Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, shprehu sërish qëndrimin e partisë së tij kundër zgjedhjes së Vjosa Osmanit në postin e presidentes së Kosovës.
Hoxhaj e cilësoi Osmanin si “figurë përçarëse dhe njëpartiake”.
Në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë, Hoxhaj tha se PDK-ja mbështet krijimin e institucioneve të reja, por shtoi se ato nuk duhet ta rrezikojnë demokracinë dhe ta polarizojnë skenën politike.
Hoxhaj tha se me zgjedhjen e Osmanit në krye të shtetit, pushteti do të koncentrohet në duart e kryeministrit Albin Kurti.
Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Osmani ka garuar me një listë me Lëvizjen Vetëvendosje të Kurtit.
“Zgjedhja e zonjës Osmani si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion shumë të rrezikshëm, ku de juro dhe de fakto pushteti do të koncentrohej në duart e një partie dhe në duart e një njeriu, të Albin Kurtit. Meqë zoti Kurti, deri më tash, ka treguar një logjikë dhe mendësi autoritare, do të ishte e rrezikshme që Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria të kontrolloheshin nga një parti dhe nga një njeri. Prandaj, edhe kjo do ta dëmtonte atë mekanizmin e kontrollit dhe të balancës së pushtetit në demokraci, që ekziston edhe në Kosovë”, tha Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, PDK-ja, që është në opozitë, do ta merrte në konsideratë nëse LVV-ja propozon për postin e presidentit një kandidat konsensual, i cili, sipas tij, do të përfaqësonte shoqërinë e Kosovës dhe jo vetëm një parti.
“Nuk mendojmë që është detyrë e jona që të dalim me kandidat për president, meqë zgjedhjet i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje. I takon shumicës që ta udhëheqë një proces të tillë”, tha ai.
Osmani, ish-zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi më së shumti vota, përkatësisht mbi 300 mijë.
Të martën, ish-partia e saj tha se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.
Kundër zgjedhjes së Osmanit në krye të shtetit është deklaruar edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa partitë e komuniteteve joshumicë kanë shprehur mbështetjen e tyre për Osmanin.
Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave, që i bie 80 vota për të deputetëve.
Në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 votave të deputetëve, por në të tria votimet duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.