Ndërlidhjet

Ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje nuk kalojnë në procedurë të përshpejtuar


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Ka dështuar propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që shqyrtimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të bëhet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës.

Për propozimin kanë votuar 65 deputetë, ndërsa kundër 39. Rrjedhimisht, nuk janë arritur 2/3 e votave të kërkuara.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ky ligj do të shkojë në procedurë të rregullt.

“Ky projektligj do ta marrë rrugën e tij të shqyrtimit të zakonshëm në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Në sallë ishin 105 deputetë, kur është votuar për këtë iniciativë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë pas përfundimit të seancës se kryeministri Albin Kurti - lider i Lëvizjes Vetëvendosje - e ka kërcënuar demokracinë në Kosovë.

“U synua që të kërcënohet demokracia dhe rendi kushtetues. Nëpërmjet arrogancës së numrave u synua të shantazhohen deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gashi.

“Ne jemi këtu për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Nëse ky ligj nuk tërhiqet, kryeministri Kurti do ta çojë vendin në zgjedhje. Albin Kurti po ka frikë të qeverisë me vendin, edhe pse ka mjaftueshëm deputetë”, ka thënë Gashi.

Krasniqi: Qeveria tentoi të na shantazhojë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk po mund t’i bëjë ballë pushtetit.

“Albin Kurti po tregon se ka frikë të marrë përgjegjësi dhe po tenton ta çojë vendin sërish në zgjedhje”, ka thënë Krasniqi.

“Sot u tentua që procesi i zgjeruar i reformës zgjedhore, të përfundojë brenda natës përmes shantazhit të Qeverisë”, ka thënë Krasniqi.

“Ne nuk do të dorëzohemi përballë këtij shantazhi, ashtu siç nuk u dorëzuam edhe sonte”, ka shtuar ai.

Sipas Krasniqit, Kuvendi i Kosovës është dashur të mbajë seancë për pandeminë e koronavirusit, për sigurimin e vaksinave dhe për të ndihmuar ekonominë e vendit.

Tahiri: Ishte farsë iniciativa e Qeverisë

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur farsë iniciativën e Qeverisë, duke thënë se qëllim i saj ishte shantazhimi i opozitës.

Duke folur për mundësinë që shumica parlamentare të thërrasë seancë për votimin e Vjosa Osmanit për presidente, Tahiri ka thënë se AAK-ja nuk do të marrë pjesë në votim e as që do ta bëjë kuorumin.

“Sa i përket kandidatit për president, ne e kemi kandidatin tonë dhe ai është Ramush Haradinaj. Ne nuk do të bëjmë kuorum sa i takon zgjedhjes së presidentit”, ka deklaruar Tahiri.

Pavarësisht thirrjeve të mëhershme të opozitës që të tërhiqet nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje e ka shtyrë këtë çështje përpara.

Ndryshimet e ligjit do t'i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.

Ato janë kërkuar të bëhen përpara se deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë për presidentin e ri të vendit.

Ushtruesja e detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari - Lila, ka thënë të premten vonë se nuk përjashtohet mundësia që seanca për zgjedhjen e presidentit të thirret gjatë fundjavës.

Ajo ka konfirmuar më herët se janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme dhe se për postin e presidentit kandidojnë dy persona: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Që të dy këta kandidatë ishin pjesë e Listës së Vjosa Osmanit, që në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar në kuadër të Listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nga vullneti i shprehur i deputetëve të Republikës kemi konfirmimin se janë 80 të vullnetshëm që të marrin pjesë në procesin e votimit. Ne nuk mund të dimë saktë se çfarë do të ndodhë brenda orëve në vijim dhe a do të jenë të njëjtit që do të qëndrojnë prapa konfirmimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë Kusari-Lila.

Edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një seance plenare të mbajtur të premten, ka paralajmëruar se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja nëse nuk zgjidhet presidenti i ri.

Miftaraj: Kontrabandim dhe jo ndryshim i ligjit

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, e ka konsideruar “kontrabandim” dhe jo ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje, që me procedurë të përshpejtuar ta ndryshojë këtë ligj, para se të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës.

“Në radhë të parë, çdo ligj i miratuar në Kuvendin e Kosovës kërkon të plotësojë disa standarde minimale, që nënkupton përfshirjen e pozitës, opozitës, shoqërisë civile, por edhe partnerëve ndërkombëtarë. Në rastin konkret, po flasim për një ligj të rëndësisë kaq të veçantë, i cili, siç duket, më shumë shihet si kontrabandë sesa plotësim-ndryshim i një ligji”, ka thënë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas ligjeve aktuale, pjesëtarët e diasporës së Kosovës mund të votojnë përmes postës, proces të cilit i paraprin faza e aplikimit dhe e verifikimit të së drejtës së votimit.

Edhe organizatat që përfaqësojnë shoqërinë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të tërhiqet nga nisma për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet.

Përmes një letre publike, shtatë organizata joqeveritare: Demokraci Plus, Instituti Demokratik i Kosovës, Demokraci për Zhvillim, Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet (Çohu), kanë thënë se, edhe pse vendi ka nevojë të ketë reformim të legjislacionit zgjedhor, kjo nuk e arsyeton urgjencën me të cilën po tentohet të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Si zgjidhet presidenti i Kosovës?

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës, që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tria votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Qëndrimi i opozitës për Osmanin

Osmani, ish-zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me LVV-në dhe ka marrë më së shumti vota, përkatësisht mbi 300 mijë.

Ish-partia e saj, LDK-ja, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.

Kundër zgjedhjes së Osmanit janë deklaruar partitë opozitare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, mbështetje për Osmanin kanë shprehur partitë e komuniteteve joserbe.

Më 22 mars është konstituuar Kuvendi i ri i Kosovës dhe, në po të njëjtën ditë, është zgjedhur edhe Qeveria e re. Qeveria e Kurtit ka marrë mbështetjen e 67 deputetëve.

LVV-ja ka 58 ulëse në Kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Këtë post e ka ushtruar Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të Kuvendit, Glauk Konjufca e ka marrë edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG