Ndërlidhjet

Rritja e pagës mesatare nuk e ulë varfërinë


Shkup, fotografi nga arkivi.
Shkup, fotografi nga arkivi.

Menan Abdullahu nga Tetova është një nga pensionistët e shumtë, që me të ardhurat mujore prej 6.000 denarëshe apo rreth 100 euro, nuk arrin të mbulojë as gjërat më elementare për jetesë.

Ai thotë se jo vetëm pensionistët, por edhe të punësuarit në veprimtari të ndryshme, po përballen me gjendje të rënduar ekonomike për shkak krizës që ka shkaktuar pandemia, e cila ka rritur çmimet, por jo edhe pagat e pensionistëve dhe të punonjësve të tjerë.

“Është e pamundur të jetohet me 6.000 denarë. Më këto para nuk mundemi të mbulojmë as gjërat elementare, si energjinë elektrike, telefonin dhe shërbimet tjera, e çfarë do të mbetet për ushqim e diçka tjetër, siç janë edhe ilaçet e nevojshme. Pensionisti është lënë krejtësisht pas dore, ata janë lënë në mëshirën e Zotit”, thotë Abdullahu.

Aleksandar Toshevski, është një tjetër qytetar nga Ohri, i cili për shkak të pandemisë ka humbur vendin e punës në sektorin e turizmit. Ai thotë se gjendja është rënduar për të por dhe shumë të tjerë, të cilët ose kanë humbur vendet e punës ose u janë ulur pagat në masë të madhe.

“Pasi mbeta pa punë u bë një kthesë e madhe në familjen tonë, në kuptimin e përkeqësimit të gjendjes ekonomike. Kemi një fëmijë të vogël, që sapo kishte nisur të shkonte në shkollë. Bashkëshortja punon në një kompani që nuk është goditur dhe aq shumë nga pandemia dhe shkon në punë, por të ardhurat e saj mezi arrijnë të mbulojnë shpenzimet më elementare për jetë”, thotë Toshevski.

Por, përkundër vlerësimeve të tilla, Enti Shtetëror i Statistikës ka dalë me informacionin mbi rritjen e pagës mesatare në Maqedoninë e Veriut. Sipas Entit të Statistikës, rroga e muajit janar ka arritur në 28.272 denarë apo 495 euro, që krahasuar me janarin e një viti më parë është më e lartë për 2.7 për qind.

Rritje pagash, Enti i Statistikës ka regjistruar në sektorët e shëndetësisë dhe aktivitetet e mbrojtjes sociale me 12.4 për qind, në sferat e artit, argëtimit dhe rekreacionit me 8.4 për qind si dhe në sferën e informacionit dhe komunikimit me 8.3 për qind.

Por, të dhënat e tilla janë joreale për Konfederatën e Sindikatave të Lira, e cila vlerëson se rritja e prezantuar, më tepër i atribuohet humbjes së vendeve të punës gjatë periudhës së pandemisë sesa rritjes së pagave në disa sektorë të caktuar.

“Është joreale të thuash se kemi rritje të pagës mesatare pasi shumë punëtorë me page minimale kanë humbur vendet e tyre të punës. Sipas analizave që kemi bërë, gjatë krizës së pandemisë, mes 50.000 dhe 60.000 persona kanë humbur vendet e tyre të punës dhe nga këta persona afër 80 për qind kanë marrë pagë minimale. Nëse këta persona hiqen nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, atëherë mbeten ata me paga të mesme dhe paga të larta dhe këtu vetvetiu kemi rritje të pagës mesatare. Kjo rritje e pagës mesatare nuk është reale”, thotë për Evropën e Lirë, Bllagoja Ralpovski, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira.

Edhe Alaudin Zeqiri, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë se rritja e prezantuar nuk korrespondon me realitetin. Ai thotë se shifrat qëndrojnë, por nuk mund të thuhet se janë si pasojë e rritjes së pagave.

“Në pamje të parë, në mënyrë populiste duket se kemi rritje të pagës mesatare, por pandemia ka vënë në pah efekte negative në veprimtarinë afariste apo të biznesit dhe ky është një barometër që tregon se nuk mund të ketë efekte pozitive apo të jetë reale një rritje e tillë. Nuk mund të mburremi se kemi rritje të pagës mesatare dhe në anën tjetër të kemi humbje të vendeve të punës”, thotë Zeqiri.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG