Ndërlidhjet

Certifikohet rezultati i zgjedhjeve, LVV mbi 50 për qind


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi të shtunën rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke fituar 50.28 për qind të votave.

Partia e Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar 438.335 vota.

Certifikimi i rezultateve pason trajtimin e ankesave të kandidatëve për deputetë dhe subjekte politike nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.

Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.

Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse.

Hoxhiq, përfundimisht jashtë kuvendit

Ndërkaq, nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara. Dy ulëse ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës. Nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Pas ankesave në PZAP dhe Gjykatën Supreme, "Komuniteti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq" ka humbur ulësen në kuvend dhe në vend të saj ka hyrë, Unioni Socialdemokrat i Duda Bales. Ndërkaq, "Iniciativa Rome" ka mbetur vetëm me një ulëse në kuvend.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, ku u certifikua rezultati i zgjedhjeve, kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka bëri thirrje që deputetët e rinj të bëjnë reformën zgjedhore.

"Dua t’i drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lënë në udhëkryq, por t’ia japin rrugën e duhur. KQZ-ja është e gatshme që të japë kontributin e vetë profesional në këtë reformë", tha Daka.

Ankesat në PZAP dhe Gjykatën Supreme të komuniteve joserbe

Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja më 4 mars, partitë e komuniteteve joserbe iu drejtuan Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke thënë se dy subjekte boshnjake dhe rome, kanë fituar vota me ndihmën e Listës Serbe.

Ata kanë argumentuar se subjekti “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativa Rome” kanë fituar vota në lokalitete të banuara me shumicë serbe.

PZAP-ja ka miratuar pjesërisht ankesat e këtyre partive politike, duke anuluar votat që këto dy subjekte fituan në komunat me shumicë serbe dhe duke bërë që jashtë kuvendit të mbetet Adrijana Hoxhiq. Kjo e fundit humbi betejën edhe në Gjykatën Supreme, e cila refuzoi ankesën e saj.

Hoxhiq ka paralajmëruar se do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese, por edhe mekanizmave ndërkombëtarë.

Dyshimet për manipulime të votave në QNR

Pas ankesave, PZAP-ja po ashtu kishte urdhëruar rinumërimin e votave me kusht dhe me postë të kandidatëve për deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas dyshimeve se janë manipuluar votat në favor të një kandidateje.

Pas ngritjes së dyshimeve, Meliza Haradinaj-Stublla, dha dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe nga funksionet partiake. Pas rinumërimit të votave, Haradinaj-Stublla humbi edhe mandatin e deputetes për legjislaturën e tetë.

Lidhur me dyshimet për manipulime në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve autoritetet kanë arrestuar dy persona.

Takime konsultative për krijimin e institucioneve

Kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani – që në këto zgjedhje garoi në kuadër të listës së LVV-së – kanë thirrur takime konsultative me liderët e partive, lidhur me krijimin e institucioneve të reja.

Takimet pritet të mbahen të hënën më 15 mars.

Për formim të Qeverisë në Kosovë duhen të sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës.

Kurti ka thënë se qeverinë synon ta formojë me disa parti të komuniteteve joserbe.

Kosova po ashtu pritet që të zgjedhë edhe presidentin e ri, pasi që nga 5 nëntori i vitit 2020, është me ushtrues detyre të presidentit. Kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota për të fituar ulësen në presidencë.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se për këtë post do ta kandidojë Vjosa Osmanin.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga mbi 1.7 milion qytetarë me të drejtë vote kanë votuar 48.78 për qind dhe vota të vlefshme, sipas KQZ-së, kanë qenë 877.503.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG