Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, zbuloi një paketë të madhe stimuluese, e cila, siç tha, i duhet SHBA-së për t’iu përgjigjur krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Biden, i cili do të inaugurohet më 20 janar, e përshkroi situatën aktuale si një “krizë të vuajtjeve të thella njerëzore” dhe tha se nuk ka kohë për të humbur në adresimin e problemeve.
“Nuk është e vështirë të shohësh se jemi në mes të një krize ekonomike, që ndodh një herë në disa breza, së bashku me një krizë të shëndetit publik, që ndodh një herë në disa breza”, tha Biden.
Paketa e ndihmës përfshin 415 miliardë dollarë për të forcuar përgjigjen ndaj virusit dhe shpërndarjen e vaksinave, rreth 1 trilion dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet dhe afërsisht 440 miliardë dollarë për bizneset e vogla dhe komunitetet që janë goditur veçanërisht nga pandemia.
Shanset që ky plan të fitojë mbështetjen në Kongres, janë të paqarta.
Shumë republikanë kanë kundërshtuar përdorimin e parave të huazuara për të paguar stimulin.
Por, kontrolli i porsafituar i demokratëve si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat, ka të ngjarë t’i ndihmojë shanset e planit për t’u miratuar.
Biden pranoi se propozimi i tij “nuk vjen me çmim të lirë, por tha se nëse bëhen më shumë shpenzime tani, do të zvogëlohej dëmi afatgjatë ekonomik, i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka vrarë mbi 385,000 njerëz në SHBA.