Ndërlidhjet

Vizita e Zaevit në Sofje, pa epilog për heqjen e vetos


Kryeministri i Bullgarisë, Stefan Yanev dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri i Bullgarisë, Stefan Yanev dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev të enjten ka qëndruar në Bullgari në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Sofjen para samitit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së, më 22 qershor në Luksemburg.

Pas takimit në Sofje me kryeministrin bullgar në detyrë, Stefan Janev, kryeministri maqedonas tha se kapërcimi i dallimeve mes dy vendeve është i mundur, por se për këtë nevojitet përkushtim nga të dyja palët.

“Kemi biseduar për thelbin e problemit përmes udhërrëfyesit dhe propozimit portugez. Neve na takon që të flasim për raportet dypalëshe. Kemi një hapë para dhe zgjidhja është e mundur”, ka deklaruar Zaev pa dhënë detaje tjera mbi rrjedhën e bisedimeve dhe thelbin e kontestit që ka të bëjë me identitetin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe të kaluarën historike, kontestohen nga pala bullgare.

Kryeministri bullgar, Janev tha se Bullgaria mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por edhe ai nuk dha detaje mbi rrjedhën e bisedimeve dhe kushtet e palës bullgare për të hequr veton e fillimit të bisedimeve të anëtarësimit evropian.

“Si fqinj, miq, popuj vëllezër, kemi nevojë për komunikim të shpeshtë dhe shkëmbim mendimesh. Për vite, politika e Bullgarisë ka qenë e orientuar drejt mbështetjes së fortë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE. Delegacioni i Zaevit doli me një propozim konkret, të cilin do ta shqyrtojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe profesionale në ditët në vijim”, ka deklaruar Janev duke mos dhënë asnjë shpresë për heqjen e vetos bullgare të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

Kryeministri maqedonas paraprakisht ka zhvilluar takime dhe me drejtues tjerë të lartë shtetëror bullgarë përfshirë edhe presidentin Rumen Radev, i cili siç ka bërë të ditur presidenca bullgare ka theksuar “nevojën për dialog të drejtpërdrejtë dhe të hapur për të arritur përparim real me Maqedoninë e Veriut”.

Por, ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i ka thënë Zaevit se “nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje midis Shkupit dhe Sofjes, brezat e ardhshëm të të dyja vendeve do të urrejnë njëri-tjetrin dhe nuk do të realizohen projekte të rëndësishme në infrastrukturë”.

Kryeministri maqedonas ndërkohë ka paralajmëruar mundësinë që para anëtarësimit në BE, Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën me qëllim që edhe pakica bullgare të jetë pjesë e preambulës së aktit më të lartë juridik në vend.

Pavarësisht toneve pozitive, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka bërë të ditur se ende nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

“Qëndrimi lidhur me kornizën për negociatat për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet e pandryshuar. Kuadri negociues duhet të përmbajë garancitë e nevojshme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë të vitit 2017, të cilat aktualisht nuk janë përmbushur. Prandaj, kushtet për të zhvilluar një Konferencë Ndërqeveritare nuk janë përmbushur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG