Ndërlidhjet

PDK-ja nuk e voton Vjosa Osmanin për presidente


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se PDK-ja nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente.

Hoxhaj i bëri komentet pas seancës së konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

“Zonja Osmani nuk është faktor unifikues për qytetarët e Kosovës. Është faktor përçarës. Nuk e bashkon skenën politike", tha Hoxhaj.

Ai i bëri thirrje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që sa më shpejt të zgjidhet Qeveria e Kosovës dhe presidenti.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

“Sikurse sot që është zgjedhur Kryesia e Kuvendit dhe është konstituuar Kuvendi, të formohet edhe Qeveria dhe të zgjidhet presidenti. Dhe natyrisht që këtu askush nuk duhet të llogarisë në votën dhe mbështetjen e PDK-së", tha Hoxhaj.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani ka garuar në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje si kandidate për presidente.

Ajo ka fituar mbi 300,000 vota.

Që një person të zgjidhet president i Kosovës, sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Deri më tani, pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit që t’i sigurojnë votat për president, ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një takim për kandidaturën e Osmanit për presidente.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG