përpjekje për ta heshtur atë. Ai më pas është dënuar me tetë vjet burgim, nën akuzat që përfshijnë “komplotin për të vepruar kundër sigurisë së vendit”. Avokati i tij ka thënë se një pjesë e seancave dëgjimore të Alireza Alinejadit u është kushtuar aktiviteteve të motrës së tij.

Komploti i dyshuar për të rrëmbyer Alinejadin dhe të tjerët ka rikthyer shqetësimet në lidhje me përpjekjet e Republikës Islamike për të shënjestruar disidentët jashtë vendit.

Alinejad ka thënë se autoritetet iraniane kanë bërë përpjekje më herët që ta tërheqin në Turqi, duke bërë presion ndaj anëtarëve të familjes së saj.

Teherani është akuzuar prej kohësh për keqtrajtime dhe vrasje të kundërshtarëve politikë jashtë vendit, përfshirë edhe në Evropë.

Në muajt e fundit, tre aktivistë që jetojnë jashtë Iranit, janë arrestuar nga autoritetet e Republikës Islamike.

Ata përfshijnë Ruhollah Zamin, administrator i një kanali të njohur opozitar në Telegram, me bazë në Paris. Ai është ekzekutuar në dhjetor të vitit 2020, pas raporteve se është kapur në Irak në tetor të vitit 2019 dhe është transferuar në Iran. Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë thënë se gjyqi i tij ishte fals.

Aktivistët e opozitës, Jamshid Sharmahd dhe Habib Chaab, besohet se janë arrestuar jashtë Iranit dhe se janë transferuar atje në rrethana të paqarta.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG