Ndërlidhjet

Vjosa Osmani zgjidhet presidente e Kosovës


Osmani: Kosova po jep shembull për përfaqësimin e gruas në institucione
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:19 0:00

Osmani: Kosova po jep shembull për përfaqësimin e gruas në institucione

Me 71 vota për, kuvendi më 4 prill, zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.

Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.

Osmani, presidentja e re e Kosovës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:43 0:00

Osmani, 38-vjeçare, ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, parti kjo që udhëheq edhe me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

Në adresimin e saj të parë pas zgjedhjes, Osmani tha para deputetëve se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.

"Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur më 14 shkurt po jetësohet", tha Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit, ishte personi më i votuar, duke siguruar mbi 300 mijë vota.

Presidentja Vjosa Osmani duke iu adresuar Kuvendit të Kosovës. Prishtinë, 4 prill, 2021.
Presidentja Vjosa Osmani duke iu adresuar Kuvendit të Kosovës. Prishtinë, 4 prill, 2021.

Osmani, e cila është gruaja e dytë që mban postin e presidentit, pas Atifete Jahjagës, tha se zgjedhja e saj në krye të shtetit jep edhe mesazhin për vajzat e vogla, se ato mund të arrijnë aty ku ato dëshirojnë.

“Sot Kosova zgjodhi edhe një herë një presidente grua, për të cilat vajzat e vogla që mund të jenë duke na shikuar në këto momente, shpresoj përherë ta mbani këtë që po e them tani: vajzat e kanë vendin vetëm aty ku vetë dëshirojnë, aty ku çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë fort e me zell”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se Kosova po jep shembull për përfaqësimin e gruas në institucionet shtetërore.

Osmani i është falënderuar aleatëve të Kosovës, të cilët e kanë mbështetur shteti ndër vite në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Ajo tha se Kosova gjithmonë është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria dhe u bëri thirrje aleatëve që të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës "për qëllime të përbashkëta", për integrimin e shpejt euro-atlantik dhe për zhvillimin ekonomik.

Presidentja foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se paqja "do të arrihet vetëm nëse shohim pendesë nga Serbia".

Osmani tha se drejtësi për Kosovën nuk mund të ketë derisa Serbia nuk do të sjellë para drejtësisë "kriminelët që kryen krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës".

Ajo po ashtu tha se do të punojë që interesi nacional të jetë mbi të gjitha, që të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe që aleancat me shtetet do të ruhen e kultivohen.

"Sot zotohem para jush se do të punojë çdo ditë ta forcoj shtetin tonë, Republikën e Kosovës, sundimin e ligjit, të garantoj mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetës së dinjitetshme për të gjithë. Sot zotohem se do ta mbroj çdo pëllëmbë të Kosovës dhe do të angazhohemi pa kursim për të garantuar pacenueshmërinë e integritetit territorial institucional dhe sovranitetit të vendit", tha ajo.

Osmani u zotua se gjatë mandatit të saj pesëvjeçar, do të jetë figurë unifikuese.

"Unë do të jem presidentja e juaj, presidentja e të gjithëve”, tha Osmani, duke shtuar se dera e saj do të jetë e hapur për të gjithë dhe se nuk do të bëjë dallime mes pushtetit dhe opozitës.

Osmani, e cila po ashtu është komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, foli edhe për fushën e sigurisë, ku tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë, është ushtria më e re në botë që po kalon periudhën e tranzicionit, por është ushtria me besimin më të madh qytetar. Profesionalizmi dhe besueshmëria e qytetarëve ndaj Forcës së Sigurisë është garancia më e madhe për sigurisë tonë dhe më gjerë dhe garancia më e madhe për të realizuar synimin tonë strategjik për anëtarësim në NATO”, tha ajo.

Osmani, pas votimit pranoi detyrën e presidentit nga ushtruesi i deritanishëm i këtij posti, Glauk Konjufca.

Sipas Kushtetutës, presidenti ka mandat pesëvjeçar dhe mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë. Pas zgjedhjes, presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Osmani më 3 shkurt të vitit 2020 ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, gruaja e parë që mbajti këtë post.

Ndryshe, që nga 5 nëntori 2020, e deri më 22 mars, Osmani e kishte ushtruar postin e presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga ky post për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Dikur aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas Osmani arriti të bëhej edhe nënkryetare e kësaj partie. Si deputete nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës në tri legjislatura, Vjosa Osmani ka qenë kryetare e Komisionit për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike dhe kryetare e Komisionit për integrime evropiane.

Në qershorin e vitit 2020, kryesia e LDK-së e shkarkoi Osmanin nga të gjitha postet partiake, për shkak të kundërshtimeve të shprehura lidhur me prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në dhe kundërshtimit të krijimit të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Kurti dhe Abdixhiku urojnë Osmanin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Osmanin për zgjedhjen në krye të shtetit dhe ka falënderuar të gjithë deputetët që votuan për të.

“Tani ne kemi përfunduar themelimin e institucioneve tona dhe kemi hyrë në një epokë të re të stabilitetit dhe prosperitetit për popullin e Kosovës”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Pas përmbylljes së seancës së jashtëzakonshme të kuvendit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen në krye të shtetit.

“Shpresojmë që e njëjta do të ushtrojë rolin e saj kushtetues me dinjitet, duke i përfaqësuar të gjithë qytetarët e vendit, duke i konsultuar të gjitha partitë në vend dhe të lë një shenjë të mirë në pesë vjetët e ardhshme”, tha Abdixhiku, i cili ka marrë drejtimin e LDK-së pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

PDK dhe AAK me kritika ndaj Osmanit

Partia opozitare, PDK ka kritikuar zgjedhjen e Osmanit, duke thënë se ajo u zgjodh presidente përmes “pazareve”, të cilat, sipas kësaj partie “do t’i marrim vesh më vonë”, duke shtuar se Kosova ka “rrëshqitur në monizëm”.

“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të padenjë, përçarëse dhe partiake Vjosa Osmanin, e cila do t’i shërbejë vetëm kryeministrit Kurti por jo edhe qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësimit të interesave të tyre. Vjosa Osmani, presidentja e zgjedhur, nuk do të jetë asnjëherë presidentja valide, unifikuese dhe e të gjithë popullatës – por një figurë e grupeve biznesore, marionetë e një autoritari dhe emri që bëri të mundur goditjen më të madhe demokracisë së vendit”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Osmani u zgjodh me “vota të kontrabanduara”.

“Sistemi njëpartiak dhe i kapur sapo filloi. Aleanca do të jetë zë i ndërgjegjes së popullit, shtyllë kushtetuese dhe mbrojtëse e ekonomisë së tregut të lirë.Urime deputetëve që morën pjesë duke i përfshirë edhe ata të pazarit të natës që lanë parimet për përfitime të atypëratyshme”, tha Haradinaj.

Haradinaj ftoi të gjithë politikanët që, siç tha “të mbrojmë së bashku vlerat e Kushtetutës”, pasi sipas tij, nga sonte fillon “lufta për demokraci”.

SHBA: Të përkushtuar për bashkëpunimin me Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë uruar Osmanin për zgjedhjen e saj në krye të shtetit.

"SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe prosperitet për të gjithë qytetarët", ka shkruar në Twitter, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Edhe Bashkimi Evropian ka uruar Osmanin për zgjedhjen në postin e presidentit, duke thënë se tani pret që të rinisin reformat dhe dialogu.

“BE-ja mirëpret që të punojë ngushtë me presidenten Osmani dhe me institucioniet e sapokonsoliduara të Kosovës. Kosova tani duhet të rinisë reformat e lidhura me BE-në dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Seanca e së dielës për zgjedhjen e presidentit ishte përpjekja e dytë për votimin e presidentit, pasi të shtunën nuk pati kuorum të mjaftueshëm prej 80 deputetësh. Të dielën, në seancë morën pjesë dy deputetë nga radhët e komuniteteve joserbe, Adem Hoxha dhe Fadil Gashi si dhe Adelina Grainca nga PDK-ja dhe Albena Reshitaj nga AAK-ja. Më vonë u konfirmua se Grainca ka kaluar në Grupin Parlamentar të LVV-së.

Vjosa Osmani është presidentja e pestë e shtetit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG