Ndërlidhjet

Sofja kërkon nga Shkupi marrëveshje për identitetin maqedonas


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Bullgaria kërkon marrëveshje të re me Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga ajo për fqinjësi të mirë që ishte arritur në gusht të vitit 2017, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, Risto Nikovski dhe Arsim Sinani, duke komentuar vizitën të enjten në Sofje, të kryeministrit, Zoran Zaev dhe takimet me kreun shtetëror bullgar.

Përveç angazhimit deklarativ apo nevojës për vazhdim të dialogut, në takimet e realizuara nuk u shënua asnjë përparim, madje presidenti bullgar theksoi nevojën për një marrëveshje të re, që sipas ish diplomatit Risto Nikovski, interpretohet si marrëveshje për zhbërjen e identitetit maqedonas.

Nikovski thotë për Radion Evropa e Lirë, se takimet ishin të panevojshme, pasi që pozicionet e Bullgarisë, tani më janë të njohura për opinionin e gjerë.

“Kërkesa e presidentit Radev mbi nevojën e një marrëveshje të re, është diçka që ne vet po e kërkojmë dhe tani jemi në situatë të heqjes dorë nga marrëveshja e përkuljes, lutjes, të gjithë asaj që kërkon pala bullgare. Nuk ka asnjë dilemë për atë se çfarë kërkon Bullgaria nga ne dhe këtë e ka bërë të qartë në mënyrën më zyrtare të mundshme, në Qeveri dhe Parlament. Ajo kërkon që ne të pranojmë se deri në vitin 1945, nuk ka pasur maqedonas, se nuk ka pasur gjuhë maqedonase, apo se ne jemi ende bullgarë të fjetur, apo se kemi ndryshuar pak, por se pas Luftës së Dytë Botërore, kemi një identitet të ri me prejardhje bullgare”, thotë Nikovski.

Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se një marrëveshje me Sofjen është e domosdoshme, ashtu siç ka thënë presidenti bullgar Rumen Radev. Sipas tij, pa një marrëveshje, zhbllokim të procesin integrues nuk mund të ketë.

“Nuk mendoj se Bullgaria do të lëshoj pe për arsye se kontesti, qartazi ka të bëjë me çështje historike, të identitetit, gjuhësore dhe kombëtare, si dhe nuk besoj se Bullgaria do të bëjë lëshime. Por pjesa e politikanëve të Maqedonisë së Veriut, nuk e kupton se duhet të bëjnë kompromis për shkak se ai do të ndihmonte në kapërcimin e situates, për të lëvizur drejt asaj që vendit t’i mundësohet vazhdimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thotë Sinani, duke shtuar se pala maqedonase duhet të pranoj të kaluarën historike, apo se ka më shumë lidhshmëri me Sofjen, por se largimi mes dy popujve, sipas tij, ndodhi pas vitit 1945, kur maqedonasit nisën të ndikohen nga fryma jugosllave për krijimin e një identiteti të ri.

“Situata është pak e ndërlikuar për shkak se nga viti 1945 e këndej në identitetin e maqedonasve të sotëm është investuar që ata të ikin nga identiteti i tyre i vërtetë i para vitit 1945, që realisht më i përafërt ka qenë me Bullgarinë. Dhe Maqedonisë së Veriut i duhet një kohë që të lirohet nga fryma jugosllave dhe të pranojë të kaluarën e vet, pasi në të kundërtën do të kemi probleme të cilat do ti paguajnë jo vetëm maqedonasit, por edhe qytetarët e tjerë që jetojnë në këtë vend”, thotë Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Kryeministri Zoran Zaev, tha se në takimin me drejtuesit e lartë bullgarë, ka dorëzuar një propozim për zhbllokimin e procesit negociues, por pa dhënë detaje se për çfarë propozimi bëhet fjalë.

Jo zyrtarisht, bëhet e ditur se propozimi bazohet në atë të presidencës portugeze me BE-në, që siç është bërë e ditur, ka të bëjë me pranimin e palës maqedonase të modifikimit të çështjeve të identitetit pas vitit 1945, por pa saktësuar prejardhjen e maqedonasve apo të gjuhës së tyre para kësaj periudhe.

Ish diplomati Risto Nikovski, thotë se çfarëdo që të jetë propozimi i Zaevit, paraqet kapitullim para palës bullgare.

“Propozimet që i paraqet pala maqedonase, nuk janë gjë tjetër pos kapitullim, ashtu siç u bë me Greqinë, por shpresoj se këtë populli nuk do ta lejojë. Ne nuk duhet të ngutemi me datën e bisedimeve. Kjo më duket jo normale, pasi sikur edhe sot të nisim bisedimet, ato mund të zgjasin 15 apo 20 vjet, ndërkohë që ne po humbim gjithçka që ka të bëjë me identitetin tonë”, thotë ish diplomati Risto Nikovski.

Pavarësisht kësaj, drejtuesit e institucioneve, thotë se dialogu me palën bullgare do të vazhdojë dhe nëse jo në samitin evropian të 22 qershorit, atëherë deri në vjeshtë apo më së voni deri në fund të vitit, vendi do të arrijë ndonjë kompromis me Sofjen, për zhbllokimin e integrimit evropian.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG