Ndërlidhjet

Biden shpall planin për ta luftuar valën e krimit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka shpallur një plan për financimin më të lartë të policisë, si përpjekje për ta luftuar rritjen e numrit të vrasjeve. Ai tha se zyrtarët në zonat e krimit mund të punësojnë më shumë personel të zbatimit të ligjit.

Strategjia e presidentit Biden për luftimin e krimit synon kufizimin e tregtarëve mashtrues të armëve dhe të trafikut të armëve të zjarrit.

Qytetet e mëdha amerikane janë përballur me një rritje të të shtënave, vrasjeve dhe grabitjeve të armatosura, dhe presidenti paralajmëroi amerikanët se këto nivele mund të shënojnë rritje gjatë verës, pas disa muajsh bllokimi për shkak të pandemisë.

Duke shpallur strategjinë e tij me pesë pika në Shtëpinë e Bardhë, të mërkurën (23 qershor), presidenti u kërkoi qyteteve dhe shteteve të përdorin mjetet financiare në vlerë prej 350 miliardë dollarësh, nga një masë për përballje me pandeminë COVID-19.

"Kjo do të thotë më shumë oficerë policie, më shumë infermierë, më shumë këshilltarë, më shumë punonjës socialë ose parandalues të dhunës në komunitet, për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve, përpara se të përshkallëzohen në krime", tha presidenti.

"Ne nuk po e ndryshojmë Kushtetutën, por po e zbatojmë atë", shtoi Biden.

Kjo mbase ishte një përgjigje ndaj kritikëve republikanë, të cilët kanë thënë se përpjekjet e presidentit për kontrollin e armëve përbëjnë tejkalim të kompetencave kushtetuese.

Në muajin mars, Byroja Federale e Hetimeve (FBI) publikoi të dhënat paraprake të vitit 2020, sipas të cilave numri i vrasjeve ishte 25 për qind më i lartë se një vit më parë.

Trendi i rritjes ka vazhduar deri në vitin 2021.

FBI-ja do të bëjë publike të dhënat e reja në muajin shtator. Nëse dalin parashikimet e hershme, ky vit do të shënojë një nga rritjet më të mëdha të vrasjeve të raportuara ndonjëherë.

"Kjo ishte një rritje e madhe e dhunës në shkallë kombëtare", i tha BBC-së, Jeff Asher, bashkëthemelues i AH Datalytics dhe një ish-analist për CIA-n (Agjencia Qendrore e Inteligjencës) dhe Departamentin e Mbrojtjes.

Disa analistë kanë fajësuar pandeminë e COVID-19 për valën e vrasjeve, megjithëse hulumtimet tregojnë se nivelet globale të krimit jashtë SHBA-së shënuan rënie ose nuk kishin luhatje të mëdha gjatë izolimeve për shkak të pandemisë.

Presidenti Biden tha se aktualisht ka shumë njerëz që janë në gjendje të blejnë armë, por nuk duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë.

Për vite më radhë, shumë demokratë kanë kërkuar miratimin e masave më të ashpra për kontrollin e armëve. Por, përpjekjet kanë dështuar në mënyrë të vazhdueshme.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dy projektligje që synonin një kontroll më të madh të armëve.

Por, masat nuk kanë gjasa të kalojnë Senatin, ku demokratëve do t’iu duhen votat e të paktën 10 republikanëve për të arritur 60 votat e nevojshme në mënyrë që të miratohet legjislacioni.

Në muajin prill, presidenti Biden kishte shpallur masa të reja për të trajtuar dhunën me armë në SHBA, të cilën e përshkroi si “krizë të shëndetit publik”.

“Sot po ndërmarrim hapa për t’iu kundërvënë jo vetëm krizës me armë, por edhe asaj që në fakt është krizë e shëndetit publik”, tha Biden para një audience të mbledhur në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, e cila përfshinte edhe familjarë të viktimave të dhunës me armë.

“Kjo është një epidemi, për hir të Zotit, dhe duhet të ndalet”.

“Dhuna me armë në këtë vend është një epidemi dhe është një turp ndërkombëtar”, pati thënë Biden.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG