Ndërlidhjet

Pse pandemia shkakton gjendje të “trurit të mjegulluar”?


Performanca e grupit të artit Cirk La Putyka me titull "Izolimi". Pragë, 31 tetor, 2020.
Performanca e grupit të artit Cirk La Putyka me titull "Izolimi". Pragë, 31 tetor, 2020.

Pandemia COVID-19 ka pasur, ndër të tjera, efekte të rëndësishme psikologjike dhe sociale në popullatë.

Studime të shumta kanë nxjerrë në pah ndikimin e saj në mirëqenien psikologjike të grupeve më të ndjeshme, përfshirë fëmijët, studentët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, të cilët kanë më shumë gjasa të zhvillojnë çrregullime të stresit post-traumatik (PTSD), ankth, depresion dhe stres. Pse?

Të harruarit e rutinës

Revista amerikane The Atlantic ka publikuar një artikull që trajton fenomenin e “harresës” gjatë pandemisë COVID-19.

Autorja tregon se një mik i saj ka pranuar se rutina e mëngjesit, që ka mbajtur për një dekadë - “zgjohu para orës 7, bëj dush, vishu, hyr në metro” - tani i duket e paimagjinueshme. Një mik tjetër i saj ka harruar se si ta lidhë kravatën. Një kolege e punës nuk është e sigurt se vogëlushi i saj e mban mend se si është të bësh pazare.

Jen George, mësuese në qytetin Kejp Elizabet, ka thënë se humb gjithnjë e më shumë rrjedhën e mendimit në mes të një fjalie. Fëmija i saj, i cili është në klasën e tretë dhe për një kohë i ka ndjekur mësimet online, sot i harron librat, letrat dhe drekën në shtëpi.

Inny Ekeolu, studente 19-vjeçare nga Irlanda, ka thënë se ka harruar se si t’i bëjë gjërat që i ka bërë rregullisht - të tilla si nxjerrja e biletës në autobus.

Së voni, ajo ka hasur në fotografinë e një shoqeje të ngushtë, që nuk e ka parë që nga izolimi, dhe nuk ka mundur ta njohë.

“Njerëzit harrojnë shumë nga ajo që u ndodh dhe ne e bëjmë këtë shumë shpejt - pas 24 orëve të para. Truri ynë mëson shumë mirë gjëra të ndryshme dhe harron gjëra që nuk janë përparësi”, ka thënë Tina Franklin, një neuroshkencëtare nga Instituti Georgia Tech në Atlanta të SHBA-së.

Studiuesja e kujtesës, Catherine Loveday, e cila është profesoreshë e neuroshkencës në Universitetin Westminster, ka ndarë kërkimet e saj me BBC-në.

Sipas tyre, vetëm disa të anketuar kanë thënë se ndjejnë se kujtesa e tyre është përmirësuar, ndërsa 80 për qind e atyre që kanë marrë pjesë, kanë thënë se të paktën një aspekt i kujtesës së tyre është përkeqësuar.

Ndryshimi më i zakonshëm ka qenë të harruarit kur ka ndodhur një ngjarje apo incident - 55 për qind e njerëzve kanë thënë se u ka ndodhur një gjë e tillë.

Kjo sugjeron se pandemia ka ndikuar në perceptimin tonë të kohës - gjë që nuk është aspak e habitshme. Gama e aktiviteteve tona gjatë izolimit ka qenë shumë e kufizuar - takime në internet, shëtitje, televizion dhe një vakt tjetër në shtëpi. Ditët, javët, muajt janë bashkuar në një.

Kategoria tjetër më e zakonshme përfshin njerëzit që e kanë të vështirë të gjejnë fjalën e duhur në një fjali. Se pse harresa e fjalëve është rritur gjatë izolimit, nuk është e qartë, por thjesht mund të shpjegohet me faktin se shumë njerëz punojnë vetëm nga shtëpia ose të distancuar nga vendi i punës dhe kështu kanë pasur më pak mundësi të flasin personalisht me njerëz të tjerë.

Problemet e tjera në këtë fushë kanë të bëjnë edhe me të harruarit e asaj që u është thënë ose të asaj që kanë thënë se do ta bëjnë.

Një faktor dallues në këtë është gjinia. Gratë kanë thënë më shpesh se u është përkeqësuar kujtesa. Si mund të shpjegohet kjo? Ato duket se kanë përjetuar më shumë ndryshime negative në punë, në lidhjet e tyre dhe në përgjithësi kanë përjetuar më shumë stres. Kjo përshtatet edhe me studime të tjera që kanë treguar se gratë janë prekur më rëndë nga izolimi.

Fëmijët janë veçanërisht të rrezikuar

Distanca fizike dhe sociale dhe masat e sigurisë kanë ndikuar në marrëdhëniet midis njerëzve dhe perceptimin e tyre të ndjeshmërisë për të tjerët, thuhet në një hulumtim të kryer nga mjekët italianë: Valeria Saladino, Davide Algeri dhe Vincenzo Auriemma.

Studimet e mëparshme të epidemive, të tilla si SARS, Ebola, H1N1 dhe të pandemisë aktuale COVID-19 tregojnë se efektet psikologjike të infektimit dhe karantinës nuk janë të kufizuara vetëm në frikën nga infektimi.

Ekzistojnë disa elemente të lidhura me pandeminë, që prekin një pjesë më të madhe të popullsisë, të tilla si: ndarja nga të dashurit, humbja e lirisë, pasiguria nga përparimi i sëmundjes dhe ndjenja e pafuqisë. Këto aspekte mund të çojnë në pasoja dramatike, siç është rritja e numrit të vetëvrasjeve.

Një studim i kryer gjatë pandemisë COVID-19 ka zbuluar se fëmijët dhe të rinjtë rrezikojnë veçanërisht të shfaqin simptoma ankthi.

Studimi është kryer në 1.143 fëmijë italianë dhe spanjollë (të moshave 3-18 vjeç). Prindërit, në përgjithësi, kanë vënë re ndryshime emocionale në sjelljen e fëmijëve të tyre, gjatë karantinës: simptomat që shoqërohen me vështirësi në përqendrim (76.6 për qind), mërzi (52 për qind), nervozë (39 për qind), shqetësim (38.8 për qind), ndjenja të vetmisë (31.3 për qind).

Problemet ekonomike dhe ngadalësimi i aktivitetit ekonomik shoqërohen me simptoma të ankthit. Një sondazh online, i kryer te popullata e përgjithshme në Kinë, ka zbuluar se studentët kanë më shumë të ngjarë të përjetojnë stres, ankth dhe depresion gjatë një pandemie, sesa të tjerët.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë në një ngjarje për mirëqenien mendore se shërbimet e shëndetit mendor kanë vuajtur nga neglizhenca dhe investimet e pakta.

“Pandemia COVID-19 e ka përkeqësuar problemin. Miliona fëmijë nuk ndjekin shkollën, gjë që e rrit cenueshmërinë e tyre ndaj dhunës dhe stresit mendor”, ka thënë Guterres, për të shtuar se “mbështetja e mirëqenies mendore të fëmijëve duhet të jetë një përparësi”.

Mbështetja e rrethit

Punonjësit shëndetësorë janë një kategori e popullatës që preket veçanërisht nga stresi.

Në situata katastrofike, ata rrezikojnë të shfaqin simptoma si: stresi post-traumatik, rraskapitja fizike dhe emocionale, apo depersoni. Gjatë epidemisë së SARS-it, deri në 50 për qind e punonjësve të kujdesit shëndetësor kanë vuajtur nga stresi akut psikologjik, lodhja dhe stresi postraumatik.

Të dhënat e një ankete me 1.257 profesionistë shëndetësorë, që u kanë ndihmuar pacientëve në pavijonet e sëmundjes COVID-19, kanë treguar një përqindje të lartë depresioni (50 për qind), pastaj ankth (44.6 për qind), pagjumësi (34 për qind) dhe stres (71.5 për qind).

Gjithashtu, frika e vazhdueshme nga infektimi çon në mendime obsesive, duke rritur mbylljen e një personi dhe duke zvogëluar marrëdhëniet shoqërore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka punuar me partnerët, për të zhvilluar një sërë udhëzimesh dhe materialesh mbi aspektet e shëndetit mendor dhe mbështetjen psiko-sociale gjatë pandemisë COVID-19.

“Mos i quani ata 'raste me COVID-19', 'viktima', 'familje me COVID-19' ose 'të sëmurë'. Ata janë 'njerëz që kanë COVID-19', 'njerëz që janë duke u trajtuar për COVID-19' ose 'njerëz që po shërohen nga COVID-19' dhe pasi të shërohen nga COVID-19, jeta e tyre do të vazhdojë dhe ata do t’i bëjnë punët e tyre, do të jetojnë me familjet dhe të dashurit e tyre”, thuhet në disa udhëzime të OBSH-së.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG