Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës tha se kjo parti e kundërshton zgjedhjen e Vjosa Osmani-Sadriut në postin e presidentit të Kosovës.
“Një gjë duhet ditur qytetarët e Kosovës, që nuk ka pasur asnjë interesim as për një konsensus politik, as shoqëror, as partiak, por më shumë ka pasur një logjikë të nënshtrimit dhe jo të kompromisit politik se si të zgjidhet presidenti në vend, kësaj qasje ne si PDK i themi jo”, tha Hoxhaj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të votohet presidenti i Kosovës.
Ai përsëriti se Osmani-Sadriu nuk është figurë unifikuese, por përçarëse.
“Kjo seancë është e poshtërimit sepse Kurti ka vendosur ta emërojë Osmanin si presidente. Ajo nuk po zgjidhet, por po emëron Kurti dhe po e dërgon atë në presidencë për të pasur kontroll absolut”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj tha se ai dhe deputeti tjetër i PDK-së, Bedri Hamza morën pjesë në seancë vetëm për të shprehur qëndrimin e tyre në lidhje me zgjedhjen e presidentit. Më pas ata lëshuan sallën. Deputetët tjerë të kësaj partie gjithashtu nuk po marrin pjesë në seancë. PDK-ja ka 19 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Të pranishëm në sallë janë 82 deputetë, të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po merr pjesë vetëm deputetja Albena Reshitaj. Deputetët e Listës Serbe, po i bojkotojnë punimet e kësaj seance.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani-Sadriu, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.
Sipas Kushtetutës, në garë për president duhet të jenë të paktën dy kandidatë, të cilët paraprakisht duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.