Ndërlidhjet

Bidenit i kërkohet të rishikojë vendimin për gazsjellësin rus


Rreth 95 për qind e gazjellësit Rrjedha Veriore 2 ka përfunduar dhe i gjithë projekti mund të përfundojë deri në shtator.
Rreth 95 për qind e gazjellësit Rrjedha Veriore 2 ka përfunduar dhe i gjithë projekti mund të përfundojë deri në shtator.

Disa ligjvënës amerikanë i kanë kërkuar presidentit, Joe Biden, të rishqyrtojë vendimin e tij për të hequr dorë nga disa sanksione në lidhje me gazjellësin Rrjedha Veriore 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë.

Ligjvënësit kanë argumentuar se masa është kundër "interesave të sigurisë kombëtare dhe transatlantike të SHBA-së".

"Ne besojmë fuqimisht se është në interesin kombëtar të SHBA-së mbrojtja e sovranitetit të Ukrainës dhe mbrojtja e Evropës Lindore nga agresioni rus", thanë në një deklaratë të përbashkët, ligjvënësit Marcy Kaptur, Andy Harris, Mike Quigley dhe Brian Fitzpatrick.

Administrata e presidentit Biden më 19 maj sanksionoi disa kompani dhe anije për punën e tyre në projektin Rrjedha Veriore 2, por hoqi dorë nga ndëshkimet për kompaninë që merret me ndërtimin dhe shefin ekzekutiv të saj, Matthias Warnig.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se masa ishte "në përputhje me angazhimin për të forcuar marrëdhëniet transatlantike si një çështje e sigurisë kombëtare".

Ai gjithashtu ka thënë se administrata amerikane do të "vazhdojë të kundërshtojë përfundimin" e projektit prej 12 miliardë dollarësh.

Vendimi për të mos sanksionuar Rrjedha Veriore 2 - një filial i Gazpromit rus dhe Warnig, zemëroi shumë ligjvënës demokratë dhe republikanë, por u përshëndet nga Kremlini dhe Berlini.

Rrjedha Veriore 2 është përfunduar rreth 95 për qind dhe i gjithë projekti mund të përfundojë deri në shtator.

Gazsjellësi, ka qenë një pikë grindjeje midis Berlinit dhe Uashingtonit.

Ky tubacion parashihet se do të transportojë 55 miliardë metra kub gaz natyror çdo vit direkt nga Rusia në Gjermani. Ai gjithashtu do të anashkalojë Ukrainën, një vend aleat i Perëndimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG