Ndërlidhjet

SHBA-ja sinjalizon vëmendje më të madhe në Ballkan


Shtëpia e Bardhë. Fotografi nga arkivi.
Shtëpia e Bardhë. Fotografi nga arkivi.

Urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan, Joe Biden, është një sinjal për prani më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor, thotë ish-ambasadori i Kosovës në SHBA dhe Turqi, Avni Spahiu.

Përmes këtij urdhri, parashihet që t’iu bllokohet prona dhe t’u pezullohet hyrja në SHBA të gjithë atyre që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Biden ka përtërirë urdhrin e vitit 2001, të lëshuar nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në Ballkan, që parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuar për Kosovën.

Urdhrit të ri i është shtuar edhe shteti i Shqipërisë, lufta ndaj korrupsionit si dhe Marrëveshja e Prespës e vitit 2018 për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ish-ambasadori Spahiu beson se në të ardhmen e afërt, ky dekret do të jetë edhe më konkret, me emra dhe shpjegime shtesë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke i ndjekur me kujdes zhvillimet në Ballkan, por do të thosha edhe me një shqetësim për rikthimin e sjelljeve nacionaliste dhe sjelljeve të papërgjegjshme të liderëve ballkanikë dhe dëshirojnë që ta bëjnë edhe një përpjekje për ta ndalur këtë trend”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, përmes këtij urdhri po jepet një sinjal për një prani më të madhe të SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Përpos asaj anës ligjore që përmban ky dekret, është edhe një nga dëshmitë që kjo administratë do të jetë më pranë rajonit. Duhet pritur që Shtetet e Bashkuara të jenë më aktive në përgjithësi në Ballkan, por në këtë kuadër edhe në dialogun që pritet të rifillojë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Spahiu.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka sqaruar në Facebook se disa marrëveshje dhe dokumente nuk janë përfshirë në këtë urdhër ekzekutiv, siç është dokumenti i finlandezit, Martti Ahtisari, nga i cili është shpallur pavarësia e Kosovës.

“Arsyeja pse nuk është shtuar marrëveshja e presidentit Ahtisari është se një formulim i tillë do t’ua pamundësonte të gjithë zyrtarëve serbë hyrjen në SHBA”, ka shkruar Çitaku.

Kërcënimi për politikanët që bien ndesh me interesat e SHBA-së

Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë.

Sipas njoftimit, ky ndalim është bërë për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Analisti Agon Maliqi, i cili jeton në Shqipëri, thotë për Radion Evropa e Lirë se një ndër risitë e urdhrit të ri të presidentit Biden, është pikërisht zgjerimi i hapësirës gjeografike për ta përfshirë edhe Shqipërinë, ndërkohë që urdhri i mëparshëm mbulonte vetëm shtetet e ish-Jugosllavisë.

Sipas tij, ndryshimet që janë bërë në përmbajtjen e tekstit të urdhrit i reflektojnë shqetësimet dhe prioritetet aktuale të SHBA-së në Ballkan dhe se problemet e Shqipërisë, tani shihen si plotësisht të ndërlidhura me pjesën tjetër të rajonit të mbetur jashtë BE-së.

“Miratimi i këtij urdhri në këtë moment është tregues i një dinamike të re në politikën e SHBA-së ndaj rajonit me ardhjen e administratës së re, por mund të lexohet edhe si kërcënim ndaj lojtarëve politikë të cilët bien ndesh me interesat strategjike të SHBA-së në rajon”, thotë Maliqi.

Maliqi është skeptik se Kosova do të marrë ndonjë fokus të veçantë në këtë kohë.

Ai thotë se angazhimi amerikan në rajon varet edhe nga mundësia për të arritur diçka.

“Lidershipi i sotëm i Kosovës deri tani, me këtë qasje të ikjes prej përgjegjësive, nuk e ka arsyetuar dhe as nuk e motivon angazhimin më të madh amerikan në dialog”, thotë Maliqi.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor, ku është paraparë të mbahet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nga Bushi deri te Biden

Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.

Presidenti aktual amerikan, Joe Biden e ka ripërtërirë dhe aty parashihen edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

“Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë e ka shpallur luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG