Ndërlidhjet

SHBA akuzon katër iranianë për komplot kundër një gazetareje


Gazetarja Masih Alinejad
Gazetarja Masih Alinejad

Katër shtetas iranianë u akuzuan për komplot për të rrëmbyer një gazetare në Nju Jork, bëri të ditur Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Të dyshuarit përfshijnë një zyrtar të inteligjencës iraniane dhe tre pjesëtarë të një rrjeti tjetër të inteligjencës në Iran.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ata kanë bërë komplot për të rrëmbyer gazetaren, duke pasur mbështetjen e Qeverisë iraniane.

Departamenti e identifikoi gazetaren vetëm si shtetase amerikane, me qendër në Bruklin - lagje e Nju Jorkut.

Por, Masih Alinejad, gazetare dhe aktiviste me prejardhje nga Irani, që jeton në këtë lagje, konfirmoi se autoritetet amerikane i kanë thënë asaj se ajo është në mesin e viktimave të shënjestruara dhe se ajo është banorja amerikane që përmendet në aktakuzë.

Alinejad ka kontribuar në shërbimin persik të Zërit të Amerikës, i cili financohet nga Qeveria amerikane, dhe raporton për çështjet e të drejtave të njeriut në Iran.

“I jam mirënjohëse FBI-së për zbulimin e komplotit të Ministrisë së Inteligjencës në Republikën Islamike të Iranit, për të më rrëmbyer. Ky komplot u orkestrua nën [presidentin iranian, Hassan] Rohani”, shkroi Alinejad në Twitter.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Alinejad i falënderoi autoritetet amerikane për mbrojtjen e saj dhe të familjes së saj.

I pyetur nga agjencia e lajmeve Reuters nëse mund të konfirmojë se Alinejad ishte shënjestër e komplotit, Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk pranoi të komentonte.

Prokurorët amerikanë thanë se Qeveria iraniane ka bërë përpjekje ta tërheqë gazetaren në një vend tjetër, ku ishte planifikuar rrëmbimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG