Ndërlidhjet

Kufizim i lëvizjes dhe karantinë në Maqedoninë e V.


Doktorët duke bartur me ambulancë një pacient me koronavirus. Shkup, foto nga arkivi.
Doktorët duke bartur me ambulancë një pacient me koronavirus. Shkup, foto nga arkivi.

Me qëllim që të frenohet përhapja e mëtejme e koronavirusit, në Maqedoni të Veriut ka hyrë sërish në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Kufizimi i lëvizjes do të jetë në fuqi për dy javë, përkatësisht deri më 22 mars.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka thënë se nëse kufizimi i lëvizjes nuk jep rezultatet e pritura, do të propozohen edhe masa shtesë, pasi që në prill në këtë shtet ka edhe festa fetare.

“Vendimi gjithashtu ka edhe rol parandalues, përskaj shkakut që është rritja e shifrave” të të infektuarve, tha Zaev.

Autoritetet shëndetësore thonë se rritja e rasteve me koronavirus vjen si pasojë e mosrespektimit të masave që janë në fuqi, veçanërisht tubimet në lokale për festa familjare, grumbullimi i të rinjve në hapësira publike si dhe mosmbajtja e maskës dhe distancës.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se faji është i policisë, që sipas tyre, duhet të jetë më rigoroze ndaj shkelësve të masave.

“Po ashpërsohet situata, kjo është evidente. Me ngrohjen e motit, duket se autoritetet mbyllin sytë kur bëhet fjalë për organizimin e festave familjare, ku jo gjithmonë mbahet distanca dhe respektohen protokollet (për parandalimin e përhapjes së koronavirusit”, thotë Filip Nikollovski.

Ndërkaq, Ismail Samakova, e cilëson si të pakuptimtë masën e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve gjatë natës, pasi sipas saj, në atë interval kohor, nuk janë të hapura as bizneset.

“Prej orës 22:00 deri në ora 05:00 njerëzit pushojnë, pasi në atë kohë nuk punojnë kafiteritë. Restorantet punojnë deri në ora 21:00 dhe në ora 22:00 të gjithë mblidhen në shtëpi. Disi e pakuptueshme që karantina të nisë nga ora 22:00 e të jetë deri në ora 05:00. Nëse do të ishte bërë që karantina të nisë nga ora 17:00 apo 18:00, atëherë disi besimi do të ishte më i fort te popullata sa i përket ndalimit të përhapjes së virusit”, thotë Samakova.

Marija Atanasova thotë se masa e kufizimit të lëvizjes të paktën duhet të parandalojë tubimin e të rinjve në ambiente të hapura.

“Kemi një rini që nuk po i respekton masat. Ata tubohen në parqe gjatë orëve të natës dhe kjo sjellje rrezikon të afërmit e tyre, më të moshuarit. Prandaj, tani kemi edhe rritje të numrit të të infektuarve edhe në mesin e të rinjve”, thotë ajo.

Ndërkaq, Ismail Abazi thotë se problemi kryesor, sa i përket pandemisë, është se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ende nuk besojnë në ekzistencën e koronavirusit dhe as rreziqeve që mund të bartë ky virus.

“Ende ekziston hamendja te njerëzit se pandemia, përkatësisht COVID-19 nuk ekziston dhe mendoj se aty është problemi”, thotë Abazi.

Ndërkaq, mikrobiologu Nikolla Panovski thotë se masat e reja janë të nevojshme që sistemi i shëndetësisë të mos mbingarkohet.

“Po të isha anëtar i Komisionit për sëmundje do të ndaloja punën e qendrave të fitnesit, kafiterive (shërbimin në hapësira të mbyllura), gjithçka që rrit rrezikun e përhapjes së virusit për shkak të neglizhencës së të rinjve, të cilët edhe mund të jenë pa simptoma, apo me simptoma më të lehta dhe virusin e bartin te familjarët e tyre më të moshuar. Kështu edhe bllokohen më pas kapacitetet shëndetësore”, thotë mikrobiologu Panovski.

Përveç vendosjes së masës së kufizimit të lëvizjes, autoritetet kanë vendosur masën e karantinës së detyrueshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kthehen nga shtetet afrikane. Karantina vlen edhe për shtetasit e huaj që hyjnë në territorin maqedonas.

Krahas masave të reja të vendosura kundër pandemisë, në Maqedoninë e Veriut ka vijuar vaksinimi i punonjësve shëndetësorë, të cilët po marrin vaksinën ruse Sputnik V.

Maqedonia e Veriut ditë më parë pranoi tremijë doza të vaksinës ruse, me të cilat po imunizohen punëtorët shëndetësorë. Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të nisë imunizimi i grupeve më të rrezikuara të popullatës, siç janë ata me sëmundje kronike, si dhe të moshuarit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG