Ndërlidhjet

Biden: Sanksionet ndaj gazsjellësit do të dëmtonin lidhjet me aleatët evropianë


Presidenti amerikan Joe Biden.
Presidenti amerikan Joe Biden.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se administata e tij ka vendosur të heqë sanksionet ndaj projektit të gazsjellësit Rrjedha Veriore 2, sepse ai veçse është finalizuar dhe se sanksionet do të dëmtonin lidhjet me aleatët evropianë.

“Është pothuajse i kompletuar”, ka thënë Biden për gazsjellësin që do të çojë gaz nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik.

“Nuk është se unë mund ta lejoj Gjermaninë të bëjë diçka apo jo.. vendosja e sanksioneve tani mendoj se nuk do të ishte produktive sa u përket lidhjeve tona me evropianët”, ka thënë ai para gazetarëve, duke shtuar se ka qenë kundër projektit prej bërjes publike të tij.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se kompania, e cila është mbrapa gazsjellësit dhe udhëheqësi i saj gjerman Matthias Warnig, aleat i presidentit rus Vladimir Putin, janë përfshirë në aktivitete që duhet sanksionuar.

Megjithatë administrata Biden ka hequr sanksionet duke thënë se diçka e tillë është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Në Uashington, heqja e sanksioneve është pritur me kritika nga republikanët dhe disa demokratë.

Gazsjellësi, që tani është 95 për qind i kompletuar dhe puna për të mund të finalizohet në shtator, ka qenë në qendër të përplasjeve politike në mes të Berlinit dhe Uashingtonit gjatë administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Mirëpo prej ardhjes në pushtet të Bidenit, ai ka tentuar të rikthejë lidhjet me Evropën.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se gazsjellësi do ta bëjë Evropën më të varur nga furnizimet me energji të Rusisë.

Qeveria gjermane ka refuzuar të ndalë punën në projekt, duke thënë se kjo është çështje sovrane e saj.

Biden, i cili do të takohet ndaras me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Putinin gjatë një udhëtimi në Evropë, në muajin qershor, ka thënë se gjermanët janë të vetëdijshëm për shqetësimet e amerikanëve.

“Ata e dinë si ndihem unë dhe shpresoj se do të mund të punojmë për ta menaxhuar këtë gjë tani e tutje”, ka thënë ai.

Më 24 maj, Merkel ka thënë se pret që të diskutojë më gjerësisht me SHBA-në për këtë projekt, pas heqjes së sanksioneve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG