Ndërlidhjet

Orare të gjata pune, por edhe ankesa për produktivitet


Punëtorë duke ngarkuar rrushin e vreshtave në një kamion, afër Negotinit, Maqedoni e Veriut.
Punëtorë duke ngarkuar rrushin e vreshtave në një kamion, afër Negotinit, Maqedoni e Veriut.

Punëtorët në Maqedoninë e Veriut, radhiten në krye të vendeve të Evropës, sa u përket orëve të punës brenda një jave, ndërkohë që punëdhënësit ankohen se punëtorët e angazhuar nuk janë produktivë.

Në bazë të të dhënave të Eurostatit, punëtorët në Maqedoninë e Veriut, brenda javës punojnë mesatarisht 39.6 orë, duke u pozicionuar në vendin e katërt mes vendeve të Evropës, për sa i përket kohëzgjatjes së punës brenda jave.

Para Maqedonisë së Veriut, me më shumë orë punë brenda javës, janë Greqia dhe Serbia, përderisa në vendin e parë gjendet Mali i Zi me 44.5 orë pune në javë.

Të dhënat e Eurostatit, tregojnë se gjatë një jave, punëtorët në Gjermani punojnë 34 orë, në Itali 35.6 orë, kurse në Francë 36.3 orë, si të dhëna mesatare në bazë javore.

Sindikalistët thonë se gjendja është edhe më e keqe sesa tregohet realisht, pasi jo rrallëherë, java e punës në Maqedoninë e Veriut në "të zezë”, përkatësisht jashtë marrëveshjeve për punë, zgjat mbi 40 orë.

Sipas sindikalistëve, kjo dukuri mund të luftohet vetëm nëse institucionet përkatëse reagojnë me kohë dhe nuk i shohin përmes gishtërinjve punëdhënësit që kanë lidhje të afërta me strukturat e caktuara me pushtetin.

“Nëse pushteti ka dëshirë të heqë dorë nga ndikimi tek inspektorati i punës, të çlirojë organet kompetente nga influenca politike, atëherë mund të shpresohet se inspektorët, të cilët do të dalin në terren, me përpikshmëri do të vihen në funksion të respektimit të ligjit për marrëdhënie pune, përkatësisht, respektimin e të drejtave të punëtorëve”, konsideron kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Bllagoja Rallpovski.

Nga ana tjetër, Menderes Kuçi, si afarist, thotë se rritja e produktivitetit të punëtorëve në Maqedoninë e Veriut, mbetet peng i profesionalizimit të kuadrove që kërkohen në tregun e punës.

“Punësimet bëhen sipas njeriut që ke gjetur dhe jo në bazë të plotësimit të kritereve që kërkohen për vendin e caktuar të punës, por e përsëris, lidhjeve që dikush shfrytëzon për sigurimin e një vendi të punës. Gjithmonë është synuar që t'iu gjendet punë njerëzve dhe jo vendit të punës njeriun e duhur, e kjo si duket ka të bëjë me sistemin e arsimit që nuk është adekuat, as ndaj normave ndërkombëtare dhe as ndaj kërkesave të biznesit, përkatësisht kërkesave të tregut të punës, e as asaj që biznesi ofron mundësi të ndryshime për riedukimin e stafit të punës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Menderes Kuçi, afarist.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriore thonë se punëtori duhet trajtuar si aseti thelbësor për çdo biznes, në përputhje me praktikat e vendeve të zhvilluara evropiane, në mënyrë që punëtorët të stimulohen për të dhënë maksimumin e tyre.

“Trendet botërore dëshmojnë se sot fokusi duhet të jetë në punëtorin apo fuqinë punëtore, për faktin se nëse punëtori është i kënaqur, atëherë ai do të bëjë çmos që edhe klienti i tij të jetë i kënaqur me punën, përkatësisht shërbimin që e merr nga një kompani konkrete”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Drilon Iseni, Drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriore.

Ndërkaq, nga dikasteri i punës dhe politikës sociale, kanë bërë të ditur se në bashkëpunim me punëdhënësit, aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe sindikalistët, po punohet në hartimin e një ligji të ri për marrëdhënie pune, pasi ligji aktual është i vjetër më shumë se 16 vjet dhe te i njëjti, është intervenuar më shumë se 20 herë gjë që e ka bërë vështirë të zbatueshëm.

Pandemia ka përkeqësuar edhe më shumë statusin e punëtorëve

Në adresë të lidhjes së sindikatave, gjatë vitit të kaluar, me fillimin e pandemisë, qytetarët kanë parashtruar numër rekord të parashtresave edhe atë mbi 80 mijë parashtresa, për sa i përket shkeljes së të drejtave të punëtorëve.

Ankesat e punëtorëve kanë të bëjnë me mospagesën me kohë të pagës, ankesa për largim nga puna, uljen e pagave në kundërshtim me marrëveshjen për punë, transformimin e marrëveshjeve për punë etj.

Në adresë të institucionit Avokati i Popullit, gjatë vitit të kaluar 2020, me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit të ri, kanë arritur mbi 250 parashtresa që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në institucionet e shtetit.

“Marrë parasysh specifikën e pandemisë, që e shënoi këtë vit raportues, pranë Avokatit të Popullit ishin deponuar parashtresa, në të cilat parashtruesit reagonin për trajtimet e ndryshme dhe të drejtat që i kanë prindërit në lidhje me çështjen për kujdesin e fëmijëve, për shkak të gjendjes së shkaktuar nga koronavirusi i ri”, theksohet në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2020.

Lidhja e Sindikatave në Maqedoninë e Veriut, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Punëtorëve më 1 Maj, organizon dhe një marsh protestues.

Gjatë kohës së pandemisë, punëtorët e më shumë lëmive kanë dalë për të protestuar, për të shprehur revoltën tyre për sa i përket pakënaqësive për shkak të mospërfshirjes së kërkesave të tyre në masat anti-krizë të qeverisë, siç ishin gastronomët, agjencitë turistike, punonjësit në objektet për organizmin e eventeve, muzikantët, transportuesit, bujqit, llogaritarët etj.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG