Ndërlidhjet

Gjërat që duhet t’i dini për vaksinën e AstraZenecas


Një dozë e vaksinës së AstraZenecas. Fotografi nga arkivi.
Një dozë e vaksinës së AstraZenecas. Fotografi nga arkivi.

Në total, Kosova do të furnizohet me 100.800 doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë britanike, AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksordit.

Kontingjenti i parë me vaksina, në Kosovë arrin në mbrëmjen e 28 marsit dhe është në kuadër të vaksinave që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në fundin e vitit të kaluar, Mbretëria e Bashkuar u bë shteti i parë që miratoi për përdorim vaksinën e AstraZenecas, e cila jepet përmes dy dozave. Deri më tani, kjo vaksinë është miratuar për përdorim në mbi 70 shtete në mbarë botën, përfshirë edhe nga rregullatori evropian i barnave. Po ashtu, OBSH-ja ka rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine.

Efikasiteti

Vaksina e AstraZenecas përmban virus të dobësuar, që përdoret për krijimin e vaksinave për grip të zakonshëm. Ky virus ka për qëllim që të japë udhëzime për krijimin e proteinave, që do të ndihmojë sistemin imunitar të luftojë dhe parandalojë infektimin nga koronavirusi.

Që prej se AstraZeneca njoftoi për zhvillimin e vaksinës së saj kundër koronavirusit, ka variuar edhe efikasiteti i saj kundër sëmundjes COVID-19. Por, sipas një studimi të fundit të kryer në Shtetet e Bashkuara, ku kanë marrë pjesë 32.449 vullnetarë, vaksina ishte 79 për qind efektive në parandalimin e simptomave të sëmundjes COVID-19. Ndërkaq, sipas këtij studimi, të kryer nga një panel i pavarur, kjo vaksinë ishte 100 për qind efektive ndaj sëmundjes së rëndë të COVID-19 dhe raste të hospitalizimit.

Kjo vaksinë administrohet te personat mbi 18 vjeç.

Dy dozat e vaksinës së AstraZenecas jepen ndërmjet katër dhe 12 javësh. Sipas disa studimeve, sa më e gjatë të jetë periudha ndërmjet dozës së parë dhe të dytë, aq më i lartë mund të jetë imuniteti që krijon vaksina.

Për shkak të çmimit të lirë, vaksina e AstraZenecas është bërë e qasshme për shumë shtete në botë. Çmimi për këtë vaksinë varion nga 3 deri në 15 dollarë.

Mpiksja e gjakut

Në fillim të marsit të këtij viti, disa shtete pezulluan përdorimin e vaksinës së AstraZenecas, për shkak të efekteve anësore të kësaj vaksine, përkatësisht disa persona kanë pasur mpiksje të gjakut, pas pranimit të vaksinës.

Por, më 18 mars, Agjencia Evropiane e Barnave tha se përdorimi i vaksinës së AstraZenecas është i sigurt, pavarësisht raportimeve për mpiksje gjaku.

Sipas rregullatorit evropian, përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet.

Mbi 65 vjeç

Në studimet klinike të kryera për zhvillimin e vaksinës së AstraZenecas, kanë qenë të përfshirë shumë pak personat mbi 65 vjeç. Pavarësisht kësaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që kjo vaksinë t’u jepet kësaj grupmoshe, duke thënë se efikasiteti i vaksinës në këtë grupmoshë është i gjerë.

“Vlerësime më të sakta për efikasitetin për këtë grupmoshë pritet së shpejti, si nga provat që po zhvillohen, por edhe nga studimet mbi efikasitetin që po bëjnë shtetet që po e përdorin këtë vaksinë. Përgjigjet imunitare që janë shkaktuar nga vaksina te personat e moshuar, janë të dokumentuara mirë dhe janë të ngjashme si te grupmoshat e tjera. Kjo sugjeron që ka shumë gjasa që vaksina të jetë efektive edhe te personat e moshuar. Të dhënat e provave thonë se vaksina është e sigurt për këtë grupmoshë”, thuhet në vlerësimin e OBSH-së, të publikuar në shkurt të këtij viti.

Variantet më ngjitëse të COVID-19

Aktualisht janë dy variante të reja të koronavirusit, që besohet se janë më ngjitës: ai i zbuluar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe ai në Afrikë të Jugut.

Dilemat për variantet e reja të COVID-19
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:05:56 0:00

Sipas vlerësimeve të OBSH-së, vaksina e AstraZenecas, ka shfaqur më pak efikasitet ndaj këtyre varianteve. Për variantin e Mbretërisë së Bashkuar, OBSH-ja ka thënë se nga rezultatet paraprake, del se vaksina e AstraZenecas shoqërohet me ulje të prodhimit të antitrupave. Ndërkaq, për variantin e Afrikës së Jugut, kjo vaksinë është më pak efektive ndaj sëmundjes së moderuar dhe të butë si dhe ka pasur më pak prodhim të antitrupave.

Për dallim nga vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, që kërkojnë të ruhen në temperatura ultra të ulëta, vaksina e AstraZenecas mund të ruhet në frigoriferë normal në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG