Ndërlidhjet

Blinken: SHBA-ja e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se SHBA-ja është e përkushtuar për të promovuar demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha vendet e Ballkanit Përendimor, në përputhje me standardet që këto vende duhet të plotësojnë për të shënuar përparim në rrugën e tyre evropiane.

Deklarata e Sekretarit Blinken pason njoftimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për zgjerimin e masave të një Urdhëri Ekzekutiv që parasheh bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Blinken ka thënë se ky urdhër është një mjet thelbësor “drejt arritjes së këtij qëllimi të përbashkët” për rrugën evropiane të këtyre vendeve.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë përmes një postimi në Twitter ka thënë se Urdhëri Ekzekutiv ofron mundësi të reja për t'iu përgjigjur kërcënimeve më serioze ndaj stabilitetit në të gjithë rajonin përfshirë korrupsionin, veprimet që minojnë qeverisjen demokratike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Urdhëri është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mirëpo tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve të tyre. tanë.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të nxitur llogaridhënien dhe për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-Presidenti George Bush, pas luftrave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën dhe kërcënonte stabilitetin në rajon.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG