Ndërlidhjet

Mosbesim ndaj vaksinave si pasojë e lajmeve të rreme


Qendra e vaksinimit kundër COVID-19, "Boris Trajkovski" në Shkup, 5 prill 2021.
Qendra e vaksinimit kundër COVID-19, "Boris Trajkovski" në Shkup, 5 prill 2021.

Rreth 20 për qind e qytetarëve, të cilët janë regjistruar për të marrë vaksinën kundër COVID-19, nuk janë paraqitur në terminin e caktuar. Mjekët amë thonë se një pjesë e madhe e qytetarëve ende kanë frikë nga vaksinat, si rrjedhojë e shumë lajmeve të rreme.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në vazhdimësi theksojnë se imuniteti kolektiv nuk mund të arrihet as përmes vaksinimit, nëse nuk vaksinohet pjesa më e madhe e qytetarëve.

Rezultatet e hulumtimit të Institutit për Dialog Strategjik, kanë nxjerrë në pah se një numër i madh i qytetarëve ende besojnë në teori konspirative për sa i përket prejardhjes së virusit.

Emir Hasanoviq, për Radion Evropa e Lirë, thotë se hulumtimi të cilin e ka realizuar Instituti për Dialog Strategjik, nxjerrë në pah se 80 për qind e të anketuarve, kanë deklaruar se të paktën një herë brenda javës janë ballafaquar me lajme të rreme.

Marrë parasysh këtë fakt, shton Hasanoviq, është e kuptueshme që qytetarët të mos kenë besim të mjaftueshëm në vaksina, gjegjësisht në procesin e vaksinimit.

"Pesëdhjetepesë për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur se nuk duan ta marrin vaksinën, prej të cilëve 38 për qind besojnë se vaksinat janë të dëmshme, përderisa 29 për qind e tyre mendojnë se vaksinat nuk funksionojnë fare. Në një moment kur shteti ynë nuk ka vaksina të mjaftueshme, vijmë në përfundim se edhe po t’i kishim, do të ishte e kotë, sepse për arritjen e imunitetit kolektiv, ka nevojë për një përqindje shumë më të lartë të qytetarëve që do të vaksinoheshin”, thotë Emir Hasanoviq.

Edhe anketa të cilën e ka realizuar Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, tregon se vetëm 56.4 për qind e qytetarëve ka gjasë që do ta pranojnë vaksinën kundër COVID-19.

Rezultatet e hulumtimit kanë treguar se ka dallime edhe për nga përkatësia etnike, meqë 73.1 për qind e shqiptarëve janë shprehur se do ta pranojnë vaksinën, kundrejt 51 për qind e maqedonasve.

Në bazë të hulumtimit, “COVID-19: Një vit frikë, pritje dhe dëshira për t'u kthyer në ‘normalitet’”, i kryer nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim, 73,5 për qind e qytetarëve thonë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk ka reaguar në mënyrë të duhur për sa i takon furnizimit me kohë me vaksinat kundër virusit COVID-19.

Mjekët amë thonë se informacionet për efektet anësore që po shfaqen pas marrjes së vaksinës kundër koronavirusit të ri e që në raste të caktuara ka rezultuar me trombozë gjaku, kanë ngjallur te njerëzit një skepticizëm dhe frikë nga marrja e vaksinës, në veçanti kur bëhet fjalë për vaksinën e prodhuar nga AstraZeneca.

“Është e madhe frika te qytetarët që mos t'iu ndodh trombozë e gjakut apo mos do të kenë ndonjë reaksion të padëshiruar. Një pjesë e qytetarëve për këtë arsye thonë se do të presin që të tjerët të vaksinohen dhe të shohin se si do të kalojnë ata dhe më pas do të vendosin nëse do të vaksinohen ose jo kundër COVID-19”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lilija Çollakva Dervishova, Kryetare e Shoqatës së Mjekëve Amë.

Ajo shton se rasti i 28-vjeçares nga Maqedonia e Veriut, e cila kishte komplikime, përkatësisht shfaqje të trombozës në sy pasi pranoi vaksinën e AstraZenecas në Serbi, ka nxitur edhe më shumë frikë te qytetarët për të pranuar vaksinën, edhe pse gjendja e saj u stabilizua menjëherë pas shtrirjes në spital.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, tha se tashmë 20 për qind e termineve të caktuara për marrjen e vaksinave janë anuluar, pasi qytetarët nuk janë paraqitur në pikën për vaksinim, pa dhënë detaje për arsyet e anulimit.

Ministri Filipçe tha se ka patur vetëm dy raste me komplikime në pikën e vaksinimit, megjithëse nuk kanë të bëjnë me vaksinën por tensionimin para pranimit.

Ndërkohë në rrjetet sociale, gjithnjë e më të pranishme janë fushatat kundër vaksinimit me shprehjet: “Ata që zgjedhin vaksinën zgjedhin vdekjen”; “Nëse dëshironi të mbetni gjallë e shëndosh, mos u vaksinoni me asnjë vaksinë”.

Por, nga Qendra e Shëndetit Publik, në vazhdimësi u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve të pakontrolluara, por të bazohen vetëm në informacionet e organeve zyrtare shëndetësore për besueshmërinë e imunizimit nga cilado lloj vaksinë që është aprovuar nga organizata amerikane dhe ajo evropiane e barnave.

Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar mbi 35 mijë qytetarë, me një ose të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Të parët janë vaksinuar punonjësit shëndetësorë, që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me të infektuarit me COVID-19.

Me 24 mijë dozat e vaksinës AstraZeneca, të siguruara përmes programit COVAX, po zhvillohet vaksinimi i personave mbi 60 vjeç.

Përderisa me 20 mijë dozat e vaksinës ruse Sputnik V, po zhvillohet vaksinimi i kategorive më të ekspozuara ndaj virusit, siç janë pjesëtarët e sigurisë, punonjëset në kopshte, vozitësit e transportit publik dhe punonjësit në media.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG