Mijëra gra protestuan të shtunën në Turqi kundër vendimit të autoriteteve për tërheqje nga Konventa që synon mbrojtjen e grave nga dhuna.
Protestueset kërkuan nga presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan që të kthejë vendimin e tij për tërheqje nga traktati.
"Përmbyse vendimin, zbato traktatin!", brohoritën ato gjatë një proteste në lagjen Kadikoy, në anën aziatike të Stambollit.
Një protestuese e quajtur Banu, i tha agjencisë AFP se ajo ishte "ngopur me shtetin patriarkal".
“ Jam ngopur duke mos u ndier i sigurt. Mjaft!", tha ajo.
Protestuesit mbajtën portrete të grave të vrara në Turqi, me një mbishkrim: "Janë gratë ato që do të fitojnë këtë luftë".
Protesta të tjera më të vogla u mbajtën në kryeqytetin Ankara dhe qytetin jugperëndimor të Izmirit, sipas raporteve të medias. Konventa e Stambollit e vitit 2011, e nënshkruar nga 45 vende dhe Bashkimi Evropian, kërkon që qeveritë të miratojnë legjislacionin që ndjek penalisht dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave.
Qeveria turke shkaktoi zemërim të brendshëm dhe ndërkombëtar pasi shpalli vendimin për tërheqje. Konservatorët në partinë nacionaliste të Erdoganit dhe aleatët e tyre kanë thënë se traktati dëmton unitetin e familjes.
Organi më i lartë i të drejtave të njeriut në Evropë, Këshilli i Evropës, dënoi tërheqjen e Turqisë nga traktati. Ky mekanizëm ka qenë sponsorizues i këtij dokumenti.
"Kjo lëvizje është një pengesë e madhe sepse pengon mbrojtjen e grave në Turqi, anembanë Evropës dhe më gjerë", tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejcinovic Buric.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë, Nacho Sanchez Amor shkroi në Twitter se "kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë aktuale turke: mosrespektimi i plotë i sundimit të ligjit".
Që nga fillimi i vitit në Turqi janë vrarë 77 gra, kanë njoftuar grupet për mbrojtjen e grave. Të paktën 409 gra u vranë në vitin 2020.
Ministrja e Punës, Familjes dhe Shërbimeve Shoqërore në Turqi, Zehra Zumrut Selcuk shkroi në rrjetin social Twitter se të drejtat e grave janë ende të mbrojtura nga ligjet turke dhe sistemi gjyqësor është "mjaft dinamik dhe i fortë" për të miratuar rregullore të reja.