Ndërlidhjet

Sindikalistët kërkojnë rritjen e pagës minimale


Shkup, fotografi nga arkivi.
Shkup, fotografi nga arkivi.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e punëtorëve në Maqedoni të Veriut, thonë se pandemia COVID-19 ka thelluar edhe më shumë varfërinë në klasën punëtore, duke bërë të papërballueshme krizën shëndetësore dhe atë ekonomike për këtë kategori të shoqërisë.

Nën moton “Mjaft më, e keni tepruar”, anëtarët e Konfederatës së sindikatave të lira kanë protestuar të enjten, më 15 prill, para ndërtesës së Qeverisë maqedonase, duke kërkuar rritje të pagës minimale nga 14 mijë e 924 denarë (240 euro) në 16 mijë denarë (260). Kjo kërkesë, sipas sindikalistëve, po bëhet për shkak të rritjes së çmimeve të shumë produkteve në treg.

Kryetari i Konfederatës së sindikatave të lira, Blagoja Ralpovski, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se institucionet e shtetit, me mosveprimin e tyre, po bëjnë që punëdhënësit të shkelin dispozitat ligjore për pagesën e pagës minimale.

Ralpovski tha se punëtorët janë ata që e ndjejnë më së shumti krizën e shkaktuar nga pandemia.

“Vërejtjet kryesore të Konfederatës së sindikatave të lira kanë të bëjnë me atë se mungon dialogu social. Dialogu social është në nivelin të ulët, pasi kemi dialog formal dhe jothelbësor. Pastaj kemi vërejtje se pse hesht Inspektorati i punës kur punëdhënësit nuk e realizojnë pagesën e pagës minimale. Ligjet në shumë raste janë shkelur, por është e qartë se është më e lehtë për punëdhënësit të paguajnë gjobat sesa t’u japin paratë punëtorëve”, tha Raplovski.

Ai shtoi se shumë pak respektohet ligji sa i përket sigurimit të pagës së plotë edhe gjatë pushimit mjekësor për të infektuarit me koronavirus, ndërkohë që ka edhe raste që personat që janë të izoluar nga COVID-19, u paguhet pjesërisht paga. Prandaj, sipas tij, punëtorët i kanë dy mundësi, ose të qëndrojnë në shtëpi pa pagesë ose të shkojnë në punë dhe të rrezikojnë shëndetin e kolegëve të tyre.

Por, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Sjadoga Shahpaska, tha se paga minimale përcaktohet në bazë të kritereve ligjore dhe se për momentin nuk ka kushte që ta rrisin pagën minimale.

“Respektimi i të drejtave të punëtorëve, mbrojtja e çdo pune, është një përparësi e veçantë e ministrisë dhe qeverisë në kushte të pandemisë, kur kujdesi për çdo punëtorë është vendosur lart në agjendën tonë”, është shprehur Shahpaska.

Ndërkaq, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thonë se ka hapësirë për rritjen e pagës minimale, pasi sipas tyre, edhe ashtu pjesa më e madhe e afaristëve u japin “në të zezë” rroga më të larta, përkatësisht u japin në dozë një pjesë të rrogës, me qëllim që t’u shmangen pagesave të kontributeve.

Menderes Kuçi nga kjo odë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesat e punëtorëve janë të arsyeshme, pasi me pagë minimale është e pamundur që një familje katër anëtarëshe të mbijetojë. Por, ai shton se shteti duhet të krijojë mekanizma për lehtësimin e bizneseve sa i përket pagesës së kontributeve për punëtorët dhe kjo sipas Kuçit, duhet të vlejë për të gjithë, që sipas tij, të mos krijohet konkurrencë jolojale.

“Nëntëdhjetë për qind e bizneseve që gravitojnë në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore paguajnë më shumë se paga minimale, por një pjesë (të punëtorëve) i paguajnë në dorë dhe një pjesë të pagës ua paguajnë përmes xhirollogarisë, aq sa janë të obliguar me ligj ta paguajnë pagën minimale sepse në një formë, shteti e stimulon një gjë të tillë. Ne si odë kemi thënë se jemi për t’i legalizuar të gjitha këto mjete që ne ua japim punëtorëve në dorë, me atë që të kemi lehtësime sa i përket lartësisë së kontributeve dhe kjo gjë të vlejë për të gjithë sepse nëse unë e paguaj punëtorin 500 euro dhe ai tjetri nuk paguan kontributet, paraqitet konkurrencë jolojale dhe këtu shteti është treguar pak i shurdhër, pasi nuk po vepron”, thotë Kuçi.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti shtetëror i Statistikave, thuhet se në muajin mars, kostoja e jetesës është rritur për 2.1 për qind.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG